Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih organizoi manifestimin tradicional “Takimet e Dhjetorit”, ku shkrimtarët nga mërgata lexuan punimet e tyre ndërsa që u hap edhe një ekspozitë e artit figurativ
Teksti dhe fotot Rexhep Rifati
Në përfundim të çdo viti, në Cyrih organizohen Takimet e Dhjetori të krijuesve të fushave të ndryshme të artit. Zakonisht organizator janë Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih.
Një takim i tillë u organizua edhe kësaj të diele, më 20 dhjetor, ku përmes një ore letrare dhe ekspozite të artit figurativ u shpalosën vlera artistike që krijohen në mërgatën shqiptare në Zvicër. Për të përcjell këtë aktivitet kulturor merrnin pjesë edhe zëvendës ambasadori i Kosovës në Bernë Mustafë Xhemaili, kryetari i Shoqatës së Krijuesve shqiptarë në Mërgatë, Hasan Qyqalla dhe poetja Migena Arllati, që kishte ardhur nergut nga Gjakova për këtë ngjarje kulture.
Këtë eveniment, në një atmosferë të këndshme artistike, me një pjesëmarrje krijuesve të profileve të ndryshme, mbajtur në lokalet e Qendrës së Kulturës së Kosovës në Cyrih, e përshëndeti kryetari i Shoqatës, poeti Shaip Beqiri, i cili falënderoi të gjithë krijuesit për kontributin e tyre si dhe i njoftoi ata me idenë dhe synimet organizative të SHKSHZ. Ai tha se Takimet e Dhjetorit do bëhen tradicionale dhe se me to synojmë që çdo vit të shpallim e nderojmë krijues të të gjitha profileve krijuese. Po ashtu veçoi edhe projektet tjera të shoqatës duke veçuar shënimin e 80 – vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Ai përmendi gjithashtu se SHKSHZ do të japë çmime për krijimtarinë e anëtarëve të SHKSHZ në te gjitha fushat e krijimtarisë me të cilat merret, duke i emërtuar ato me emrat që kanë seksionet: 1. Martin Camaj – për letërsi 2. Vaçe Zela – për muzikë 3. Ibrahim Kodra – për artet pamore 4. Aleksandër Moisiu – për teatër – film 5. Lasgush Poradeci për përkthim letrar 6. Dhe një çmim kurajues për suksese të dalluara të krijuesve të rinj.
Më pas u mbajt edhe një orë letrare, ku krijimet e tyre i lexuan: Tone Berisha, Dan Kosumi, Rehana Doku, Fatmire Zenelaj Sopa, Migena Arllati, Gëzim Ajgeraj, Fatime Kalimashi, Sabit Gecaj, Miradije Maliqi, Shaip Beqiri, Hasan Qyqalla, Gani Bytyçi, Mustafë Xhemaili dhe Bujar Salihu.
Në kuadër të këtij takimi u hap edhe një ekspozitë në të cilën punimet e tyre i ekspozuai Nexhmedin Jonuzi, Adem Dërmaku, Urim Berisha, Zogëza Haradinaj, Gani Bytyçi dhe Rafet Jonuzi. Ndërsa që ekspozitën e shpalli të hapur Adem Dërmaku, i cili i paraqiti autorët si dhe foli shkurtimisht mbi teknikat që kishin përdorur ata në punimet e tyre. Vlen të theksohet se kjo ekspozitë zgjoi kërshërinë e të pranishmëve pikërisht për temat, motivet e teknikat e përdorura nga autorët. Për të pranishmit drejtuesja e Qendrës së Kulturës, Shukrije Ramadani shtroi një apèro, ku u vazhdua me një bashkëbisedim i përzemërt midis krijuesve dhe të pranishmëve të tjerë në Takimet e Dhjetorit.