Doktor Eckhart Mayer “Ai ka qenë një kirurg i mrekullueshëm dhe ka qenë në gjendje të operojë në rastet më komplekse të operimeve; ndërsa doktor Servert Bolukbas, po nga spitali në Gjermani ku ka punuar Prof dr, Safeti Beqiri, tha se “Ai ka qenë një urë në mes njerëzve, vendeve dhe feve dhe ka “infektuar” të tjerët me mirësinë e tij”.
Sot, 22 Shkurt 2020, në Koshare të Ferizajt, në vendlindjen e tij u varros me nderime dhe prani të madhe të qytetarëve Prof. Dr.Safet Beqiri, një nga figurat e shquara të mjekësisë kosovare në shtetet perëndimore, në një nga spitalet prestigjioze të Gjermanisë.
Me këtë rast në Ferizaj e Prishtinë janë mbajte tubime e homazhe. Sipas Ferizaj Press, në një akademi të organizuar në Kuvendin e Ferizajt, nën drejtimin e Agim Aliut, kryetar, ndër të pranishmit e shumtë, pati edhe koleg nga Gjermania, siç ishin doktorët eminent Eckhart Mayer dhe Servert Bolukbas, që vdekjen e doktor Safetit e konsideruan humbje të madhe si për spitalin e tyre ashtu edhe mjekësinë kosovare. Ndaj edhe me këtë rast veçova fjalët e këtyre dy mjekëve gjerman, për të pa se si e sa vlerësohen ekspertët tanë jashtë Kosove.
Operonte rastet më komplekse
“Ai ka qenë një kirurg i mrekullueshëm dhe ka qenë në gjendje të operojë në rastet më komplekse të operimeve, shumë me kujdes me pacientin dhe me standardet më të larta që kanë qenë të mundshme dhe vetëm pak kirurg kanë mundur të bëjnë të njëjtën punë. Ndjeshmëria dhe përkujdesja për të gjithë pacientët individualisht ka qenë e jashtëzakonshme dhe prandaj është bërë shumë i famshëm, ka fituar shumë respekt nga pacientë tanë dhe të gjithë ne në spitalin tonë dhe tek spitalet e tjera”, tha Eckhart Mayer.
Njerëzit vdesin atëherë kur ata harrohen
“Ai ka qenë një urë në mes njerëzve, vendeve dhe feve. Ai ka ndihmuar të tjerët duke mos pyetur se nga janë. Ai ka “infektuar” të tjerët me mirësinë e tij. Ai ka qenë një humanist i vërtetë, ne e pyesnim se kur mendon se vdesin njerëzit, kur ata të vrahen, ndërsa ai thoshte jo jo, njerëzit vdesin atëherë kur ata harrohen. Ne nuk do ta harrojmë kurrë profesor Safet Beqirin”, tha Servert Bolukbas.
Shkrimi i parë në “Rilindje” 55 vjet më parë
Ndaj edhe me këtë rast për të mos e harruar doktor Safet Beqirin po e jap edhe një nga shkrimet e mija të para për te, këtu e 55 vjet më parë derisa ai ishte fillorist dhe ishte ndër lexuesit më të rregullte të Bibliotekës së qytetit të Ferizajt ku edhe punoja në fillimet e karrierës sime, kur edhe pata shkruar për te një shkrim në “Rilindje”.
Pak biografi për një epokë në mjekësi
Lindi më 22 Maj 1955 në Koshare-Ferizaj. Shkollën fillore dhe gjimnazin e përfundoi në Koshare dhe Ferizaj. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1978. Punësohet në SHSH në Ferizaj. Ne gusht 1987 fitoi bursën e Akademisë Gjermane për shkëmbim reciprok (DAAD) për qëndrim një vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Më 1988-89 qëndroi në Heidelberg në Gjermani në subspecializim.
Kthehet në Prishtinë më 1989 dhe më 1990 përjashtohet me dhunë nga puna . Gjatë periudhës 1990-92 angazhohet në themelimin e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” . Në Ferizaj hapi poliklinikën “Thorax-Medicus”. Në Qershor 1999 kthehet në Klinikën e Kirurgjisë. Ishte udhëheqës i parë i Qendrës Emergjente në QKUK. Nga korriku 2001 deri në dhjetor 2002 ishte Drejtor Ekzekutiv i QKUK. Nga shkurti 2003 emërohet mjek i lartë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Klinikën Dr. Horst – Schmidt në Wiesbaden të Gjermanisë. Në dhjetor 1997 mbron disertacionin e doktoraturës. Së fundmi ka punuar dhe jetuar në Gjermani.