Hasan Prishtina, njeriu që dha gjithçka për shtetin e vet, shtet që e vrau tradhtisht. …tribun kombëtar… truri i lëvizës kombëtare… apostull i shenjtë në shkollimin kombëtar, njeriu më i ndaluar nga regjimet pushtuese, diktatoriale, njeriu ndaj të cilit kemi detyrim në vënien e figurës së tij aty ku duhet – në vendin e heronjve të historisë së ndritshme kombëtare.
Hazir MEHMETI, Vjenë
Pa dyshim njëra nga figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është Hasan Prishtina. Njëkohësisht njëra nga figurat më të anatemuara krahas Atë Gjergj Fishtes, si nga regjimi komunist në Shqipëri, po ashtu në territoret etnike shqiptare të pushtuara nga sllavët e grekët. Derisa pushtuesit ia kishin frikën idealeve të tij për liri e bashkim kombëtar, komunistet në Shqipëri nuk donin të dëgjonin për ide të bashkimit dhe lirisë për çka kishte punuar deri në vdekje Hasan Prishtina. Në Kosovë në vitet 70-ta filloi një fazë shprehje e trimëruar pas disa ndërrimeve në aparatin e shtetit pushtues, kjo u reflektua edhe në rikujtimin e figurave patriotike shqiptare edhe pse vazhdonte gjenocidi e shtypja e egër nga regjimi sllav mbi popullin shqiptar. Filloi të shkruhej më guximshëm nga disa intelektual të kohës edhe pse ata shpesh e paguanin me burgime të rënda, deri në burgun ma famëkeq i quajturi Golliotok, Një ishull ky në det, i zotëruar vetëm nga gjarpërinjtë e hijet e tyre figura njerëzish.
Ndërkaq në shtetin amë, figura e Hasan Prishtinës, ideatori, luftëtari e organizatori i kryengritjes për liri e pavarësi vazhdon akoma të trajtohet nga fryma e vjetër komuniste e antishkencore. Aq më keq, tani kur do shënojmë 100 vjetorin e pavarësisë, për çka Hasan Prishtina ishte njeriu më meritor. Akoma në tekstet, rrethet kulturore, shkencore, historike nuk u shkrua dhe dënua ashtu si duhet akti tradhtar i vrasjes së tij, i dënimit të tij me vdekje nga shteti amë i asaj kohe, për të cilin Hasani dha çdo gjë. Derisa shtetet: Bullgaria, Serbia e Turqia e dënuan me vdekje kolosin e lëvizjes kombëtare, shteti shqiptar e dënoi disa herë me vdekje dhe tradhtisht e vrau, pas shpine, ashtu qysh nuk vret shqiptari. Kjo tradhti kombëtare ishte tragjike për kombin ndërsa fitore e madhe e qarqeve armike sllavo-greke.
Historia e jonë e fillim shekullit të njëzet ndryshe do të dukej pa Hasan Prishtinën, trurin e lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës. Ai ishte largpamës me veprimet e tij. . Kryengritjen politike e ideore e filloi në parlamentin turk duke u kacafytur haptas me deputetët armiq, guximshëm tregoi hapur se: ,,Do ngjitem në Drenicë dhe do mbathë opingat” e luftës deri në lirinë dhe bashkimin e trevave shqiptare. Çka edhe do të ndodhë. Nga presioni i Hasan Prishtinës, në Parlamentin Turk, si deputet që ishte, për lirinë e përdorimit të alfabetit shqip, me 2 gusht 1911 do të detyrohet Parlamenti Turk ta njoh përdorimin e alfabetit shqip në shkollat private në Shqipëri. Nga ky hap do vije hapi tjetër, po në të njëjtin vit, i deklarimit të vet qytetarëve shqiptar, se në cilin alfabet dëshironin të mësonin. Hasan Prishtina, krahas përgatitjes për kryengritjen gjithëkombëtare për pavarësinë e Shqipërisë mori iniciativën në Stamboll, të themelohet komisioni në Klubin Qendror për mbledhjen e kontributeve të duhura për mbajtjen e Normales së Elbasanit. Ky Tempull i Diturisë ishte më i dashuri dhe i shenjtë për Hasan Prishtinën, për mirëvajtjen e tij shkriu tërë pasurinë e vet, filloi punën tek në mars të vitit 1912.
Vjena, vendqëndrimi dhe veprimi e Hasan Prishtinës
Vjena, qendër jo vetëm në kuptimin gjeografik e Europës por edhe politike e ushtarake do jetë vendi ku Hasan Prishtina do qëndroi herë pas herë me ndërprerje duke filluar nga prilli i vitit 1913, kur lirohet nga burgu i Kalemdanit në Beograd. Ai e donte jetën aktive në shërbim të çështjes kombëtare, për çka territori i Austro-Hungarisë ishte më i volitshëm se sa vendlindja e pushtuar nga ushtritë armike serbe, bullgare e malazeze. Vjena ishte në atë kohë qendër e refugjatëve politik shqiptarë të cilët kishin themeluar grupin politik në Vjenë me emrin ,,Indipendent”, me të cilët Hasan Prishtina do të takohet.
Disa nga vendarët që e njohën Hasanin, ishin të mrekulluar me virtytet e tij prej burri dhe patrioti. Ishte këmbëngulës dhe i pa thyeshëm kur është në pyetje interesi i bashkimit kombëtar. Në kontaktet me Hasan Prishtinën u shqua familja e ushtarakut të lartë Modestus Urban dhe gruaja e tij Marie Urban me të cilën kishin në pronësi ëmbëltoren në Vjenë, ku ajo punonte.
Vjena është vendi ku Hasan Prishtin përjetoj shumë kundërthënie e peripeci të vazhdueshme. Jeta e tij nuk ishte aspak e lehtë. Kundërshtarët politik të tij tani ishin kundërshtar armiq dhe me çdo kusht donin vrasjen e tij. Për këtë qëllim u dërguan në Vjenë pesë atentator njëri pas tjetrit. Falë fatit dhe trimërisë së Hasan Prishtinës dhe gruas së tij, Igballe Prishtna, Vjena nuk u bë varri i Hasanit nga pesë atentatorët e dërguar nga Ahmet Zogu dhe qarqet tradhtare të frymëzuara nga Esat Pashë Toptani. Për këtë do të shkruan gazeta shqiptare,, Ora e Shqipnisë” dhe gazeta vjeneze ,,Neue Feie Presse” në vitin 1928. Atentatorët e dërguar në Vjenë: Pjetër Kallmati, Ibahim Lika-Lisi, Kruja, Hasan Sedi, Ibrahim Tabaku, si duket edhe i gjashti Hasan Kosova. Të gjithë këta brenda,( nëntor 1927 deri në prill 1928) një viti.
Hasan Prishtina, apostull i shkollimin kombëtar
Largpamësia e Hasan Prishtinës u pa me qëndrimin e tij ,,Arsimi është shpirti i një kombi”.
Duke e ditur gjendjen e mjerueshme të popullit analfabet ai u angazhua me të gjitha forcat në themelimin e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve kudo që ndodhën. Dhe, ishte i veçantë në fushën e arsimit kombëtar.”Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund të gjendet krahasim, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve tjerë”(M. Pirraku, historian). Ai me këmbëngulësinë, oratorinë dhe pastërtinë si deputet i Prishtinës në Parlamentin Turk, bëri që të aktualizohet arsimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Me financimin e tij privat ai hap shumë shkolla, i ndihmoj shumë nga ato që ishin themeluar më parë. Duke e ditur se Vjena ishte qendër e kulturës, vend fillimi i albanologjisë, mbajti lidhje të vazhdueshme me intelektual që vepronin aty. Në përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe, Hasan Prishtina do shprehej:,,arsimi është shpirti i kombit”, andaj e ndihmoi gjithkund ku ishte nevoja. Shembuj të tillë janë pjesë e përditshmërisë së tij. Pasi vet e themeloi orkestrën frymore në Vushtrri, me mjetet e tij materiale, ai dërgoi në Vjenë për të blerë instrumentet muzikore Izet Badivukun, Latif Agë Fonden dhe Abit Novolanin.
Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private
(Për Hasan Prishtinën, veprimtarinë, vizionin e tij largpamës për shtetin dhe bashkimin kombëtar nuk guxohej të shkruhej as nën diktaturën në Shqipëri, as në trevat shqiptare të okupuara siç ishte Kosova dhe viset tjera në ish Jugosllavi. Disa nga shkrimet filluan në fillimet e viteve tetëdhjeta nga intelektual trima. Një shkrim në ,,Rilindjen” e atëhershme) “Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”.
Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit. Në Parlamentin Turk, rreth formë së alfabetit, do përgjigjet: ,, Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut… .Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko-arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. Nga ana tjetër Hasan Prishtina nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri, konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e Hasan Prishtinës njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qe nga Amerika e largët. Ndërkaq, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i qendrës kulturore shqiptare ,,Dija” në Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin ,,për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”. Hasani Prishinia në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës ,,Djalëria”. Ai kishte gjetur në Vjenë, një grup studentësh shqiptar të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale. U ndihmon atyre duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi” . Akti i tij i shkrimit të testamentit të fundit kur ishte i rrethuar nga tradhtarët e kombit të dërguar nga Zogu, Mbreti i Pulës, me të cilën tërë pasurinë e tij qe disponoi, qe nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lente shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare. Hasan Prishtina kudo që shkoi shndriti me punën e tij, qëndrimin e tij prej burri e patrioti. Edhe në Vjenë. Tani me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, veprimtaria e Hasanit na bëhet më e afërt, më frymëzuese. Nga kjo lind pyetja se: Populli që i vret njerëzit e vet ashtu siç ishte Hasan Prishtina, a do ketë prosperitet? Faktet, mjerisht janë zhgënjyese. Katrahura e përjetuar e trevave etnike shqiptare, rrethanat e hapave tanë tani, nuk na lenë të jemi të qetë.

Literatura:
Bedri Tahiri: Hasan Prishtina-Truri i Lëvizjes Kombëtare f.139.
Dr.Izber Hoti: Në udhëkryqet e historisë dhe historiografisë shqiptare, Prishtinë, 2003, f.14, f.69, f.75
,,Ora e Shqipnisë” Nr. 1 1.1. 1928; Nr.8 datë, 6 korrik 1928; 14.10. 1928, Vjenë
,,Neue Feie Presse” . 1928



















