Verërat shqiptare jo vetëm në ekspozita, por edhe në tryezat tona!

Ekspozita e verërave shqiptare në Wülfingen të Winterthurit, nxori në pah se produktet e tilla nuk janë të rëndësishme si për palën zvicerane, ashtu edhe atë shqiptare, aq më parë kemi një komunitet të fuqishëm në mërgatë, që posedon një numër gjithnjë e më të madh restorantesh e hotelesh, ku edhe me shumë mund të konsumohet vera kosovare, por, edhe ti dhurohet miqve në raste festash

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pa kaluar as dy javë nga një ekspozim në Bernë, kur Oda Ekonomike Zviceran për Evropën Qendrore, promovoi 16 lloje të verërave të bodrumeve të Kosovës për degustim, sërish një eveniment tjetër, por kësaj radhe në Wülfingen të Winterthurit, ku u ekspozuan verërat e prodhuara në Kosovë Shqipëri.

Me moton: “Punë dhe Verë”, dje më 2 Shkurt 2019, në lokalitetin Wülfingen të Winterthurit në Zvicër, u ekspozuan llojet e verërave që prodhohen nga vreshtat e Kosovës dhe Shqipërisë, që tash disa nga to  kanë gjete treg të mirë për shkak të cilësisë edhe në shtetin helvetik.

Në një ceremoni, ku u ekspozuan këto prodhime nga importuesit shqiptarë dhe të disa firmave zvicerane, morën pjesë bashkatdhetarë nga kantone të ndryshme por edhe zviceranë e të tjerë, në mesin e tyre edhe mjaft afaristë të suksesshëm shqiptarë në Zvicër, por edhe disa nga ata që tashmë janë kthye në Kosovë ku zhvillojnë një biznes të suksesshëm , për kundër kushteve ekzistuese.
Me këtë rast ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni si dhe udhëheqësi i konsullatës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu. Përshëndetje pati edhe nga pala zvicerane, këshilli kantonal dhe nacional, e që në fjalën e  tyre vlerësuan bashkëpunimit në rritje dhe sjelljen e produkteve kosovare në tregun konkurrent zviceran. Ndërsa nga pala shqiptare, në emër të organizatorit përshëndeti juristi, Orhan Spahiu.

Përfaqësuesit që merren me importimin e verërave nga Kosova, siç  është “Kosova Wine Schweiz GmbH”, Kujtim Krasniqi, por edhe të tjerët përmenden e rëndësishme është rritja e vazhdueshme e cilësisë së produkteve për depërtimin  në një treg kaq konkurrent siç është Zvicra e ku plasohen prodhime të kësaj natyre nga anë të ndryshme të kontinentit e më gjerë. Po aty ishte edhe Rexhep Gashi, me prodhimet e tija të sjella nga Kosova, ku edhe ky nga Zvicra pasi është diplomuar në Lozanë ka shkuar në Prizren ku edhe ka themeluar një nga firmat mjaft fitimprurëse,  “Albatros Wine”, e ku edhe vera është një nga produktet kryesore. Me produktet e saj dje shquhej edhe “Theranda Wine” e përfaqësuar në këtë ekspozitë nga Nevi Osmani dhe ekipi i tij. Gjithashtu ishte i pranishëm edhe eksperti vreshtarisë e veruarave, Rexhep Kryeziu që menaxhon  dhjetëra hektarë hardhish si dhe prodhon këtu në Zvicër, verën e tij me shije “Merlot”, përmes së cilës ka marr edhe emrin Baca Merlot në fb! Si zakonisht në këso raste nuk mungonte as Qamil Isufi, kryetar i Shoqatës së Afaristëve Shqiptarë në Zvicër, si dhe Rexhep Berisha importues i birrës së Pejës dhe dhjetëra produkteve të tjera nga Kosova në shtetin helvetik.

Me sa u pa dje, organizohet e tilla nuk janë të rëndësishme vetëm për palën zvicerane por edhe për vet atë shqiptare, aq më parë që tash kemi një komunitet të fuqishëm, që posedon në pronësi të tij me dhjetëra restorante e hotele, ku me shumë sukses mund të plasohet vera kosovare. Dhe jo vetëm kaq edhe në familjet tona, por edhe kur i dhurojmë miqve pije, pse mos të jenë ato me origjinë nga Kosova e Shqipëria, sepse kështu afirmojmë produktet dhe njëherësh  i kontribuojmë zbutjes së papunësisë dhe zhvillimit më të hovshëm të trojeve tona.