Aeroplani
Mrizon nën pishat përballë aeroportit
Afër ku fillon një lëndinë e pjerrët
Fëmijët hipin e zbresin
Shkallares tepihkuqe
Si presidentë e si mbretër
Pa ndjerë pikën e madhështisë së tyre
Poshtë në fushëtirë në pistën e parë
Pranë antenës së radarit
Rri një aeroplan i vërtetë
Që duket si lodër e vockël e bardhë
Mes trungjeve të pishave
Aty ku ka ngelë
Njashtu si aeroplani që kemi përballë
Derisa në verandë përreth
Mrizojnë bashkë bashkëmëmëdhetarë
Që jetojnë mbrenda e që jetojnë jashtë
Ndërsa një gotë e gjatë e hollake
Rri puthitur me filxhanin e kafesë
Gjysmë e mbushur e gjysmë e zbrazët
Si metaforë që të kujton atdhenë
Bora
Borë e bukur lozonjare
Nga lart gjuan dhe godet
Gjuan imët edhe lehtë
Si të thërmoheshin retë
Pastaj duke hedhur dhe një hap
Më gjuajti borë e mbledhur maje një çatie
Këtë herë me artileri të rëndë
Pse u zemrua e çfarë i bëra
Koka më shpëtoi
Zemra më erdhi në vend
Ciflat e saj u shpërndanë
Pantollonat m’ i zbardhi edhe më
S’di a pat kund dëshmitar
Për ta vërtetuar këtë
Apo sytë ua mbylli bora
Me aleatën e saj erën e pjerrtë
Bie borë bie bie
Lozonjarja
Na bën lozonjar
Gjetheve të mbetura verdhoshe
Të një bliri skaj rruge
Ua rëndon supet
E brenda e përmbrenda
Ndizet malli sikur një zjarr
Shqiponja
Një re
Mbi faqen
E malit të Gërmisë
Ishte bërë shqiponjë
E zura derisa ecja
Dhe e lëshova
Të fluturojë


















