Disa fjalë rreth librit të Rexhep Rifatit „Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“

Libri i Rexhep Rifatit me titull „Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“, në 290 tema, në 501 faqe e me mbi një mijë fotografi, trajton arritje individësh e shoqatash që shërbejnë si model dhe dokumentim, njëkohësisht, për gjeneratën aktuale dhe gjeneratat pasuese në vendet mikpritëse të tyre.

Xhevdet Kallaba

Pothuajse është e pamundur që i gjithë aktiviteti i një populli, qoftë edhe vetëm i mërgatës së vendosur në një shtet gjeografikisht të vogël, siç është Zvicra, të përfshihet në një libër-monografi.
Libri i Rexhep Rifatit me titull „Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“, në 290 tema, në 501 faqe e me mbi një mijë fotografi, trajton arritje individësh e shoqatash që shërbejnë si model dhe dokumentim, njëkohësisht, për gjeneratën aktuale dhe gjeneratat pasuese në vendet mikpritëse të tyre.
I mishëruar gjithnjë e më tepër me projektin e këtij libri-monografi për shqiptarët në Zvicër, z. Rifati synonte që libri i tij të shihte dritën e botimit në përvjetorin e 100-të të lindjes së shtetit shqiptar. Dhe kur, pothuajse, 99 % e librit ishte sajuar, nga hapësira helvetike gjithnjë e më shumë katapultoheshin figura bashkatdhetarësh të autorit që, me sukseset e tyre në fushën e shkencës, artit e të kulturës, ndriçonin imazhin pozitiv të shqiptarëve në Zvicër. Këto copëza mozaiku autori, gjithsesi, dëshironte t´i përfshinte në librin e tij, ndonëse ishte i vetëdijshëm për kapakun përmbyllës të librit.
Sidoqoftë, autori i këtij libri ishte i brengosur që në verën e këtij viti përmbylli punën e tij trevjeçare, por është më se i lumtur se në shtetin helvetik vazhdojnë të lulëzojnë shqiptarë të suksesshëm dhe grupe individësh, të cilët, padyshim, do të jenë pjesë e librave dhe monografive të ardhshme.
T´i kthehemi pra librit.
Sapo ta hapësh librin, recensuesit e tij z. Hajro Hajra dhe z. Basil Schader, që kanë  bërë vlerësimin e librit , me shprehjet komplimentuese për autorin, sikur e stërmbushin lexuesin me oksigjen saqë libri të lexohet në një frymë të vetme, sado që fjala është për një libër 500 faqesh, redaktimin e të cilit e ka bërë Blerim Shabani, ndërsa përgatitjen teknike Skënder Hajdari.
Dhe, vërtet që në kaptinën e parë vërehet pesha e librit. Pa filluar leximin e tekstit, vetë fotografitë e brezit të fëmijëve, që do të jenë bartës të peshës për kahun e kësaj mërgate, dëshmojnë se autori e ka filluar librin mbarë. Një armatë nxënësish dhe mësimdhënësish shqiptarë të prezantuar në këtë libër na bëjnë të shpresojmë se shqiptarët në Zvicër mund të bartin dokumente identifikimi të shtetit mikpritës, por ama, ata do të jenë edhe një kohë të gjatë ma gjak e me shpirt shqiptari.
Padyshim, autori Rifati, duke e prezantuar një plejadë studentësh dhe krijuesish në fushën e shkencës e të artit, nuk pretendon që suksesin t´ua përshkruajë vetëm shqiptarëve, por, gjithsesi edhe vetë shtetit zviceran që ua dha shansin atyre në jetësimin e talentit dhe të përkushtimit të këtyre individëve për arritjet e tyre në fushat respektive.
Duke e përshkruar lidhjen e mërgatës me shtetin amë si dhe ndihmën e vazhdueshme që mërgata e reflekton në vendlindje, duke i ndihmuar të afërmit dhe shtetin në luftë e në paqe, shihet qartë simpatia e shtetit zviceran për shqiptarët, simpati të cilën Zvicra e dëshmoi duke e njohur ndër të parat pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kështu, shpresoj që modelin e këtij dokumentimi të punës së mërgimtarëve në Zvicër ta përvetësojnë edhe shumë krijues të tjerë që, secili në mënyrën e vet, të nxjerrë në dritë vepra të këtilla.
Autorit Rexhep Rifati i dëshiroj jetë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e  publicistikës!