Përballë pasqyrave
U zgjua. Mëngjes. Ora diku mes tetës e nëntës. E ngriti pak shpinën e mbështeti për mbështetësen e shtratit bashkëshortor. Pa vetën në pasqyrën e komodinës që kishte përballë. Pastaj në anën e majtë në dy dyert e mesit e lëvizëse të ormanit, që krahas dy dyerve të tjera ngjyrë vishnje me nga një vijë e hollë ngjyrë argjendi, që ishin të pasqyrta.
Në pamjen e parë fytyra dukej mjaft e qetë, më e ndritshme nga rrezet që binin nga dritaret mbuluar me perde, e pamja e dytë anonte kah portreti profil, dhe ishte më e errët, pa shkëlqim të theksuar drite. Punë dritëhijesh, tha dhe seç iu duk vetja disi i dyzuar.
Seç mendoi diçka turbull e papërcaktueshëm dhe mendja iu vërtit rreth këtyre dy pamjeve. Pas pak braktisi shtratin. Dhe për një kohë mendoi për relacionin fytyrë-pasqyrë. Ndonëse po përfundonte dhe marsi i këtij viti, i vajti në mendje të bënte një bilanc të tremujorit të parë të vitit. Lëvizte kokën, sa andej-këndej, mes ëndrrave, dëshirave, shpresave, planeve, gëzimeve, pakënaqësive, pikave të forta e të dobëta që barte me vete, mungesave, pengesave, përpjekjeve, nisjes, kthimit, mëdyshjeve, realitetit, aktualitetit, spontanitetit, hapave, ecjes, vrapimit e fluturimit të kohës. U vesh e u mbath. Iu duk se e mbërthyen ca kthetra monotonie. U mor me ca cikërrima, si për ta zbutur atë. Derisa ishim në hyrje pranvere, dhe shenjat e saj po vinin e po bëheshin më të dukshme, pa ca punime nxënësish nëpër duar, ndonjë dru të degëlulëzuar prej argjile, e ndonjë vizatim me ca lule në një fletë të zezë që kishin marrë krahë e sikur ngjiteshin lart për të yjet që kishin mbuluar qiellin. Vazhdonte të sodiste ndonjë fluturim blete a fluture nëpër degë drunjësh dhe seç qëndronte mes një mëdyshjeje të çuditshme se këto elemente stine herë-herë lehtësonin monotoninë e herë-herë atë e shndrronin në monotoni në katror. Deshi të bënte një postim në fejsbukun e tij, veç për ta lënë një shenjë, aty ku gjërat ruhen si një ditar besnik, që rikujtonte heraherës ditën e një shenje, si magji arke, nga e cila gjyshet nxjerrin ndonjë frut pas një dreke a darke. Gjurmë lodhje e mërroleje e shoqëronin dhe iu duk se asgjë më shumë s’do të mund të postonte sesa një status, dhe ky s’do ishte gjë tjetër pos status-quoje, pavarësisht se do t’ia bashkonte ose jo një shkrepje. Ndërkohë koha e mirë e me diell, tipike pranverore, me aromën e saj e tërhiqnin për hunde, ndërkohë që lulëzonin edhe kontrastet. Në kohën kur gjelbërimi merrte hov, hov merrnin edhe paqartësitë, se pas sa e sa përpjekjeve e përjetimeve, disi ende ekzistonte ajo këmbëngulja për ta çorientuar shoqërinë me gjëra prej të cilave tashmë ishte lodhur, shumë fjalë, shumë poterë, shumë shamatë, shumësi gjërash që pengojnë rrugëtimin e prej të cilave ende s’hiqej dorë aq lehtë. Ç’gurë do të binte në bunar këtë herë!? Gajle e madhe, tha, dhe iu duk se këtu nisi një fill ironie. I ra në duar një libër, një roman. Pasi e lexoi gjysmën e tij, pa se në të pasqyroheshin shumë elemente që tregonin me besnikëri e sinqeritet gjendjen e një vendi në rrokullinë tonë. Aty flitej për diktaturën, sistemin, terrorrizmin, biznesin, frikën, ankthin, medien, kurthin, kaosin, absurdin, anarkinë, mëkatin, seksin, pushtetin, skandalin, shantazhin, faktet, trillimet, thashethemet, krimin, dhunën, vetminë, paqartësitë, të njohurat e të panjohurat, marrëveshjet e mosmarrëveshjet, gërshetim i shumë e shumë elementeve që përbënin jetën e trazuar bashkëkohore. I mbetej dhe pjesa tjetër e këtij libri me nivel shumë të lartë për ta lexuar, të filluar para një jave, që kish sjellur e po sjellte ngjashmëri, ndryshime e krahasime. Lexoi edhe dy kapituj, për të ardhur deri kah gjysma e tij, e e la edhe njëherë për t’iu përgjigjur një ftese, e braktisi librin e muret. Tashmë pos tjerash dëgjonte dhe në cicërimën e shpendëve që diku-diku nuk dinin të ndaleshin, si farë llafazanësh lozonjarë. U gjend diku. Mes dy objektesh. Mes dy gërmadhash. Meditoi. Dhe iu duk e tepërt të përshkruante gjendjen e tyre, e të bënte farë krahasimi. U largua. Gjendja e pezullt, as i gjallë dhe as i vdekur e rrëqethi, por pas saj kishte bindjen se e mira do të triumfonte, siç kishte triumfuar, duke zgjeruar kufinjtë e lirisë e veprimit. Pasqyreve të dhomës dhe pasqyreve të natyrës, tashmë iu shtua dhe pasqyra e këtij libri. Veten e vendin, njerëzit e vendet mos rrëshqitshin në rrugë djalli e ferri, uroi, dhe sikur shpejtonte të lante sytë, zemrën, mendjen diku në një krua rregulluar me dashuri, në koritën e së cilit sërish po e shihte fytyrën…