Shqipja, pjesë e një projekti kërkimor trevjeçar në Zvicër

Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi, udhëheqës i Katedrës së gjuhës gjermane në Shkollën e lartë Pedagogjike në Schwyz, që është njëri nga autorët e këtij projekti me profesor eminent nga Universiteti i Cyrihut dhe Universiteti Ludwig-Maksimilian në Mynih, potencon se në Zvicër jetojnë tre breza të familjeve shqiptare, por se shumë pak dihet për praktikat e tyre gjuhësore.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Gjatë një vizite ditë më parë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Schwyzit, ku Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi udhëheq katedrën e gjuhës gjermane dhe ligjëron këtë gjuhë, temë bisede ishte edhe pozita e gjuhës shqipe në shtetin helvetik, nisur nga fakti se ajo aktualisht ka një shtrirje të gjerë dhe hynë në radhën e katër gjuhëve më të përdorura në Zvicër.
Krahas kësaj biseda u përqendrua edhe në temën rreth interesimit të studentëve shqiptarë për të ndjekur këtë institucion të lartë në Shwyz, si dhe në shkollat tjera që përgatisin mësues për shkollën zvicerane.

Një projekt i financuar nga Fondacioni Kombëtar Zviceran i Shkencës

Nga kjo bisedë mësojmë për një projekt tejet të rëndësishëm që ka për objekt gjuhën shqipe, për çka edhe janë bërë të gjitha parapërgatitjet prej një ekipi studimor eminent nga dy universitete dhe Shkolla e Lartë Pedagogjike në Schwyz.
Lidhur me këtë projekt, profesor Naxhi Selimi, mbështetur në përmbajtjen e kapitujve kryesor të tij, shpjegon se:

Gjuha shqipe në kontakt, diversiteti gjuhësor dhe shumëgjuhësia janë tipare qendrore të peizazhit gjuhësor në Zvicër. Këtu përfshihen katër gjuhë zyrtare dhe shumë gjuhë të emigrantëve që jetojnë dhe veprojnë në këtë vend. Njëra nga gjuhët më të përhapura të emigrantëve është gjuha shqipe. Megjithëse këtu në ndërkohë jetojnë tre breza të familjeve shqiptare, shumë pak dihet për praktikat e tyre gjuhësore.

Kush janë hartuesit e këtij projekti trevjeçar?

Nga biseda mësojmë se, për të kuptuar më hollësisht se si familjes shqiptare në diaspore i interpretojnë dhe praktikojnë biografitë e tyre gjuhësore, Prof. Dr. Barbara Sonnenhauser dhe Prof. Dr. Paul Widmer nga Universiteti i Cyrihut, Prof. Dr. Claudia Riehl nga Universiteti Ludwig-Maksimilian në Mynih dhe Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi nga Universiteti Edukativ në Schyz, tashmë kanë lansuar një projekt kërkimor trevjeçar (2019-2022) të financuar nga Fondacioni Kombëtar Zviceran i Shkencës.

Krahas njohurive shkencore edhe zhvillim i materialeve didaktike

Ky projekt duhet të hedhë dritë mbi ndikimin e gjuhëve mbi identitetin, integrimin dhe pjesëmarrjen e barabartë në shoqëri. Për këtë kombinohen qasje strukturore dhe sociolinguistike që mundësojnë një analizë gjithëpërfshirëse të rëndësisë gjuhësore, socio-kulturore dhe socio-politike për origjinën e vetë gjuhës shqipe. Përpos njohurive shkencore, projekti premton edhe zhvillimin e materialeve didaktike për mësimin në gjuhën shqipe në diasporë. Njëkohësisht, projekti synon t’ua prezantojë vendeve mikpritëse në didasporë vlerat e gjuhës shqipe dhe begatinë e saj.

Gjuha shqipe, më tepër se një gjuhë komunikimi

Përndryshe, profesor Naxhi Selimi është i preokupuar edhe me çështjen e mësimit plotësues shqip në Zvicër, përçka edhe nga kryesia e LAPSH-it “Naim Frashëri” në Zvicër është zgjedhur anëtar nderi.
Në këtë kuadër gjuhëtari dhe pedagogu, Naxhi Selimi, me prejardhje nga Tetova, i cili për 30 vite jeton në Zvicër e që ka mbrojtur dy doktorata shkencore, ndan mendimin, se me gjithë begatinë që ka gjuha shqipe në aspektin semantik, por edhe të frazeologjisë, familjet shqiptare vetëm në mënyrë të kufizuar shfrytëzojnë begatinë e gjuhës që e kanë sjellë nga vendi i tyre i origjinës. “Gjuha është pjesë e identitetit. Gjithashtu është më tepër se mjet komunikimi dhe edukata ndikon në zhvillimin e gjuhës amtare, pastaj ndikojnë kushtet dhe rrethanat ku rriten fëmijët”, pat nënvizuar edhe gjatë një seminari Naxhiu, i cili shton gjithashtu se interaksioni në jetën e përditshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve është një nga faktorët që ndikon edhe në ruajtjen e shqipes te brezi i dytë. Porse, gjuha dominuese e shtyp zhvillimin e gjuhës që është mësuar më dobët, konstaton Naxhiu dhe i inkurajon të rinjtë dhe prindërit shqiptarë të përkujdesen për gjuhën shqipe dhe t’a përdorin atë në mënyrë aktive.

Studentet shqiptare, mësuese të ardhshme në shkollën zvicerane

Përndryshe, viteve të fundit është shtuar numri i studentëve shqiptarë në shkollat pedagogjike në Zvicër, si edhe në vet institutin e lartë ku punon profesor Naxhiu. Në Schwyz, fjala vjen, ka aktualisht ka 4-5 studentë, kryesisht femra që përgatiten për mësuese në shkollat zvicerane.
Gjatë vizitës takova dy nga këto studente, të cilat shprehën kënaqësinë që ndjekin këtë shkollim të lartë dhe se kanë edhe njërin nga ligjëruesit një profesor shqiptar. Eranda Rrudhani është nga to, që ndjek semestrin e katërt, ndërsa shoqe shqiptare po në këtë shkollë ka edhe Xhemile Ademin, Rinore Zejnullahun dhe një studente me emrin Arbnore, mbiemrin e së cilës nuk arrita ta mësoj, ndërsa që Sovrane Ademi, Filloreta Domgjoni dhe Arbnor Shej janë diplomuar një vit më parë me studentë të tjerë. Profesori shqiptar ndihet tepër i lumtur të bashkëpunojë me studentë shqiptarë, të ciëlt me kontributin dhe angazhimit e tyrë e nderojnë popullin shqiptar dhe shoqërinë zvicrane. Ndërkohë edhe nga shkollat e larta pedagogjike në St. Gallen dhe Cyrih kanë dalë viteve të fundit edhe disa mësuese për shkollën zvicerane.

Disa rreshta për profesor Naxhiun

Prof. Dr.Dr. Naxhi Selimi ka migruar në Zvicër në vitin 1989 dhe ka dy doktorata shkence, një të mbrojtur në Institutin Pedagogjik të Universitetit Carl von Ossietzky në Oldenburg dhe tjetrën në Institutin e Letërsisë Maqedonase të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Po ashtu shquhet për një numër të madh të punimeve shkencore, të shumtën nga lëmi i shkencave didaktike-pedagogjike dhe lëmi i gjuhës gjermane.