20 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

Sot bëhen 20 vjetë që nga vrasja e atdhetarit dhe profesorit Fehmi Agani. Ai u vra nga forcat kriminele serbe në Lipjan, teksa po tentonin të lëshonin vendin bashkë me familjen e tij. U nxorr nga treni që kishin hipur dhe u mor nga kriminelët serb, ndërkaq tek të nesërmen u gjet trupi i pajetë i tij buzë një rruge.

Fehmi Agani në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja. Në vitet ’60 nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik, ku luajti një rol të dorës së parë për zgjerimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe dhe për zhvillimet e mëvona të përgjithshme shoqërore.

Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.

Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.

Pas vitit 1981, për shkak të mospajtimeve me vlerësimin dhe me qëndrimet e politikës ndaj demonstratave dhe ndaj çështjes shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, ishte në trysni të përhershme politike, ndërsa më 1984 iu mor e drejta të jepte mësim.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Ndërsa, për nder të figurës dhe veprës së tij, është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit Filologjik të Prishtinës.

 

 

 

.