Studentët shqiptarë të Universitetit të Cyrihut, me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, të organizuar në kuadër të shoqatës “Studenti” , çdo pranverë tubohen rreth një sofre, në shenjë bujarie e motivimi për suksese të reja në fushat e ndryshme të shkencës e kulturës .- Edhe “Sofra 2014” përbënte njëherësh: simbol tradite e rrite akademike
Rexhep Rifati
Rrallë përjetohet një atmosferë rinore përplot frymë mobilizuese si ajo që ofron “Sofra studentore” e studentëve shqiptarë të Universitetit të Cyrihut, ku pa kurrfarë inferioriteti takohen, bisedojnë e këmbejnë përvoja si studentët e posa regjistruar ashtu edhe ata që kaherë kanë diplomuar apo edhe doktoruar më parë. Ata sjellin apo edhe përgatisin vet ushqime e pije rreth një sofre, që i përngjanë sofrës tradicionale shqiptare, apo edhe vet bëjnë grill, duke e zgjedh zakonisht një vend të përshtatshëm që u ofron kushte optimale argëtimi.
Një atmosferë të tillë të ngrohtë e përjetuam edhe më 4 maj 2014, në Grünau të Cyrihut, që rrallë përjetohet në mërgatë. Me këtë rast me dhjetëra studente e studentë shqiptarë, që studiojnë në Universitetin e Cyrihut dhe në ETH, jo vetëm që na ofruan një përjetim të këndshëm, në “SOFRA 2014”, por edhe një dëshmi më tepër për rritës tonë akademike e intelektuale në mërgatën shqiptare në Zvicër.
Ishin tubuar aty, në hyrje të objektit, studentë të viteve të para, por edhe të diplomuar e të doktoruar. Madje, në mesin e tyre edhe kolegë nga qendrat tjera universitare, në mesin e të cilëve edhe kolegë zvicerane. Të gjithë kishin ardhur për të kremtuar e festuar rreth një sofre shqiptare, traditë kjo e hershme e trashëguar që nga periudha ilire e deri në ditët tona. Duke u tubuar rreth kësaj sofre të mbushur me ushqime tradicionale, ata jo vetëm ndërlidhen me të kaluarën, por në biseda kolegjiale i kthehen përditshmërisë dhe aktualitetit, punës së provimeve apo preokupimeve të tjera rinore.
Merita për këtë organizim të mirë i përket Kryesisë së shoqatës “Studenti”, në krye me Vjosa Ismailin, që përkujdesen jo vetëm për ushqime por edhe për krijimin e një ambienti sa më të ngrohtë miqësor –studentorë. Ajo që bie në sy nga viti në vit, është rritja e vazhdueshme e numrit të femrave shqiptare në studime, në raport me meshkujt, gjë që paraqet edhe një fakt më tepër për transformimin gjithnjë e më të madh të shoqërisë shqiptare në mërgatë, Nga viti në vit po shtohet numri i studentëve shqiptare, nga të cilat mjaft prej tyre kanë diplomuar, magjistruar e disa nga to edhe doktoruar. “Sofra studentore “ paraqet edhe një vend bashkimi e uniteti, pasi studentët janë me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, dhe para se të jenë të ndarë sipas grupimeve partiake e krahinore ata janë të bashkuar përmes degëzimeve shkencore, duke na bërë që të jemi krenarë me arritjet e tyre. Njëherësh ata përbëjnë imazhin tonë më të mirë në shtetin helvetik, shtet ky që u ofron kushte optimale të gjithë atyre që me përkushtim i përvishen përvetësimit të diturive të reja.
Të shpresojmë se edhe këta studentë e tashëm , si edhe ata të mëparshmit që kanë vepruar në kuadër të kësaj shoqate, do të jenë po ashtu të suksesshëm. Deri më tash nga ky universitet janë rekrutuar me dhjetëra të diplomuar, madje edhe doktorët e parë të shkencave, në mesin e të cilëve edhe femra shqiptare. Kënaqësia edhe më e madhe është se pikërisht këta studentë përbëjnë edhe imazhin tonë më të ndritshëm dhe rritën dhe perspektiven tonë më të madhe në mërgatë.
(Për pasurimin e kësaj galerie, pos fotove që kam bërë vetë, të tjerat na i dërgoi Vjosa Ismaili, ndaj edhe e falënderojmë me këtë rast)