Bjeshkët e Nemuna, janë njëra nga bukuritë e shumta natyrore që i ka Kosova. Peizazhet e bukura malore, me liqene dhe alpe, të bëjnë të duash të qëndrosh aty gjatë, për të konsumuar gjithë atë pamje mahnitëse që e merr ngado që hedhë sytë.
Të ashtuquajtura “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna”, gjenden në regjionet Gjakovë-Pejë, në Kosovën Perëndimore. Me një sipërfaqe prej 62,028 hekttarësh, ky park u themelua për ti mbrojtur ekosistemet, biodiversitetin, si dhe trashëgiminë kulturore dhe historikun e lashtë të tij.
Ky park, pos bukurive natyrore njihet edhe për llojllojshmërinë e tij tw bimëve dhe kafshëve të ndryshme, si shqiponja e egër, shqiponja e artë, dhia e egër, dreri, ujku hiri si dhe lloje të rallë të arinjëve dhe rrëqebujve, ndërsa janë identifikuar diku rreth 1000 specie bimore që gjenden brenda parkut.
Parku i Bjeshkëve të Nemuna vizitohet nga shumë turistë gjatë vitit, në mesin e së cilëve një numër i madh janë ndërkombëtar, të cilëtit vijnë enkas për të shuar kureshtjen e tyre për këtë vend kaq mahnitës. I rrethuar me male të larta, me një ajër të pastër, me ngjyra përplot gjallëri, me aromë jete të freskët dhe cicërrima zogjsh, të jep dëshirën që ta vizitosh patjetër dhe ta shijosh këtë mrekulli që vetëm natyra ka ditur ta krijojë. Prandaj, të vizitosh Bjeshkët e Nemuna, duhet të jetë patjetër në agjendën e kësaj vere të secilit që deri më tash nuk e ka vizituar atë.






















