Mbi njëzet vjet më parë, populli i Kosovës gjatë një masakre serbe, humbi profesorin dhe atdhetarin e shquar, profesor Fehmi Aganin, si dhe njërin nga ideologët dhe strategët kryesor që ka udhëhequr Kosovën drejt pavarësisë, ndaj edhe me këtë rast dua ta kujtoj me pietet që nga njohja ime e parë me te gjatë një vizite në Stamboll në fillim të qershorit 1991, kur Shoqata Vëllazëria Turko-Shqiptare i kishte organizuar bisedimet e këtij delegacioni në Ankara.
Shkruan Qamil Bytyqi, Stamboll
Sot jam i mërzitur shumë, tepër shumë!
Natyrisht ju do të pyesni përse?
Mbi njëzet vjet më parë, sot, populli i Kosovës humbi një bir të madh, shumë të madh dhe të vlefshëm ose më mirë te themi u masakrua nga pushtuesit serb, profesori dhe atdhetari i njohur, profesor Fehmi Agani, ideolog dhe strateg, një nga njerëzit më të rëndësishëm që ka udhëhequr Kosovën drejt pavarësisë.
Emrin e Prof. Dr. Fehmi Aganit e kisha dëgjuar shumë por nuk kam pasur mundësi ta kontaktoj drejtpërdrejt.
Në vitin 1991 kur u bëra sekretar i përgjithshëm i shoqatës vëllazëria Turko-Shqiptare me ish-kryeprokurorin e Kosovës Rezak Shala i cili ishte i larguar nga detyra për shkak se kishte kërkuar që edhe shqiptarët e Kosovës duhet t’i kenë të drejtën e Republikës sikurse kombet tjera që i kishin. Ai në atë kohë jetonte në Turqi dhe bisedova me të dhe i tregova se do të ishte shumë e dobishme që të bëhen disa takime në Stamboll dhe në Ankara. Delegacioni i përbërë nga Prof. Fehmi Agani dhe Profesor Dr. Rexhep Boja ka qenë i pari që ka ardhur në Turqi për internacionalizimin e çështjes së Kosovës.
Prof. Dr. Fehmi Agani ka qenë nënkryetar i partisë më të madhe në Kosovë LDK-Lidhja Demokratike e Kosovës që udhëhiqte Prof. Dr. Ibrahim Rugova. Delegacioni erdhi në Stamboll në fillim të qershorit 1991 dhe pata nderin të takohem me Fehmi Aganin për herë të parë në një hotel në Laleli. Shoqata Vëllazëri Turko-Shqiptare i kishte organizuar bisedimet e këtij delegacioni në Ankara.
Unë si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Vëllazëri Turko-Shqiptare kam shoqëruar këtë delegacion dhe kam pasur nderin të përkthej në takime për këta njerëz të vlefshëm.
Në fillim të prillit 1999, pas bombardimeve ajrore të NATO-së ndaj Serbisë, forcat okupuese serbe filluan një operacion pastrimi në Kosovë duke kryer gjenocid kundër shqiptarëve dhe dëbonte disa prej tyre jashtë Kosovës.
Për të bërë intervista me shqiptarët që kishin ikur nga Kosova në Stamboll-Eyup-Alibeykoy gazetarët dhe kameramanët e kanalit televiziv “Star Tv” ose “TGRT” shëtisnim shtëpitë dhe bënim përpjekje që të marrim informata lidhje me situatën në Kosovë.
Me cingëroi telefoni im dhe filluan të vijnë lajme të hidhura. Thuhej se në Kosovë janë masakruar një numër i intelektualëve shqiptar nga forcat okupuese serbe.
Disa prej tyre ishin, Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Veton Surroi, Fehmi Agani, Baton Haxhiu etj.
Natyrisht më erdhi keq për të gjithë ata, por kur dëgjova emrin e Fehmi Aganit u trondita pamasë, pasi që e kisha njohur nga afër. Meqenëse isha në atë moment në rrugë, këmbët nuk më punonin, ndaj edhe u ula në trotuar.
Me besoni nuk mjaftojnë fjalët me ju treguar se sa jam mërzitur e pikëlluar!
Më u duk sikur më u këputën dy këmbët! Gazetari dhe kameramani më pyeten se “që ndodhi, mos ka ndonjë lajm të keq”?
“Po, keq dhe një lajm shumë i keq , personi më i rëndësishëm në rrugën e pavarësisë se Kosovës dhe disa udhëheqës kryesorë shqiptarë janë masakruar nga pushtuesit serbë » i thashë.
Ps: Autori i këtij shkrimi, Qamil Bytyqi, Kamil Bitiş ish-U.D. Drejtor në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll, ndërsa dy dekada më parë ishte sekretar i përgjithshëm Shoqatës Vëllazëria Turko-Shqiptare, me seli në Stamboll