
“Edhe njëqind jetë po t`i kisha të gjitha për një Shqipëri të bashkuar do t`i jipja”

Ky libër i kushtohet veprimtarit nga fshati Veleshtë i Strugës, Naser Hanit, të cilin e njoha për herë të parë në verën e vitit 1993 në Vjenë të Austrisë, ku ai ishte vendosur për shkak të përndjekjes politike nga Maqedonia e kohës së Kiro Gligorovit.
Unë jam njëri nga shokët e viteve të fundit të jetës së Naser Hanit. Që nga viti 1993 e deri më 2001, kur ai u vra tinëzisht nga shërbimi sekret i Maqedonisë, kemi pasur takime dhe biseda të shumta politike, të cilat, duke i pasur parasysh veprimet e zeza të pushtetmbajtësve serbë, maqedonë, malazez e të tjerë ndaj shqiptarëve gjithandej, kanë qenë pothuajse gjithnjë të zymta.
Te Naser Hani e gjeta njeriun e përkushtuar për popullin dhe atdheun e tij. Ai u mor gjatë tërë jetës së tij, si me çështjen e Kosovës, ashtu edhe me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni. Përkushtimi i tij atdhetar i ka fillet që nga koha kur kishte qenë gjimnazist dhe vazhdoi si i tillë gjatë viteve të studimeve në Prishtinë, dhe më pas edhe në vitet e mërgimit në Austri dhe deri në fund të jetës së tij.
Natyra e gjallë, korrektësia, toleranca, vendosmëria dhe gatishmëria e vazhdueshme për të vepruar në të mirë të çështjes shqiptare, kanë paraqitur tiparet kryesore të Naser Hanit, si njeri, shqiptar dhe atdhetar. Qasjet e tij shoqërore dhe mirësia ndaj të tjerëve, kanë bërë që ai gjatë gjithë jetës së tij të ishte i rrethuar nga shokë e miq të shumtë, të cilët i ka dashur më shumë se veten. Duke qenë i tillë, Naseri mbeti për shumëkënd njëri nga shokët dhe miqtë e rrallë, i cili shokëve dhe miqve të idealit kombëtar, kur kishte dy mollë, nuk u jepte vetëm mollën më të madhe, por të dy mollët, duke mos ndalur asgjë për veten e tij.
Me mendësinë politike që kishte dhe me qasjet jopretenduese për veten e tij, ai lëvizjes çlirimtare shqiptare në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të mbetura në kuadër të ish-Jugosllavisë ia ka shtuar vazhdimisht radhët me veprimtarë të rinj. Qëllimi përfundimtar i Naser Hanit ka qenë bashkimi i shkallë-shkallshëm kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm, në një Shqipëri optimale me të gjitha viset me shumicë shqiptare në Ballkan.
Portreti prej atdhetari dhe idealisti të pathyeshëm dhe sidomos fundi tragjik i jetës së tij, kanë qenë shtysat kryesore që më kanë nxitur ta shkruaj këtë libër për Naser Hanin.
Sa i përket veprimtarisë politiko-patriotike të Naser Hanit, ajo në masë të madhe mbështetet në bisedat e drejtpërdrejta që kam pasur me të dhe me një pjesë të familjarëve dhe të shokëve të tij. Jam i vetëdijshëm se lidhur me jetën dhe veprën e Naser Hanit ka mbetur diçka edhe pa u thënë. Shpresoj se nëse në të ardhmen ky libër do të ribotohet, do ta plotësoj atë edhe me të dhëna të tjera.
Sa i përket zbardhjes së vrasjes së Naser Hanit nga strukturat e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, jam mbështetur si në biografinë e tij të mbushur me përndjekje politike, ashtu edhe në informacionin e veçantë të publikuar me rastin e vrasjes së tij, duke mos i përjashtuar këtu edhe njoftimet gojore të familjarëve dhe të bashkëveprimtarëve të tij nga Veleshta dhe më gjerë.
Si veprimtaria patriotike ashtu edhe vrasja e Naser Hanit janë trajtuar në kontestin e ngjarjeve madhore të ndodhura që nga vitet e `70 e deri në fund të viteve të `90 të shekullit të kaluar në Kosovë, në Maqedoni dhe viset e tjera shqiptare…. I jam qasur në këtë mënyrë jetës dhe veprës së Naser Hanit, sepse ajo ka ecur paralelisht dhe si pjesë përbërëse e ngjarjeve të tilla madhore, kur shqiptarët në Kosovë e vise të tjera, për realizimin e të drejtave të tyre legjitime, bën luftë politike të shoqëruar me demonstrata masive dhe me forma të tjera të qëndresës aktive, ndërkohë që në kapërcyellin e shekujve të njëzetë/njëzetenjë, bënë edhe tri luftëra çlirimtare të suksesshme.
Do të jam i lumtur nëse ia kam arritur që nëpërmjet të këtij libri, t`ua kam sjellë sa më të plotë figurën e Naser Hanit gjeneratave të tanishme dhe atyre që do të vijnë.
Zürich, janar, 2013 Autori
Të dhëna për autorin

Xhevat Hasani lindi më 14 shkurt të vitit 1953 në fshatin Buzes të rrethit të Opojës në Kosovë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, në vitin 1968, kurse Shkollën e mesme të mjekësisë, në Prizren, në vitin 1972. Në vitin 1979 e ka kryer Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë. Studimet pasdiplomike i ka mbaruar më 1984 në Zagreb, kurse në vitin 1989 ka doktoruar. Për vite të tëra ka punuar si asistent e docent në Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë. Për shkak të përndjekjeve nga regjimi serb në vitin 1992 është larguar nga Kosova. Aktualisht jeton në Zvicër. Ky është libri i tij i parë me karakter publicistikë.



















