Muzeu Etnografik i Elbasanit me mbi 700 objekte origjinale

 

 

 

Gjatë vizitave Elbasanit, dy herë radhazi vizitova Muzeun Etnografik të këtij qyteti dhe mbeta më se i impresionuar me ato vlera etno-kulturore që ruhen brenda mureve të shtëpisë karakteristike me çardak që i takon fundit të shekullit të XVIII, si dëshmi e një jete tejet të vrullshme të këtij qyteti, veçmas në lëmin e zejtarisë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet dhe tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase

Përgatiti: Rexhep Rifati

Krahas asaj që kam pa e fotografua në këtë muze, kësaj radhe pash të udhës të shfrytëzoj edhe tekstin e faqes Monuments of Albania (Monumente shqiptare) që administrohet nga piktori entuziast Ilir Bala, me të cilin tash e tutje portali ynë prointegra.ch do të ketë një bashkëpunim të vazhdueshëm, pasi si ai edhe ne këtë punë e bëjmë të prirë thjesht nga motivi i dashurisë ndaj trojeve tona, me dëshirë që monumentet dhe resurset natyrore e shpirtërore tu ofrohen sa më shumë njerëzve tanë kudo që ata janë.

Por ti kthehemi muzeut: Gjendet në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Rrapit të Bezistanit, në një shtëpi karakteristike, e cila në vitin 1986 u kthye në Muze Etnografik.

Shtëpia e Sejdinëve, iu dhurua shtetit nga familja

Karakteristike është se : Shtëpia e Sejdinëve, siç njihet, iu dhurua shtetit nga familja. “Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptimin e saj funksionalo -arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që ndodhen në Berat e Shkodër,” thotë drejtori i Muzeut Etnografik Kreshnik Belegu.

Ndërtesa përbëhet nga dy kate, kati i parë ka qenë përdorur si magazinë ku futeshin prodhimet bujqësore, si edhe ka disa ambiente muzeale, korridorin, dhomën e leshrave, dhomën e metaleve, si dhe dhoma e tabakëve. Kati i dytë ka qenë përdorur si vendbanimi dhe përbëhet nga korridori i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, si dhe dhoma e nuses. Banesa është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1983 – 1985, dhe në vitin 1986 ambientet e shtëpisë u përshtatën duke u kthyer në muze etnografik.

Në muze ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale

“Muzeu përmban kuadrin historik, zejtarinë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet , tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase” thotë Belegu. Ai shton se “në muze ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të bëra nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, si edhe një sërë dokumentesh të cilat flasin për historinë e qytetit të Elbasanit”. Nuk mungojnë kostumet e burrave të cilat i gjen të varura në dhomën e burrave.

Kostumet, vlerë e rrobaqepësve të talentuar elbasanas

 Belegu deklaron se “kostumet e burrave dhe grave të punuara nga rrobaqepësit e talentuar elbasanas, shquheshin për stilin e veçantë shqiptar, si një mozaik i pasur veshjesh që pasqyronin tiparet e krahinës etnografike”. Për të mos harruar mjeshtërinë e terzinjve ku shquhen për punimin e jelekëve, xhamadanëve, xhybeve, dollomaneve etj.
Të gjitha këto të bëra me copa të kushtueshme, zbukuruar me motive vendase të thurur me gajtane e tel argjendi, ose ari. Veglat e punës të këtyre kostumeve ishin gërshëra, gjilpëra, kuti, hekuri me zjarr etj. Sipas Belegut, “kostumet e burrave e të grave dalloheshin për bukurinë dhe elegancën e çmoheshin shumë nga të huajt. Një dolloman apo xhybe e kategorisë së parë e punuar me copë kadife të kuqe të importuar që përdorej nga aristokracia e lartë arrinte një shumë të madhe”.

Guri i varrit të Mark Sabidit

Në muze gjen punime të metalpunuesve, artizanëve, dru punuesve, armëtarëve, leshpunuesve, guri i varrit të Mark Sabidit, i cili vërteton vendodhjen e qytetit të Elbasanit, ruhet në Muzeun Etnografik edhe në ditët tona. Krahas mullinjve mbresëlënës , ndonëse primitiv të vajit, këtë muze e identifikon edhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti.

Stela me figurën e nuses ilire

Gjithashtu në muze ndodhet edhe dokumenti më i vjetër arkeologjik basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire, si edhe vegja e tezgjahu që përdoreshin nga gratë të cilat endin pëlhura dhe qilima, etj. Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të historisë së qytetit e vizitojnë çdo vit me qindra të huaj.

Shqipëria e mesme e pasqyruar përmes shumë artefakteve

Gjatë vizitës në këtë muze, mësuam se ai pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme: zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës.

Origjinalitet në çdo detaj

Ajo që të bie në sy është origjinaliteti i çdo detaji, duke nisur nga pjesa kryesore e një shtëpie elbasanase: oda e burrave. Dhoma e grave ndryshon dukshëm nga ajo e burrave. Aty nuk mund të mungonte as djepi, i cili po ashtu është i punuar me mjeshtëri.

“Objektet që bart janë të gjitha origjinale, nuk ka asnjë kopje. Fakt që jo vetëm vizitorët vendas, por edhe ata të huaj e vlerësojnë së tepërmi”, shprehet Kreshnik Belegu, drejtor i Muzeut Etnografik Elbasan.

Pëlhurat që punoheshin në Elbasan ishin ndër ato më në zë në të gjithë Rumelinë. Ato punoheshin në dhoma të tilla, e padyshim ishin punime tezgjahu.

Guri i rrallë ai i themelimit të qytetit të Elbasanit

Muzeun Etnografik të Elbasanit. Në këtë qendër kulturore njëra nga më të mirat në vend janë të ekspozuara mbi 700 objekte origjinale, që përfaqësojnë objekte të ndryshme historike. Pjesa më e madhe e tyre janë të natyrës antike dhe i përkasin vetëm qytetërimit iliro-shqiptar. Krejt në fund të këtij shënimi do theksuar se në këtë muze ndodhe edhe një gur i rrallë ai i themelimit të qytetit të Elbasanit. Guri është zgjedhur në fundamentin e jashtëm të kalasë pas tërmetit të 1920. Ai i përket vitit 168 të herës sonë, ku është shkruar emri Vikus, fshat nga i cili filloi themelimi i qytetit Skampa.

Gjenerata e parë e normalistëve ferizajas në vizitë muzeut

Vizitën e parë në këtë muze e realizova me dy miqtë e mi nëpër trojet etnike, inxhinierin Jakup Reka me prejardhje nga Kaçaniku që jeton në Shkup dhe fotografin e mirënjohur gjakovar, Shkëlzen Rexha, ndërsa vizitën e dytë realizova me shokët e gjeneratës sime nga ish- normalja e Ferizajt, me rastin e 52 vjetorit të diplomimit. Si në rastin e parë edhe të dytin shkrepëm mjaft foto, sidomos me fotografin, Shkëlzen Rexha, disa nga të cilat po ia bashkëngjisë si ilustrim këtij shkrimi. Gjatë vizitës së dytë, me ish- normalistët ferizajas, na shoqëroi edhe Cen Dylgjeri nga Elbasani, i biri i ish- mësuesit Veteran, Hasan Dylgjeri që ishte ndër mësuesit e parë të ardhur nga Shqipëria në Kosovë, qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore,  e që në vitin 1946 hapi edhe shkollën e parë fillore katërklasëshe në katundin tim, Komogllavë të Ferizajt, pasi që në qytetin e Gjilanit ishte Inspektor arsimi.