Shtatoret e Hasan Prishtinës e Adem Jasharit në Mushtisht, shembull se  edhe në katundet tona të kemi figura të mëdha

Mushtishti

i komunës Suharekës nga sot nuk do të njihet vetëm si nënqiellit i ikona të këngës shqipe e fshat liridashës ku breza të tërë  u sakrifikuan për liri, por edhe si mikpritës i dy statujave madhështore që nga sot do ti shtojnë sheshit të këtushëm famën që kahmot e ka merituar.- Përurimi i shtatoreve të Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, në prani të qindra qytetarëve dhe personaliteteve të jetës politike e institucionale dhe të kulturës sonë kombëtare, ku pos fjalëve përshëndetëse pati edhe disa pika muzikore që manifestimit i dhanë karakter gjithë popullor. – I tërë ky manifestim madhështor u organizua në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit tonë Kombëtar.  

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pas nderimit të të gjithë atyre që u flijuan për liri e pavarësi, përmes Himnit Kombëtar, fjalë përshëndetëse e mirëseardhje mysafirëve iu dëshiruan Reshat Selimi kryetar i fshatit, Bali Muharremaj kryetar i komunës së Therandës e gjenerali Sadik Halitjaha të cilët përmendën edhe sakrificat e brezave të shumtë të kësaj ane në luftë për liri e pavarësi, madje këtu e një shekull më parë. Më pastaj pasuan edhe fjalët përshëndetëse të pasardhësve të dy kolosëve, shtatoret e të cilave u përuruan sot, Bekim Jasharit në emër të familjes Jashari dhe të Mehmet Prishtinës në emër të familjes së Hasan Prishtinës.  Po ashtu përshëndeti edhe kryetari AAK-së , Ramush Haradinaj e Hysen Durmishi.

Fjalim i fuqishëm i ish-presidenti 93 vjeçar, Alfred Moisiu

Nga Shqipëria kishin udhëtuar Presidenti Alfred Moisiu, i cili ndonëse në moshën 93 vjeçare gjeti fuqi të vijë në Kosovë dhe të përcjellë mesazhe shumë domethënëse përmes një fjalimi shumë të fuqishëm, pastaj gazetari Marin Mema, fjala e të cilit, si edhe ajo e historianes Elena Kocaqi, u përcollën me duartrokitje të shumta. Merrte pjesë dhe përshëndeti edhe  skulptori Sadik Spahia që me aq dashuri e përkushtim profesional kishte gdhend dy statujat e heronjve tanë, që u përuruan sot. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj ushtarët e të cilit ishin përkujdes që të sillnin dy shtatoret nga Shqipëria.

Me përmbylljen e fjalimeve, ku me asnjë fjalë nuk u përmendën mërgimtarët (!), vazhdoi programi me pika shumë mbresëlënëse muzikore, ku nuk munguan as dy ikonat e muzikës sonë muzikore Remzije Osmani e Shkurte Fejza e ku me pika artistike u prezantua edhe grupi polifonik nga Vlora, rapsodi ferizajas, Nazmi Hajdari si dhe nxënësit e këtushëm me një tufë vallesh.

I tërë ky organizim, siç morëm vesh u bë bashkëfinancim të komunës së Suharekës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.  Ndërsa me këtë rast shkëputa disa fragmente nga fjala e Bekim Jasharit , mbajtur në Mushtisht:

Bekim Jashari: Madhështore të shohësh pranë njeri-tjetrit, dy figura të ndritura kombëtare

Para të pranishmëve në emër të mixhës Rifat dhe familjes Jashari u paraqita me këtë fjalim: Skam si të filloj ndryshe këtë fjalim pos me fjalën “Madhështore”. Madhështore të shohësh të skalitur pranë njeri- tjetrit dy heronj, dy personalitete dhe figura të ndritura kombëtare që padyshim përfaqësojnë dy periudha të ndryshme të historisë sonë, dy momente kritike për kombin por që falë luftës së tyre arritëm që të jetësojmë ëndrrrat tona shekullore për Liri e Pavarësi.

Nga heroi kombëtar Hasan Prishtina e deri te Komandanti Legjendar Adem Jashari është pothuajse një shekull me shumë vuajtje, luftëra e sakrificë, me shumë dëshmorë e heronj që nuk u ndalën asnjëherë në rrugën tonë për Liri e Pavarësi duke u shëndrruar në themel të dy shteteve tona shqiptare dhe një kombi të unifikuar.

Është kjo histori heronjësh, histori e lavdishme e popullit tonë autokton që me shekuj mbrojti tokat tona ilire e dardane.

Vendosja e shtatoreve të dy heronjve tonë kombëtar, Hasan Prishtina e Adem Jashari sot në këtë ditë feste kombëtare, këtu në Mushtishtin e artit e kulturës është dëshmi e përkushtimit institucional e qytetar për të kujtuar, nderuar e respekuar të kaluarën tonë të lavdishme që gjeneratet e reja të rriten e edukohen nën frymen e atdhedashurisë e patriotizmit të cilin sot duhet ta shprehim me punë e angazhim maksimal për zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë.

Kur jemi tek mirëqenia skam si të mos përmendi hoxhën e nderuar Halil Kastrati i cili me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” po bënë pikërisht atë që me të drejtë e quajmë patriotizëm i ditëve të sotme.

 Fatkeqësisht shumë sfida po mbesin pothuajse të njëjta

Sot 23 vite pas çlirimit, fatkeqësisht shumë sfida po mbesin pothuajse të njëjta, ashtu siç mbetet nevoja imediate që përtej dallimeve çfarëdo qofshin ato, Për të mirën e vendit, në jetësim të amanetit të të parëve tonë, të bëhemi bashkë sepse luftën e fituar falë gjakut të derdhur dikur nuk guxojmë ta humbim sot në tavolinë.

Në fund më lejoni që në emër të familjes Jashari dhe në emrin tim personal t’iu uroj festën e 28 Nëntorit, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së.Lavdi heronjve Hasan Prishtina, Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të Lirisë!