Gazetari ynë Rexhep Rifati i shoqëruar nga kryetari i Ansamblit “Rinia” të Spreitenbachut në Zvicër, nga sot do të vizitoj disa katunde arbëreshe, ndërsa në Çifti / Civita dhe Frasnitë do të përcjell për portalin tonë, “Vallen e Fitores”, kur edhe grupet artistike defilojnë shesheve me këngë e valle të vjetra arbëreshe
Redaksia e portalit: prointegra.ch, në përpjekje për të përfshi ngjarje dhe aktivitete në treva të ndryshme shqipfolëse, brenda dhe jashtë trojeve etnike, do të jetë e pranishme edhe në manifestimin tradicional “Vallja 2019” që organizohet më 23 Prill 2019 në katundet Çifti / Civita dhe Frasnitë. Nga kjo ngjarje e madhe kulturore dhe udhëtime edhe në katunde të tjera do të raportoj, gazetari ynë Rexhep Rifati i shoqëruar me Sherif Dakajn, kryetar i Ansamblit “Rinia” nga Spreitenbachi afër Cyrihut.
Kjo është hera e dytë që portali ynë përcjellë këtë manifestim, kur në festën e pashkëve vëllezërit tonë arbëresh vërshojnë rrugëve të veshur me kostume kombëtare dhe kënduar e vallëzuar në shenjë të njërës nga fitoret më të mëdha të kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kundrejt pushtuesve osman.
Ditën e parë nëpër Kalabri, gazetari ynë Rexhep Rifati me Sherif Dakajnë, me të arritur në aeroportin Lamezi. do të vazhdojnë rrugëtimin për në katundin Shën Bendhiti ( San Benedetto Ullano ), që është një nga katundet e bukura arbëreshe, e që ka edhe një trupë të shkëlqyeshme artistike: “Kreshnikët e lirisë” , pjesëmarrëse me një program te Bifurkacioni i Ferizajt me AKV “Kastriotët”, si dhe në manifestimin tradicional EtnoFesit të fshatit Kukaj.
Sa për njoftim, Shën Benedhiti, jo vetëm që është një ndër katundet më piktoreske të Arbërisë, i zhytur në gjelbërimin e një natyre pjellore, por edhe sistemi urbanistik i tij është i rrethuar me një pyll të zbukuruar me faj, qarre dhe panja të tjera, që gjenden afër përrenjve të kulluar. Shën Benedhiti ruan me kryelartësi gjuhën amtare dhe traditat stërgjyshërore dhe shfaq kultin katolik, me ritin bizantin, ndërsa që famullia e tij drejtohet nga Dioqeza e Ungrës.
Portali ynë po ashtu synon që tash e tutje të ketë një rubrikë të veçantë që do ti kushtohet arbëreshëve të Kalabrisë, Sicilisë dhe të Zarës.
Këtu si ilustrime pos programeve kulturore, janë edhe disa foto nga vizita e Rexhep Rifati në Kalabri, gjatë marsit të sivjetmë, ku mori pjesë në paradën tradicionale në katundin Ungra, në nderim të kryetrimit tonë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeut.
Redaksia e portalit: prointegra.ch


































