Pushime të këndshme pranverore!
Të dashur nxënës,
tashmë keni filluar pushimet pranverore, së bashku me prindërit tuaj një pjesë e madhe prej jush jeni, sigurisht rrugës për në Atdhe, për në vendlindje apo në ndonjë nga vendbanimet shqiptare, ku do të shijoni “diellin e Atdheut”. Duke iu gëzuar ditës së re, pushimeve dhe qëndrimit tuaj në mesin e familjes, thënë shkurt, në shtëpitë e prindërve tuaj, ju do të përjetoni kënaqësi.
A ka gëzim më të madh se të qëndrosh në shtëpinë e prindërve, aq më shumë kur je në Atdhe? A ka më bukur se kur zgjohesh në mëngjes, dëgjon “cicërimën” e fëmijëve shqiptarë që qeshin, luajnë, gëzohen, qajnë apo zhurmojnë e flasin gjatë gjithë ditës në gjuhën shqipe.
Me këtë fotografi të mrekullueshme të nxënësve të klasës sime në shkollën shqipe në Rüti, ju uroj të kaloni sa më mirë, të flisni shqip me familjen dhe bashkëmoshatarët tuaj!
Ashtu siç e kam shprehur në çdo rast, jam krenar për prindërit tuaj, të cilët vazhdimisht mundohen dhe angazhohen që ju ta mësoni dhe ta ruani gjuhën amtare, gjuhën e prindërve tuaj, sepse vetëm në këtë mënyrë atyre do t’ua bëni zemrat mal nga gëzimi.
Nuk ka gëzim më të madh për prindërit shqiptarë, se sa kur i dëgjojnë fëmijët duke folur dhe komunikuar në gjuhën shqipe. Nuk ka gëzim më të madh për familjen shqiptare kur edhe çdo skutë e shtëpisë mbushet me të folurit shqip. Gëzimi, hareja dhe buzëqeshjet e fëmijëve janë pasuri familjare që nuk mund të krahasohet me asgjë. Prandaj thirrja t`i kushtojmë më shumë kohë, më shumë kujdes dhe më shumë jetë gjuhës amtare është thirrje e shekullit, është thirrje që buron nga shpirti i përvëluar i mërgimtarit që tretet me sytë nga atdheu. Të bëjmë atë që duhet, të bëjmë atë që mundemi dhe jemi të bindur se ne si mërgimtarë mundemi të bëjmë më shumë për gjuhën shqipe, më shumë për kulturën kombëtare dhe duke punuar në këtë drejtim ne ruajmë identitetin tonë kombëtar.
Dhe një fjalë e urtë popullore thotë se “«Fjala e ëmbël dhe vepra e mirë janë dritë në errësirë», prandja të bëhemi bashkë në shërbim të gjuhës shqipe, në shërbim të fëmijëve shqiptarë dhe të përhapim dritën e dijes në gjuhën shqipe gjithë andej ku ka shqiptarë.
Të dashur nxënës, një mirënjohje e veçantë për prindërit tuaj, për kujdesin e tyre ndaj jush dhe ndaj gjuhës shqipe.
Së bashku me prindërit tuaj jemi krenarë për juve, për faktin që gjatë gjithë vitit jeni përpjekur të jeni vetvetja dhe të jepni më të mirën e mundshme.
Ju uroj shëndet, pushime të mrekullueshme dhe kalofshi sa më bukur!
Vaxhid Sejdiu