Sot më 1 Gushti, datë që ndërlidhet me gurthemelin e shtetit Helvetik, gjegjësisht kur 733 vjet më parë: Uri, Schwyz dhe Unterwalden iu bashkuan një aleancë bashkëjetese. Në vitet e më vonshme iu bashkohen edhe Berna, Cyrihu, Glarusi, Soloturni, Friburgu, Lucerna, Zugu, e në rrjedhë të kohës edhe qytetet e tjera duke e krijuar kështu një federatë të përbashkët qytetesh me rrethinat e tyre.
Ndaj edhe me këtë rast përmes fotove artistike të fotoreporterit tonë Afrim Nevzadit, një urim nga Redaksia e Prointegrës, për mirëqenien e popullit dhe shtetit helvetik!
Por të urosh, Zvicrën dhe popullin e saj e mos të përmendësh edhe kontributin e saj të madh për zhvillimin dhe avancimin e statutit të Kosovës, mendoj se do të ishte një mangësi e pafalshme edhe atë që nga etapa e para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por nuk duhet harruar edhe segmentin tjetër: kontributin e madh të komunitetit tonë në këtë vend përmes pjesëmarrjes aktive në të gjitha degët zhvillimore të ekonomisë dhe shoqërisë së këtij vendi duke u bërë pjesë integruese e zhvillimore. Sidomos kur mijra të ri arritën në kushte tejet të volitshme të shkallohen dhe të inkuadrohen në vende me rëndësi në shumë fusha e sidomos në mjekësi, gastronomi e financa.
Aktualisht me mijëra nxënës e studentë shqiptarë, përbëjnë pjesën më të ndritshme jo vetëm të komunitetit tonë por edhe të vet shtetit helvetik, sepse paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm si për zhvillimin e vendit ashtu edhe forcimin e bashkëpunimit midis popujve dhe shteteve tona në rajon.
Ndaj edhe kjo festë sot, është edhe festë për mbarë komunitetin tonë, aq më parë që me mijëra shqiptarë kanë edhe pasaporta me shtetësi të dyfishta dhe sot jo vetëm sportistët dhe këngëtarët tanë që përbëjnë një pjesë të elitës kulmore të këtij shteti mik, por edhe shumë shkencëtar të ri shqiptarë që thuaja se kanë ngel nën “hije” karshi disiplinave të shkathtësisë!