Të rinjtë e Biel-Biennes bëjnë me shtëpi një familje prishtinase

Shoqata “Rinia Humanitare në Zvicër”, përmes një koncerti, me mbështetjen e familjeve, grupeve artistike dhe të donatorëve, arriti të grumbullojë 11 mijë franga për ngritjen e shtëpisë së familjes skamnore të Ilir Jonuzit në Prishtinë.

Rexhep Rifati, Cyrih

Jemi mësuar zakonisht, që të rinjtë tanë në mërgatë, ti shohim sesi organizojnë mbrëmje kulturo- argëtuese, por rrallëherë apo fare manifestime solidariteti për të ndihmuar skamnorët në vendlindje. Ideja dhe gatishmëria për organizimin e një mbrëmje të tillë me premisa sa humanitare aq edhe kulturore , lindi dhe u konkretizua shoqata “Rinia Humanitare në Zvicër” , me seli në Biel-Bienne. Po kjo shoqatë që drejtohet nga një grup i të rinjve, që pikësynim të aktivitetit kanë bamirësinë, e që drejtohet nga djaloshi i zellshëm, Isuf Gashi, me 9 maj 2014, arriti të organizojë një koncert solid humanitar, me moton: “SË BASHKU NDËRTOJMË”, me qëllim që nga mjetet e grumbulluara ti ndërtojnë shtëpinë familjes së Ilir Jonuzit në Prishtinë. Në këtë aksion Isufi e pati edhe ndihmën anëtarëve të kryesisë së shoqatës, Shqipron Kryeziut dhe Emire Osmanit por edhe të një ekipi prej disa individësh e kolektivash që shprehën gatishmëri për të kontribuar, qoftë me angazhime organizative, apo me donacione humanitare.

Në apelin drejtuar mërgimtarëve nga shoqata “Rinia Humanitare në Zvicër” , thuhet se : Familja e Ilir Jonuzit jetojnë në kushte të rënda banimi dhe se ka nevojë për solidaritetin tonë , ngase edhe katër fëmijët e kësaj familje kanë të drejtë të kenë një strehë të ngrohtë, ku mund të mësojnë e rriten në kushte sado minimale. Më tej thuhet se: “Kjo familje jeton jo larg Parlamentit të Kosovës, por sikur është harruar nga të gjithë… Ndaj edhe qëllimi ynë është që të kultivojmë e rrisim ndjenjën e solidaritetit tek të rinjtë shqiptarë në Zvicër”.

Nga ajo që pam gjatë kësaj mbrëmjeje vërtetë mbetëm mëse të impresionuar jo vetëm me organizimin e mirë, por edhe me gatishmërinë e shumë aktivistëve , në kuadër të vet shoqatës e më gjerë të këtij qyteti, madje jo vetëm nga radhët e shqiptarëve por edhe të huajve, gjë që kjo u dëshmua edhe me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të këtij qyteti, siç ishin Muhamed Hamdaui (PSR), zyrtar komunal nga Biel/Bienne, Cedric Nemitz, drejtor për Kulturë dhe Sport në Biel/Bienne apo edhe miq të moshuar zviceran. Merrnin pjesë po ashtu edhe bashkë drejtuesit e shoqatës humanitare “Parandalo” nga Cyrihu, Valdete Hoti dhe , Xhemal Selimi.

Edhe vet rrjedha e programit ishte më se organizuar mirë. Fillimi i tij ishte mjaft emocionues, ngase kryetari i shoqatës, Isuf Gashi nuk mundi ta përfundojë fjalën e rastit nga emocionet që kishte kur deshi të flasë për familjen skamnore për të cilën organizohej ky koncert humanitar, të cilin me shumë sukses e moderoi veprimtari, Ali Sylejmanit bashkë me drejtuesen e programit artistik Majlinda Dibrën.

Edhe disa nga grupet artistike me disa nga këngëtarët e njohur në Zvicër, kishin shpreh gatishmërinë që falas të marrin pjesë në këtë aksion humanitar. Krahas Shkollës Shqitare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër dhe Ansamblit kulturo-artistik “Mërgimi” nga Neushateli, që dhanë një program më se mbresëlënës, pjesë e programit ishin edhe vëllezërit Sami dhe Avni Alimusaj nga Biel/Bienne, pastaj Pandora, Lumturije Selmani, Hevzi Kumanova, si dhe vetë Shoqëria kulturore “Besa” nga Biel/Bienne, anëtaret e së cilës kryesisht u angazhuan si pjesë ndihmëse e tërë mbrëmjes, ku shumë familje kishin sjellë ushqime të shumta nga kuzhina jonë tradicionale..

Nga mjetet e grumbulluara nga hyrja që kushtonte 30 franga, përfshi këtu edhe menynë e ushqimeve dhe donacionet e firmave të ndryshme, kryesisht me pronarë shqiptarë në krye me “Fetaxid AG” Albüron, siç kumtoi Isuf Gashi, kryetar i Shoqatës, “Rinia Humanitare në Zvicër, janë grumbulluar 11 mijë franga dhe se aksioni do të vazhdojë, derisa të mblidhet shuma e nevojshme për përfundimin e shtëpisë për të cilën u organizua ky eveniment sa humanitar aq edhe kulturor e solidar. Sidomos meritojnë notë të lartë organizatorët, të cilët ose kanë lindur apo kanë ardhur të vegjël në Zvicër, e megjithatë në shpirtin e tyre të njomë ndiejnë dhembje për vuajtjen e nevojtarëve në vendlindje