Në fund të vitit 1996, si bashkëpunëtor i revistës “Teuta” të Prishtinës, kisha shkuar në Tiranë për të takuar e për të intervistuar regjisoren e filmit, Xhanfise Keko. Takimin ma kishte aranzhuar korrespondentja e “Teutës” nga Tirana, gazetarja e njohur Kozeta Mamaqi (e ëma e Sokol Olldashit, tashmë të ndjerë, i cili vdiq aksidentalisht, ose u vra, kohë më parë). Po takoja, pra, regjisoren e njohur Xhanfise Keko dhe gazetaren, po ashtu të njohur, Kozeta Mamaqi, familja e së cilës dhe ajo vetë kishin përjetuar tmerret e komunizmit. Vendtakimi ishte caktuar në një lokal përballë ndërtesës së TVSH-së. Tek po prisja dy zonjat me shokun tim Agim Nesimin, tregtar, i cili kishte sponsorizuar udhëtimin tim në Shqipëri, po shfletoja kujtesën… Po i kujtoja Mimozë Llasticën, Benin, Tomkën, Taulantin e personazhe të tjera të filmave të regjisores shqiptare, të cilët shumëkush prej nesh kishte pasur rastin t’i shihte në kinematë e Kosovës në vitet ’70 e ’80. Ishin vite kur Shqipëria, kështjella e pamposhtur e komunizmit, siç e quanin ata që po mbanin të robëruar e të izoluar një popull të tërë, për të gjithë shqiptarët që jetonin jashtë atij gjysmështeti, perceptohej nga secili në një mijë pamje nga më të ndryshmet. Ishin filmat, jo vetëm të regjisores Keko, por edhe të krijuesve të tjerë shqiptarë, të cilët po shfaqeshin në ato pak kinema të Kosovës, që sadopak krijonin imazhin e një Shqipërie, që dukej sheshit se ishte krejt ndryshe nga ajo çfarë trumbetonte propaganda e kohës, e cila e paraqitte Shqipërinë si një vend të lulëzuar në të gjitha fushat e jetës.
Në gjysmështetin shqiptar, të cfilitur nga sundimi turk pesëqindvjeçar, mbërthyer nga të katër anët prej shtetesh që prisnin ta zhbënin sa më parë, ndonëse në luftë edhe për bukën e gojës, nuk kishte mbetur pa jehonë lindja e filmit në Francë, në vitet e fundit të shekullit XIX. Ishte fotografia e Pjetër Marubit (italian i shqiptarizuar), të parit fotograf në trojet shqiptare, që i paraprinte fotografisë shqiptare, ishin filmat dokumentarë të vëllezërve Manaqi të Manastirit, që i paraprinë filmit shqiptar. Bashkë me xhirime kronikash, të bëra nga kineastë të huaj, këto vepra i paraprinë kinematografisë shqiptare, e cila do të zërë fill në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore.
Takimi me zonjën Keko ishte shumë i përzemërt. Teksa po i kërkonim falje për kohën që po i merrnim, ajo e tha disa herë se ne (unë si gazetar dhe revista “Teuta”, për të cilën po e bëja portretin e regjisores), po i bënim nder asaj duke e intervistuar e duke i mundësuar që të komunikonte me lexuesin. Ishte koha kur në ethet e kinse ndërtimit të demokracisë (demokraci që jo në 96-tën, po as sot, pas më shumë se dy dekadave nuk i vjen erë demokraci), shumë figura të shquara të artit, të kulturës e të fushave të tjera të krijimtarisë, sikur ishin lënë në harresë, ndonëse në kushte shumë modeste e me frikën që të mos ngjallnin zemërimin e mërinë e partisë, kishin krijuar vepra të rëndësishme edhe në ato kohë të pakohë dhe, disa prej tyre, janë vlera të njëmendta kombëtare e na bëjnë që të krenohemi edhe sot me to.
Kontakti i parë me filmin
Teksa kishte filluar rrëfimin, Xhanfise Keko na kishte kthyer në vitin e largët 1947, kur si vajzë 18-vjeçare, krahas mësimeve, e shtrënguar nga shkaqe ekonomike, ishte detyruar të punonte arkëtare në kinema “Republika”. Pasi shitte biletat, shkonte me vrap në sallë dhe shikonte me kureshtje ç’po ndodhte në ekran. Magjia e filmit e kishte tërhequr aq shumë, sa kridhej me tërë qenien në atë botë, për të krejt të panjohur. Ky kishte qenë kontakti i saj i parë me filmin.
Dy vjet më vonë kishte qenë fati që i kishte ndihmuar të shkonte (bashkë me pesë veta të tjera) në një kurs kinematografie në ish-Bashkimin Sovjetik . Asnjë fantazist i shkëlqyer nuk mund të shkonte aq larg e të imagjinonte një gjë të tillë. Ja, edhe ju sot, portretin tim po e realizoni, sepse fati ma dha atë mundësi të mrekullueshme për t’u njohur nga afër me atë që quhet kinematografi – kishte vazhduar rrëfimin zonja Keko.
Pas kursit dyvjeçar, në mars 1952, të gjashtë kineastët e ardhshëm ishin kthyer në Atdhe, të gatshëm për t’iu përveshur punës në kinematografi, ngase po atë vit (në korrik), ishte themeluar Kinostudioja “Shqipëria e Re”, institucioni i parë shqiptar për prodhimin e filmave.
Rruga drejt filmit
Në atë kohë në Kinostudio punonte një ekip i vogël, gjithsej 30 veta. Xhanfise Keko, edhe pse e specializuar për ndihmësregjisore, në fillim merrej me montazh filmi, me formulim muzike, madje edhe me montimin e negativit. Ishte koha kur realizoheshin vetëm filma dokumentarë (filma të parë artistikë shqiptarë janë filmi i metrazhit të shkurtër Fëmijët e saj, i regjisorit Hysen Hakani dhe ai i metrazhit të plotë Tana, i regjisorit Kristaq Dhamo, që të dy prodhuar më 1957 (pa e llogaritur filmin Skënderbeu, të regjisorit Sergej Jutkeviç, xhiruar më 1953, bashkëprodhim shqiptaro-sovjetik). Edhe regjisorja e re Xh. Keko në fillim do të xhirojë filma dokumentarë (të asaj kohe janë, pos të tjerëve, filmat Tingujt dhe fëmijët dhe A.B.C.ZH).
Para se t’i hyja xhirimit të filmave artistikë, m’u desh ta njihja jetën, ta shikoja atë ndryshe nga ç’e kisha parë deri atëherë, ta vëzhgoja jetën e fëmijëve, ta rilexoja (me laps në dorë) letërsinë për fëmijë.
Lulja e parë
Ishin fëmijët, ishte bota e tyre e pasur dhe e larmishme psikologjike, që e shtynë regjisoren Keko të bënte përgatitje për të xhiruar filmin e parë artistik për fëmijë. Ishte ky filmi Kryengritje në pallat, xhiruar më 1972 sipas romanit të Bedri Dedes. Ishte kjo prova e parë, ishin vështirësitë artistike e teknike, të cilat kjo regjisore i kaloi me sukses, ose siç thoshte vetë: Pavarësisht nga mangësitë, për mua ai film ishte lulja e parë, që më pas do të më sillte pranverën.
Puna këmbëngulëse e kësaj regjisoreje do të vazhdonte edhe më me vrull. Vështirësitë në të cilat kishte hasur gjatë xhirimit të filmit të parë, ajo do t’i tejkalonte në filmat e tjerë, që të gjithë filma për fëmijë. Fondit të kinematografisë shqiptare do t’i shtoheshin vepra të reja të Xhanfise Kekos, të cilat do të trajtonin subjekte nga jeta e fëmijëve dhe do të shërbenin për edukimin e brezit të ri shqiptar. Këta janë filmat Mimozë llastica (1973), Qyteti më i ri në botë (1974), Beni ecën vetë (1975), Tingujt e luftës (1976), Tomka dhe shokët e tij (1977), Pas gjurmëve (1978), Partizani i vogël Velo (1980), Kur po xhirohej një film (1981), Një vonesë e vogël (1982) dhe Taulanti kërkon një motër (1984). Për realizimin me sukses të këtyre filmave, disa prej të cilëve kanë marrë pjesë dhe janë shpërblyer në festivale kombëtare e ndërkombëtare të filmit, regjisores Xhanfise Keko , më 24 nëntor 1984 i është dhënë titulli Artiste e Popullit.
Në botën e fëmijëve
Filmi duhet të zgjojë te fëmijët interesa të pastra, të forcojë dashurinë për jetën, të nxisë fantazinë. Nga vetë natyra e tyre, fëmijët parapëlqejnë subjekte tërheqëse me aksione… Ata janë të ndjeshëm, nuk e durojnë falsitetin.
Puna me fëmijë për regjisoren Keko ka qenë e rëndë, e mundimshme. Gjatë karrierës së saj filmike ajo është ballafaquar me një varg problemesh. Para xhirimit të çdo filmi kanë filluar shqetësimet, emocionet për filmin e ardhshëm, po kulmi i vështirësive ka qenë: cili do të jetë aktori që do ta realizojë rolin. Ndryshe nga aktorët e rritur, të cilët i njeh dhe për të cilët regjisori krijon përfytyrimin e vet, fëmijët duhet të kërkohen, duke shkuar nga klasa në klasë, nga shkolla në shkollë… Për Benin e filmit Beni ecën vetë, regjisorja Keko ka qenë e detyruar t’i shohë rreth 4 mijë fëmijë të moshës 6-7 vjeçe dhe po aq fëmijë për personazhet e moshës 9-10 vjeçare. Pasi janë parë fëmijët, janë bërë provat për të mësuar aftësitë që kanë ata dhe në fund është bërë përzgjedhja. Pasi caktoheshin aktorët e vegjël, ata njiheshin me ngjarjet e skenarit dhe përgatiteshin për të bërë punën e lodhshme të xhirimit, që kërkon mobilizimin e të gjithëve.
Në punën e vështirë me fëmijët zonjën Keko e kanë ndihmuar aktorët e njohur, si Kadri Roshi, Pandi Raidhi, Violeta Dede, Dhorka Orgocka, Agim Shuke, Roza Anagnosti, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Reshat Arbana, Antoneta Papapavli, Ndrek Luca, Yllka Mujo, Vangjel Heba, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti e të tjerë, të cilët kanë pranuar bashkëpunimin me regjisoren dhe me talentin e tyre kanë përballuar sinqeritetin, prapësitë dhe tekat e fëmijëve. Pas çdo xhirimi, në kulmin e lodhjes, regjisorja Keko, aty në sheshin e xhirimit, betohej: – Ky është filmi i fundit, me fëmijë nuk do të xhiroj më! Mirëpo: Si fëmija i lindur mes dhembjesh të forta që është krijesa më e bukur, edhe filmi po ashtu lind përmes vështirësish të shumta, ajo harronte betimin dhe pas një viti prapë gjendej me fëmijët në sheshin e xhirimit, me filmin, me dashurinë që s’të braktis kurrë.
Jeta jashtë filmit
Njëri nga pesë shokët me të cilët Xhanfise Keko kishte shkuar në specializim, ishte Endri Keko, regjisor i të parit film dokumentar shqiptar të pasluftës, i cili u bë shok jete e pune i Xhanfises. Si njohës i mirë i botës së saj shpirtërore, i kërkesave dhe i dëshirave të saj, ai ka qenë frymëzuesi, shtytësi kryesor që ajo të xhironte filma për fëmijë.
Pasi kishte përfunduar xhirimin e filmit Taulanti kërkon një motër, i shoqi, Endri, ishte sëmurë. Xhanfisja ishte larguar nga Kinostudioja vetëm që t’i qëndronte atij afër në çdo çast. Edhe në ato ditë të mbushura me ankth, ai e nxitte të shoqen, Xhanfisen, që të merrej me film. Vdekja e tij (më 8 prill 1989), kishte qenë një ngjarje e trishtë në jetën e Xhanfise Kekos, një thyerje shpirtërore, pas së cilës nuk kishte mundur të vazhdonte punë të re.
Gjashtë vjet pas këtij takimi, pas kësaj bisede nga e cila u bë portreti i Xhanfise Kekos, në jetën e kineastes sonë erdhi edhe një trishtim i thellë: në gusht 2002 , në moshën 44-vjeçare asaj i vdiq i biri, Teodori, publicist e shkrimtar, kurse regjisorja që bëri emër në kinematografinë shqiptare, u nga nga jeta më 22 dhjetor 2007. Me vdekjen e saj kinematografia shqiptare mbeti pa të parën regjisore, e cila ndonëse në kushte tepër të vështira e në rrethana aspak të favorshme, arriti të krijonte filma për fëmijë që e nderojnë artin kinematografik shqiptar.
Hajro HAJRA