Tetë vjet rrite e afirmimi të Ansamblit “Trojet” nga Winterthuri

Në kuadër të prezantimeve të grupeve, shoqërive dhe ansambleve artistike, portali ynë prointegra kësaj radhe ju ofron Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Trojet” nga Winterthuri në Zvicër, që ndonëse akoma nuk e ka mbushë dekadën e parë megjithatë ka përjetuar një rritë prej 60 anëtarësh dhe një cilësi solide sa të prezantojë kulturën shqiptare në disa manifestime e festivale, madje edhe tej Atlantikut.

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati   

Shkaku i pandemisë, edhe ky ansambël i ka ndërprerë prezantimet publike por edhe ka pushuar me aktivitete si edhe shumica e grupeve artistike në mërgatë. Ndaj edhe me këtë rast po jap një shkrim timin nga 26 Nëntori i vitit 2018, mbajtur në kuadër t Ditës së Flamurit Kombëtar. Kur ky grup artistik nga Winterthuri, me mbi 60 anëtarë, bëri edhe hapat e parë të formësimit e të konsolidimit, ku krahas grupit të të rriturve në skenë nxori edhe një grup fëmijësh shumë të talentuar, me të cilët është punuar me përkushtim të veçantë

Salla e madhe e Hotelit “Töss” në Winterthur, atë mbrëmje u tregua e vogël për ti plotësuar nevojat e mërgimtarëve të shumtë që përcollën programin festiv të Ansamblit “Trojet”. Ansambli defiloi në skenë me një program të përgatitur veçmas për Ditën e flamurit, në koreografi të Arsim Berishës, meqë rast impresionoi grupi i më të vegjëlve, përmes një loje të bukur që u prit me shumë përzemërsi.
Me këtë rast, pos anëtareve të këtij ansambli që udhëhiqet nga Zeqa Gashi merrnin pjesë edhe aktorë të Teatrit “Aktrimi” nga Cyrihu, si dhe aktori i mirënjohur nga Kosova, Ismet Krasniqi në moderim të aktores Fitore Vata, e cila pas disa vitesh doli sërish me sukses në skenë. Pjesë e programit ishin edhe motrat Fetahu, Mentor Mushkolaj, Rrezarta Beqiri dhe Flutur Bytyqi.

Në tubim përshëndeti , zonja Shukrije Ramadani Këshilltare për Kulturë në Konsullatën e Kosovës, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve përshëndeti, Agim Pajazit, vëllai i heroit Zahir Pajaziti. Me këtë rast me mikun tim të veçantë, aktorin dhe shkrimtarin Ismet Krasniqi- Lala, këmbyem librat tona të posabotuara

Ansambli i “Trojet” , tashmë kur ka hy në vitin e 5 të ekzistencës, nga ajo që pamë mbrëmë në Winterthur, shihet se ka bërë hapa avancues si në rrit ashtu edhe në cilësi. Vet fakti se sot numëron në dy grupet mbi 60 anëtarë flet mjaft për hapat që ka bërë. Edhe atë në saje të vazhdueshme të Ansamblit që udhëhiqet nga Zeqa Gashi dhe udhëheqësi artistik, koreografi Arsim Berisha, që punën prej valltari e koreografi e ka filluar te ansambli i Valleve “Vatra” dhe e ka zgjeruar me sukses edhe te grupet tjera artistike.

“Trojet” aktualisht kanë anëtarë thuaja se nga të gjitha trojet etnike, dhe bëjnë një mozaik në veti si për nga përkatësia gjeografike ashtu edhe ajo etnike. Sa për ilustrim,  drejtuesit e “Trojeve” përmendin artisten,  Martela Ujko këngëtare dhe moderuese me prejardhje nga Shkodra.

Por ajo që pamë mbrëmë në koncertin festiv kushtuar Ditës së Flamurit ishte grupi i fëmijëve që fascinoi me lojën e bukur me mjaft shije e elegancë për moshën fëmijërore ore, një përzgjedhje kjo me masë e shije nga dora e koreografit Berisha. Po ashtu mësuam se për suksesin e këtij ansambli merita i përket punës në ekip që bëhet nga kryesia e cila gëzon edhe mbështetjen e anëtarëve por edhe të prindërve.

 “Trojet” shkëlqyen edhe në Festivalin e  Detroitit

Ky ansambël nga Winterthuri, më 15-16 qershor, bashkë me disa ansamble shqiptare që veprojnë në Amerikë mori pjesë edhe në një festival në qytetin e Detroitit, mbajtur në sheshin kryesor në zemër të qytetit të Detroitit, Hart Plaza, për dy net rresht (të shtunën dhe të dielën 15-16 qershor) ishte «pushtuar» nga ritmet e vallëzimit dhe muzikës popullore shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Shqipëria dhe diaspora e interpretuar nga disa nga yjet e këngëve dhe artistëve më të famshëm shqiptarë, dhe ansambleve e grupeve artistike. Festivali mbush sheshin e Detroit për të treguar se shqiptarët janë te pasur në traditë, kulturë dhe histori, një rasti i mire ky për të ofruar këngë, valle, kulturë, art dhe traditë shqiptare.

Pas kthimit nga kjo turne tejet e suksesshme, Zeqa Gashi na deklaroi se bashkë me trupën e tij artistike, janë ndarë tejet të kënaqur nga pjesëmarrja në Festivalin Shqiptar 2019 në Detroit, ku jo vetëm që “Trojet” u mirëpritën nga publiku , por edhe që ky manifestim kulturor ishte një rast i mirë që anëtaret e ansamblit të njihen edhe me artistë të ansambleve të tjera nga trojet etnike dhe mërgata ku jetojnë e veprojnë me shumë përkushtim në kultivimin dhe përhapjen e thesarit tonë popullor.

Në 8 vjetorin e themelimit  edhe “Trojet” nën heshtjen globale!

Ansambli “Trojet” këto ditë në kuadër të 8 vjetorit të themelimit doli edhe me një publikim ku iu drejtohet anëtarëve të vet: “Të dashur ju mbi 60 anëtarë të rregullt ndër vite, të dashur prindër, miq të shumtë, përkrahës të vazhdueshëm ju mbështetës të të gjitha formave për mirëmbajtjen e këtij tempulli arti e kulture këtu në mërgatë siç është Ansambli ynë ,,TROJET“, ju këngëtarë e këngëtare vullnetarë duke ju uruar e përshëndet në kuadër të këtij përvjetori, shprehim keqardhje që edhe ne si shumë grupe jemi në heshtje shkaku i pandemisë, por na mban shpresa që sa më shpejtë t’i kthehemi normalitetit e aktiviteteve tona të rregullta si përherë…

,,Të punojmë që të na vlerësojë e ardhmja,”!

( Disa nga fotot realizuar në Detroid janë nga vet ansambli “Trojet)