Gjenevë: Befasia për 50 vite në skenë të Ikonës së madhe Shkurte Fejza

Me datën 10 shkurt 2024, Shoqata “Komuniteti Shqiptar” dhe “Ansambli Gëzuar” në Gjenevë me rastin e jubileut të 50 – me këngën dhe skenën artistike të solistes shumë të çmuar, organizuan një befasi madhështore për artisten e vlerave të mëdha shqiptare – Shkurte Fejza.

Valltaret nga “Ansambli Gëzuar”, me spikatje nga veshjet kombëtare, pastaj prindër dhe anëtarë kryesie të shoqatës “Komunitetit Shqiptar” të mbledhur në sallën « Villa Tachinni » në Gjenevë me një prezencë madhështore dhe nën përcjellën e këngës « Mora fjalë » si dhe  duartrokitje të shumta, pritën artisten dhe bilbilin e këngës shqipe, të adhuruarën Shkurte Fejza. Kjo prezencë dhe kjo pritje aq e ngrohtë sikur emocionoj solisten e cila në shenj  falënderimi i përshëndeti ngrohtësisht mbi njëqind  të pranishëm të cilët ndodheshin aty.

Për një çast, fjalët u dukën të tepërta…

SHKURTE FEJZA
Mjeshtre e madhe
Mirë se erdhe në konakun tonë
50 të vite në skenë
Ikona Jonë

Mikpritja, respekti dhe adhurimi për ikonën e këngës shqipe nuk qëndronte vetëm në këta rreshta por, gjithandej nga të pranishmit të cilët kishin ardhur për ta uruar e takuar solisten.

Fjalën hyrëse e mori Kryetari i “Ansamblit Gëzuar” Fadil Avdija i cili duke përshëndetur me fjalë mirënjohje Shkurten dhe vajzën e sajë Gresën, shpalosi para tyre dhe të pranishmëve disa pika nga aktiviteti i këtij Ansambli dhe ne veçanti i falënderoj prindërit për angazhimin e tyre. Duke e falënderuar solisten e cila bashkë me të bijën e saj i kishin nderuar me prezencën e tyre,  ai në emër të “Ansamblit Gëzuar” e ftoi Safije Bekiri me djalin e saj Argjendin që në mënyrë simbolike t’i ofrohet një bukë shtëpie e gatuar nga kjo nënë. Kjo bukë përçonte mesazhin e motës shqiptare “Bukë, kripë e zemër”.

Në vazhdim, kryetari Avdija fton në skenë artisten e mirënjohur Afërdita Krasniqi e cila i njofton të pranishmit me programin e kësaj befasie. Ajo duke dhënë një përmbledhje të aktiviteteve iu drejtua Shkurte Fejzes me fjalët: “Jeni ju Zana e bukur, që me zërin e bilbilit, me tingujt e këngëve tuaja për pesëdhjetë vite pa ndalur na dhurove, shumë dashuri, e ngrohtësi dhe në ditët më të acarta. Na hoqe mërzinë duke na i gëzuar zemrat me optimizëm, e duke na i kujtuar bëmat e historisë sonë të lavdishme…”

Më pas, programi artistik filloi me dy valle nga valltaret e mrekullueshëm të “Ansamblit Gëzuar”. Në vazhdim “Grupi Hareja” interpretoi dy këngë: “O Bacë Ademi” dhe këngën “Mora fjalë”, te shoqëruar nga violinistja dhe kitaristi Rina dhe Bashkim Krasniqi. Kënga “Dardania ime” e cila ishte premierë për nderë të solistes, kënduar nga  Ejona Bytyqi dhe Elion Krasniqi dhe e punuar enkas për 50 vjetorin e kontributit të Ikonës sonë Shkurte Fejza. Programi artistik përmbyllet më këngën e kënduar nga Babë e birë “Mos Harro” të interpretuar nga Shpejtim dhe Elion Krasniqi.

Në vazhdim të programit, Zonja Afërdita Krasniqi fton në skenë Kryetarin e “Komunitetit Shqiptar” të Gjenevës, Zotëri Nasuf Nuhiun bashkë me solisten e madhe Shkurte Fejza. Kryetari Nuhiu, pasi përshëndeti dhe falënderoj bilbilin e këngës shqipe, gjithashtu, falënderoj edhe organizatorët Afërdita Krasniqin, Fadil Avdija dhe përfaqësuesit e Shoqatës “Iliria” nga Saint Julien e në veçanti Lule dhe Shaip Deda për bashkëpunimin dhe koordinimin e këtij programi simbolik, por me zemër të madhe për nderë të këngës jubilare për artisten dhe mbretëreshën e këngës shqipe, Zonja Shkurte Fejzen.

Me këtë rast, kryetari Nasuf Nuhiu tha se kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të “Komunitetit Shqiptar” të Gjenevës me rastin e 50 vjetorit të kontributit të dhënë në artin Shqiptar t’i ndajmë  mirënjohjen tonë Zonjës Shkurte Fejza për mbjelljen, kultivimin dhe përcjelljen e brez pas brezi të atdhedashurisë.

Gjithashtu e madhja Shkurte Fejza u nderua edhe me librin e Zotëri Ali Mehmetit, “Në kërkim të idesë”. Asaj poashtu iu dhurua edhe një kambanë me simbole të qytetit të Gjenevës dhe shtetit Helvetik si dhe një buqetë lulesh. Në përfundim të kësaj pritje madhështore, me duartrokitjet e shumta në skenë u soll edhe një torte befasie e përgatitur nga Afërdita Krasniqi enkas për pesë dekada me këngën dhe artin e mirëfilltë të mbretëreshës sonë.

 

Mërgata shqiptare në Gjenevë të Zvicrës përcolli solisten me emocion, respekt dhe adhurim. Kënga dhe arti i saj do mbeten të pa harruar jo vetëm tek mërgata por ngado e kudo që ndodhen Shqiptarët./Albswiss.com/