Mision i njohjes së vlerave të së kaluares, të s’tashmes dhe bartja e tyre brezave të ri, mision që kalon kufijtë e kohës dhe ata administrativ të shteteve. Nisja nga Elbasani i bukur, në drejtim të Greqisë, në drejtim të lashtësisë, aty ku t’bëhet sikur Zeusi ende ka zë dhe frymë. Ishte FESTA E MADHE E 15-VJETORIT TË SHKOLLËS SHQIPE “NAIM FRASHËRI“ DHE SHOQATËS “EMIGRANTI“, PATRA, GREQI! Ishte organizimi i shkëlqyer i akademikut, poetit, përkthyesit, shkrimtarit Iliaz Bobaj dhe kryetares së shoqatës “Emigranti” Kristiana Veliu që për tre ditë me radhë ofruan art të klasit më të lartë, letërsi dhe kulturē, mblodhēn kaq shumë emra emblatik të kulturës dhe përfaqēsues të kultures shqiptare anë e mbanë globit.
Nga Shqipe Bytyqi
Edhepse vonë, në krahasim me shkollën shqipe në Zvicër që numron 33 vjet, hapja e shkollave shqipe në Greqi me të gjitha veçantitë që ka diaspora shqipe në Greqi dhe festimi i 15 vjetorit te saj është një arritje shumë e madhe, është një dritare shprese për brezat e ri, është një sukses që i adresohet të vyeshmit Iliaz Bobaj.
Mrekulli në vete ishte vepra e Iliaz Bobajt, „Legjenda e Butrintit“ që u ngjit në skenë nga artistët e njohur: Nderi i Kombit Margarita Xhepa; artisti Eduart Çala; spranoja dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, Sofia Kola; tenori Gëzim Xhaxhaj. Të gjithë artist të dëshmuar që me shumë mjeshtri dhe finesë ia dolën të ngjallin ndjenja rrënqethëse dhe kthim nē lashtësi, lutje dhe mallkim perēndish. Tē pranishmit përjetuan shkatërrimin Trojes dhe lindjen e nje qyteti të ri, atij të Butrintit, perlës së Shqipërisë, gjersa ansambli artistik i Lushnjës performonte magjishëm me kompozimin e Jorgo Durrit.
Emocionuese ishte mikpritja e të zotëve të shtëpisë. Darka e mireseardhjes në një restorant bashkëatdhetarësh… ku shqiptari bashkë me restoranin e tij, hap edhe zemrën, shqipërisht. Vizita Muzeut të pasur të Patrës ishte shumë mbreslënëse, pasi aty flinte një pjesë e trashëgëmisë sonë të lashtë.
Të nesëmen u mbajt Ora letrare nën kujdesin e misionares dhe poetes së madhe, ardhur nga New Yorku Iliriana Sulkuqi, orë të cilën ajo e kishte pregaditur me shumë dashuri. Me shumë respekt u lexuan vargjet e autorëve të përjetsuar, si Lasgush Poradeci, Drita Çomo, Ali Podrimja dhe së fundi edhe Miradije Maliqi. E ftuar, si poete dhe veprimtare nga Diaspora pata nderin të përcjell përshëndetjet e fundit tē poetes Miradije Maliqi dhe të lexoj poezi kushtuar kësaj gruaje të madhe që personifikonte Shqipërine dhe trojet e saja, Ballkanit derdhur. Përfaqësues nga Kosova ishte poeti Bedri Zyberi që solli vargje dhe fjalē tē bukura në gegnishten e moderuar.
Në mbrëmjen Gala performuan yje te muzikës shqipe si: Mjeshtre e Madhe Zina Zdrava, Teuta Pango, e çifti Paci, të cilēt mbushën ambientin e bukur me zërin prej bilbili.
Si pjestare e diaspores shqiptare nuk mund të rri pa u entuziazmuar për mbështetjen që Bashkia e Elbasanit dhe Drejtoria e Kultures së Elbasanit i dha tërë këtij eventi kulturor, për përkujdesjen plot dashuri që organizatorēt treguan për dy zonjat e mëdha të shqiptarisë: Nderi i Kombit Margarita Xhepa dhe Misionares, Nënës së Madhe Iliriana Sulkuqi. Personalisht u ndjeva shumë e nderuar me penën që mora dhuratē nga e vyera Iliriana Sulkuqi me porosinë, t’vazhdoj të shkruaj për kombin, për të bukurën, për ndërnjerzoren.
Janina, gjithsesi ishte pikëndalja jonë gjatë kthimit për Shqipëri, vend ku gjurmët shqiptare janë të forta. Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës. Udhëtimi me varkë zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta deri te shtëpia me gurë dhe dru ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës. Veshje tradicionale të epokës, stoli prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, piktura të Pashait dhe armët e tij zbukuronin muret dhe ambientet e këtij muzeu që mban mbrenda vetes një copē histori dhe dhimbje shqiptare. Pērgjatë eventit dhe rrugës na përcolli kitara dhe zëri emblatik i artistit te madh Klement Marku.
Misioni ynë vazhdon…
thotë misionarja, e mira Iliriana Sulkuqi!
Vazhdon misioni i bartjes së vlerave, gjuhës dhe tradites shqipe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, sepse gjuha shqipe është më e lashta, më e bukura gjuhë ndër shoqe.
Misioni vazhdon…









































