Jetoi në Zvicër për 25 vjet, u kthye për të kontribuar në vendlindje

Pas 25 vjet jetesë në Zvicër, Avdullah Krasniqi është kthyer në vendlindjen e tij në Suharekë.Tash e 8 vjet ai merret me biznesin e tij me produkte krejtësisht bio, ku ka arritur të njihet në të gjitha trevat shqipfolëse.

 

Si student Avdullah Krasniqi ishte detyruar ta lëshoj vendlindjen bashkë me vëllaun e tij.

Ai qëndroi në Zvicër për 25 vjet, por gjithmonë ëndërr kishte kthimin në Kosovë.

“Në at kohë, pra në vitet e ‘80-ta ishim tre vëllezër studentë, njëri ra në burg. Ishin në grup me Fadil Vatën e Afrim Zhitinë dhe unë së bashku me vëllaun tjetër u detyruam të marrim rrugën drejt Zvicrës. Nga atje kemi kontribuar sa kemi mujt për familjen. Posa ka mbaruar lufta menjëherë i kam kthyer fëmijët në Kosovë. Nëse nuk do të ishte presioni i madh i luftës asnjëherë nuk do të kisha shkuar në mërgim”, ka thënë Krasniqi

Përvojën që e fitoi ndër vite në mërgim dëshironte që njëditë ta shfrytëzoj në Kosovë

E pas shumë vite punë e mund, zotëri Avdullah mori vendimin të kthehet në fshatin e tij të lindjes me të gjithë familjen.

“Kur shkova në Zvicër 10 vjet punova në bujqësi. Aty kam punuar me bio-produkte ku kemi furnizuar Cyrihun, psh produktet e qumështit, sallata të ndryshme. dita ime fillonte në ora 4 të mëngjesit, ku furnizofsha një qytet të tërë me këto produkte bio. Drejtori i kësaj firme ishte inxhinier por punonte me ne. Kështu që sa punon një punëtor e kam mësuar në Zvicër, e ky vend më ka dhënë edukatën e punës. Andaj krejt këtë përvojë unë kam dashur që ta shfrytëzoj në vendlindjen time”, ka shtuar Krasniqi.

Tash e 8 vjet Avdullah Krasniqi zotëron biznesin e tij i cili për qëllim kishte, produktet bio.

E me ndihmën e të gjithë familjarëve ai ka arritur që sot të njihet për punën e tij po thuajse në të gjitha trevat

Ëndrra e tij është realizuar me shumë punë e mund, por për asnjë moment nuk është penduar për vendimin që ka marr

E i gatshëm është të kontribuoj përherë për vendin e tij.