Demonstratë me vetëm një njeri!

1.

Max Frisch, një Ismail Kadare i zviceranëve, ka një shënim interesant në ditarin e tij jokonvencional nga vitet 1946-1949: „Hebreu i Andorës“. Ky në komunitet kishte namin që kanë hebrenjtë: ishte i zgjuar dhe e lakmonte paranë. E kishte mejtuar madje edhe vetë dhe kishte konstatuar se vërtet e lakmonte paranë. Dhe, Hebreu i Andorës kishte edhe atë tjetrën: ai nuk ishte i lidhur për atëdheun. Edhe këtë e kishte studiuar dhe kishte konstatuar gjithashtu që vërtet nuk ishte dhe aq i lidhur për atëdheun. Hebre pra!

Kur vdiq, për mënyrën mizore sesi vdiq, e cila i lihet ta marrë me mend vetë lexuesi, ishin irrituar edhe ata që nuk e kishin dashur. Por, ç’ndodhi?! Pas vdekjes së tij doli se Hebreu i Andorës ishte një fëmijë i gjetur dhe nuk ishte fare hebre! Nuk e kishte ditur as ai. Në të vërtetë, ai ishte një nga ata që e portretonin, siç e portretonin. Ata paskëtaj kur shiheshin në pasqyrë, në fytyrën e tyre shihnin Judën.

2.

Opinionin shqiptar këtë javë e ka pikëlluar një fatkeqësi që nuk po mbaron akoma. Një autobus nga Gostivari përmbyset në segmentin Shkup-Tetovë dhe çdo ditë lajmërohet për viktima të reja. 15 të vdekur deri më tani.

Hidhërimin e ka shtuar paraqitja e një profesoreshe maqedonase në Universitetin e Shkupit dhe një analisti maqedonas. „Çfarë tragjedie, çfarë ironie. Çakërdak!“, zbuloi ajo në rrejetet sociale. Diçka të ngjashme ka broçkollitur edhe analisti.

Çakërdaku është vendi ku kryengritësit shqiptarë më 2001 e sulmuan një kolonë të policisë maqedonase, me ç’rast u vranë – nëse nuk gaboj – shtatë pjesëtarë të forcave speciale. Çfarë iu ngjet gojëve të rrëmbyera dhe mendjeve të ngushta: Lajthitja!

Dhe ç’doli?! Një e treta e viktimave të aksidentit me autobus janë të etnisë sllave të Maqedonisë. Njëri prej tyre është i bir i një deputeti. I tillë është edhe shoferi i autobusit. Por disa, dhe druaj se mjerisht të këtillë ka gjithandej, njerëzit nuk i shohin në radhë të parë si njerëz.

3.

30 intelektualë evropianë rishtazi nënshkruan një manifest me titullin „Evropa në rrezik“. Autor i saj është filozofi francez Bernard-Henri Lévy, i cili njihet për angazhimin e tij në dobi të të drejtave të shqiptarëve. Letra merr shkas nga performansa e forcave populiste, ksenofobe dhe antisemite në Evropë. Në opinionin shqiptar ajo u bë e njohur edhe për faktin se një ndër nënshkruesit e saj është Ismail Kadare.

Për ironi, pa u shuar jehona e manifestit të intelektualëve evropianë, magazina e Partisë Popullore Zvicerane „Weltwoche“ doli me një artikull të lig. Për shqiptarët, një subjekt i „privilegjuar“ i saj. Pa shkas. Ai në mënyrë tinzare dhe të pabesë mbi shembullin e një çifti të sukseshëm repistësh afirmon paragjykime dhe aluzione të mbrapshta për shqiptarët.

Shqiptarët nuk është se kanë qenë më të mbarët në Zvicër. Ata shpeshherë i kanë merituar denoncimet, masat e burgosjes, pezullimit, përzënies. Por, të nxisësh një sherr për shqiptarët për të mobilizuar zgjedhës, duke u rënë në qafë në një moment kur ata po e marrin veten dhe po integrohen, është një shërbim i keq edhe për Zvicrën.

„Ne thirrëm punëtorë, na erdhën njerëz“, e përshkruan në mënyrë gjeniale emigracionin në Zvicër Max Frisch. Dhe shumë prej këtyre njerëzve janë shqiptarë, një numër i tyre madje janë natyralizuar dhe e kanë të drejtën e votës. Nëse nuk janë në gjendje të mobilizojnë 30, 20, 10 intelektualë në Zvicër për këtë shkelje të dinjitetit, gjithsesi të marrin mundimin të dalin në zgjedhje…

4.

Opozita e Shqipërisë më në fund bëri më 16 shkurt një protestë masovike. Për ta rrëzuar Ramën. Simpatizuesit e saj thonë se kjo ishte ndër dy-tri demonstratat më të mëdha të periudhës së tranzicionit shqiptar. Mund të jetë, por një shije të këndshme nuk la. Mendoj se mësimin më të mirë ajo ia ka dhënë Ramës, dhe të gjithë atyre si ai, në seancën e fundit të parlamentit. Në mënyrë as të dhunshme, as paqësore. Dhëmb për dhëmb, sy për sy! Me vetëm një njeri!

Alamet Kryeministri sqimtar u katandis me një njollë mavi në turi. Ndër sy të 73 deputetëve të tij të „shenjtë“ që i ka vetëm për duartrokitje, të atyre gocave që gajasen me gjetjet e shefit artist ndaj opozitës. Në sy të të gjithë opinionit shqiptar. Imazhet e kanë bërë xhiron e botës. Sepse ai njërin e shpotit për emrin që ka, tjetrin për mbiemrin. I tall njerëzit për pantallonat që veshin, për frizurën që mbajnë… Sikur s’i ka parë njeri poturet e tij. Sikur e ka parë njeri frizurën e tij. Së fundmi i përqesh edhe për cenet që u ka lënë natyra. Për të ishe i padenjë nëse je thuthuq. Kryeministri të nxjerr gjuhën! Sistematikisht. Në Kuvend. Hej!

Njerëzit janë të ndryshëm në atë si janë të pajisur. Njëlloj janë vetëm në dinjitetin njerëzor. Aty nuk shkelet! As miku, as armiku.