24 vjet nga akti heroik i mësuesit Maliq Luzha, që grushti i tij ndaj policit serb u bë lajm ditor në Euronews   

Pikërisht sot më 24 Mars 2023, mësuesi veteran, Maliq Luzha mbushi 77 vite, por që ditëlindja e tij ndërlidhet edhe me një ngjarje të jashtëzakonshme që mori dheun duke u bërë lajm dite në mediat botërore:  Kur ky mësues derisa goditej me një breshëri kërbaçësh nga policia serbe më 24 Mars 1989 ( plot 34 vjet më parë), ky ia kthen grusht një polici serb që ia shau nënën shqiptare! Po këtë mësues e shpërbleva për këtë akt me librin tim kushtuar arbëreshëve, sepse të tjerëve u përket të ndejnë medalje heroizmi e vetëflijimi për çështje të kombit e atdheut!

Nga Rexhep Rifati

Në ditëlindjen e 77-të, sot në Ferizaj, jo paqëllim ftova në një ndejë kafeje mikun dhe mësuesin veteran, që tash me tërë brezin tim kah mot kemi shkelur në ditët e pleqërisë, por që ruajmë respektin dhe kujtimet e mira për secilin brezi ynë e sidomos ne që kemi shkelur për pesë vite bankat shkollore në normalen e Ferizajt.

Fakti që desha të takoj por edhe të nderoj këtë mësues është një akt sa historik aq edhe heroik, pasi ky mësues në ditë më të vështira për Kosovën kur popullata shqiptare përballej me jetë e vdekje, kreu një akt tejet të paparë dhe të guximshëm sa brenda ditës u bë lajmë i ditës ne mediat botërore dhe në kanalin më prestigjioz të lajmeve televizive Euronews, i cili në spicë dha xhirimin kur një tog policësh serb godasin në kokë e trup këtë mësues dhe ky pa një pa dy ia kthen njërit me grusht!

Sesi ndodhi ky rast tash me shumë modesti na rrëfen Maliqi:

-Të gjithë flasin për një lloj trimërie timen sesi grushtova një polic serb e nuk e shohin se me çfarë u përballa unë kur nga të rënat e kërbaçëve pata tre brinjë të thyer. Ndoshta edhe nuk do të kisha reaguar kështu po të mos ishte një polic mustakoçok që ma sheu nënën shqiptare. Po të mos reagonte komandanti Adem Dylahu, as që do të isha në këtë jetë ndonëse atij i kam shumë borxh, sepse kur në serbishte bërtit “ Lidhëne”, u ndalën të rënat. Duke mos e njohur në atë situatë ia ktheva me një fjalë të rëndë, por  gjatë tri dite arrest nuk u keqtrajtova më fizikisht, falë edhe një inspektori shqiptar, ndërsa që ma vonë Adem Dylahu më thirri në një ndej kafe duke më përqafuar dhe tha as që duhej ti kërkoja falje!…

Ndaj edhe heronjtë duhet kërkuar te njerëzit e zakonshëm, që bëjnë vepra të mëdha në ditët më të vështira për kombi e atdheun e tyre.

(Me këtë rast përzgjodha një foto nga xhirimi i një ekipi francez, që kapi këtë akt të heroik të mësuesit Maliq, me nga një foto nga ditët e para të mësuesisë e familjare dhe një foto shkrepur sot në 77 vjetorin e lindjes së këtij mësuesi që u bë pjesë e historisë më të re të Kosovës