KOSOVA PO PËRMBYLL VITIN MË SFIDUES QË NGA ÇLIRIMI

Vitin 2020 Kosova e filloi me një qeveri në detyrë, e cila u pasua nga një qeveri që mbeti në detyrë pa i bërë dy muaj nga formimi i saj, ndërsa po e përfundon me një qeveri të tretë po ashtu në detyrë që nuk ishte rezultat i votës së qytetarëve, por i kalkulimit i politikës dhe parapolitikës

 Shkruan: Gani Bajrami, Prishtinë

Kosova po kalon një nga periudhat më shqetësuese që nga përfundimi i luftës së saj për çlirim dhe viti që po e lëmë pas do të mbahet mend si një vit i brishtë që vendit i solli shumë të këqija në të gjitha fushat e jetës. Nuk ishte vetëm pandemia botërore e korona virusit që në një farë mënyre i goditi më së shumti kosovarët gjatë këtij viti, por edhe lëmshi i skenës politike e institucionale të Kosovës, si dhe sprova e quajtur Gjykata Speciale dhe tërkuza e krijuar që nga zanafilla e saj e deri më tani.

Lëmshi i skenës politike e institucionale të Kosovës që e karakterizoi këtë vit kulmoi me komplotin e partive parlamentare kundër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019 dhe rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit ende pa i mbushur dy muaj nga formimi i saj. Ndërkaq, epilogu i çthurjes së këtij lëmshi duket se nisi me dorëheqjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale e Hagës dhe po shkon drejt fundit me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shpalljen e pavlefshëm të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor të këtij viti. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vendin e dërgon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare edhe pse kundër këtyre zgjedhjeve u angazhuan me mish e shpirt binomi Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ndihmuar edhe nga Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli e pse jo edhe nga Behgjet Pacolli.

Të shpresojmë se elektorati i Kosovës tashmë është vetëdijesuar se është momenti i fundit që Kosova të ketë pushtet me legjitimitet dhe shtet me dinjitet, me institucione kredibile që nuk mund të përdhosën nga matrapazët politikë dhe parapolitika që ka lëshuar rrënjë bukur të thella tek ne, e njohur si prontomafia, e cila po vazhdon t’i mbajë peng institucionet shtetërore dhe ekonominë e vendit.

VITI I COVIDIT DHE I TRI QEVERIVE PROBLEMATIKE

Kosova vitin 2020 e filloi me Qeverinë në largim të Ramush Haradinajt, me Fondin rezervë të Kosovës pa asnjë cent, si dhe me negociatat e mundimshme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, që i kishte fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës të 6 tetorit të vitit 2019 dhe partisë së dytë që kishte dalë nga këto zgjedhje – Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria në largim e Ramush Haradinajt, e cila u quajt qeveria e PAN-it (koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate), ishte qeveria me një kabinet marramendës të madh për kushtet tona. Kjo qeveri kishte boshatisur edhe Fondin rezervë të Kosovës duke shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga ky fond. Sipas ligjit, ky fond mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara, ndërsa sipas njohësve të çështjeve ekonomike shpenzimi i mjeteve nga rezervat buxhetore për qëllime joemergjente konsiderohet abuzim me paranë publike, por për këtë askush nuk ka dhënë llogari.

Negociatat e mundimshme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për bashkëqeverisje më në fund sollën një marrëveshje, e cila siç u pa më vonë, pas më pak se dy muajve, kulmoi me mashtrimin e madh që udhëheqja e LDK-së, në krye me Isa Mustafën, ia bënë jo vetëm Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe elektoratit.

Në vitin që po e lëmë pas e kemi shembullin më eklatant se si kapet shteti nga ata që populli nuk i votoi dhe se si mënjanohen apo injorohen ata që populli i votoi. Ky vit do të mbahet mend për tri qeveri, shumë të diskutueshme me plot akuza e kundërakuza për to. Do të mbahet mend për komplotin që iu bë partisë që doli fituese në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 për ta lënë në opozitë dhe për t’i kthyer në pushtet ata që për shumë vite e mbajtën shtetin e kapur në të gjitha segmentet me shantazh, korrupsion dhe krim të organizuar. Nuk mund të mos mbahen mend për një kohë të gjatë intrigat tipike staliniste e mafioze të bëra në emër të demokracisë, e që nuk kanë të bëjnë fare me demokracinë, për ta grabitur pushtetin dhe për ta nxjerrë jashtë lojës me çdo kusht partinë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin e saj për kryeministër – Albin Kurtin, duke e shpallur antiamerikan dhe duke e implikuar edhe administratën amerikane në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga ai, më pak se dy muaj pasi u formua. Arsyeja e vetme se përse u bënë bllok partitë parlamentare kundër Albin Kurtit, ishte se ai shpalli luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këmbënguli për një qasje tjetër për dialogun me Serbinë, në kundërshtim me atë që për tre vjet po e trumbetonte ish-presidenti Hashim Thaçi me korrigjime kufijsh e ndarje të Kosovës. Derisa kjo arsye e faktorit vendor ishte shumë transparente, ka mbetur ende e mjegulluar arsyeja e angazhimit të administratës amerikane në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti nëpërmjet ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ishte caktuar në këtë pozitë dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës të 6 tetorit të vitit 2019.

 PANDEMIA GLOBALE COVID DHE PANDEMIA LOKALE E GJUHËS SË URREJTJES

Shpallja e pandemisë globale me korona virusin e njohur si covid në kushtet e rrethanat e Kosovës bëri që popullatës t’i vështirësohen kushtet e jetës, duke humbur çdo ekuilibër që kishte ekzistuar më parë. Gjatë vitit sistemi shëndetësor thuaja ishte në kolaps të përhershëm përkundër përpjekjeve titanike të kuadrit shëndetësor për tu dalë në ndihmë të sëmurëve. Ekonomia kosovare edhe ashtu shumë e brishtë përjetoi goditjen më të rëndë për shkak të pandemisë dhe keqmenaxhimit. Shkalla e lartë e papunësisë që kishte Kosova vetëm sa u rrit dhe rrethanat sociale u ashpërsuan edhe më shumë. Edhe arsimi që mbante primatin për nivel të ulët në krahasim me vendet e tjera doli thuaja tërësisht nga binarët.

Që gjendja të jetë edhe më kaotike u përkujdes edhe klasa aktuale politike e Kosovës, që me veprimet e saj ua humbi ato pak shpresa që i kishin kosovarët për ndryshime pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kjo klasë e papërgjegjshme politike ua përmbysi shpresën për ndryshime kosovarëve, të cilët vazhduan jetën dyfish të burgosur nga pandemia dhe nga pushtetarët e vet, të cilët del të jenë pushtetarët më të pasur të vendit më të varfër në Evropë.

Viti 2020 do të mbahet mend edhe për grindjet politike dhe gjuhën shumë vulgare të njerëzve të pushtetit dhe të partive politike dhe jo me Serbinë që vazhdimisht gjen mënyra e metoda për ta poshtëruar shtetin e Kosovës, por ndërmjet veti. Kjo gjuhë konfliktuoze, e instaluar viteve të fundit, vazhdoi të konsumojë pjesën më të madhe të “kapitalit politik” në luftë me kundërshtarët, në vend që të përqendrohet në nevojat urgjente të njerëzve.

Rasti më i ulët në parlament pas atij kur ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i pat thënë “ma hangësh” deputetes Albulena Haxhiu, ndodhi sivjet me deputetin e LDK-së, Xhavit Ukaj, i cili pos fyerjes banale tentoi edhe sulmin fizik kundër kryeparlamentares Vjosa Osmanit.

FRIKA PARANOIKE E LIDERËVE POLITIKË NGA ALBIN KURTI

Gjuha konfliktuoze dhe shumë denigruese e zyrtarëve parlamentarë dhe qeveritarë shpërfaqi edhe një urrejtje patologjike ndaj njeriut më të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 – Albin Kurtit dhe tendencën e hapur për ta përdhosur me çdo kusht gruan më të votuar në ato zgjedhje – Vjosa Osmanin, vetëm pse ajo nuk deshi ta tradhtojë elektoratin e vet siç veproi shefi i saj partiak, Isa Mustafa, bashkë me një grusht mediokër që e kanë uzurpuar LDK-në me të cilën dikur shumica e kosovarëve krenoheshin. Asnjëherë nuk e kam menduar se vjen kjo kohë që do të turpërohemi me udhëheqjen e LDK-së dhe me disa parlamentarë të saj. Unë si një simpatizant i LDK-së së Dr. Ibrahim Rugovës habitem ku është ajo anëtarësi e LDK-së që nuk iu tremb regjimit fashist millosheviqian, e tani nuk ka guxim ta ngrit zërin kundër shkatërruesve nga brenda të LDK-së me Isa Mustafën në krye.

Gjatë vitit që po e lëmë pas do të mbahen mend përplasjet e mëdha që u bënë ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeministrit Albin Kurti. Është e habitshme se në këto përplasje u shpërfaq edhe një frikë paranoike nga Albin Kurti, e cila nga presidenti Thaçi u bartë edhe te liderët e tjerë që ishin në krye të partive politike.

Në përplasjet Thaçi – Kurti pati edhe akuza tejet të pa baza, madje edhe shumë diletante nga presidenti Thaçi, siç ishte ajo që zyrtarët e lartë të Qeverisë Kurti, Albin Kurti, Haki Abazi e Xhelal Sveçla, kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Postë-Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht pasi paraprakisht e kanë ndalur kamerën. Faktet treguan diçka krejt tjetër dhe Thaçin e nxorën edhe diletant në ngritjen e kësaj intrige. Edhe akuza e Thaçit se familjaret e Albulena Haxhiut, aso kohe ministre e Drejtësisë, kanë laborator droge, doli të jetë vetëm një shpifje që prodhoi një padi të zonjës Haxhiu në gjykatë, padi kjo që ende mrizon në gjyqësorin tonë të kapur nga të fortit e politikës.

Gjuha fyese dhe denigruese ndaj kundërshtarëve politikë u bë diçka si shumë e zakonshme. Dhe, përçarjet e urrejtjet depërtuan thellë në të gjitha poret e jetës politike të këtij vendi. Gjuha e disa zyrtarëve nuk dallohej nga gjuha e rrugaçëve. Një numër i këtyre zyrtarëve me këtë gjuhë jo vetëm në rrjetet sociale e në media, por edhe në institucione shtetërore lansuan shpifje për njëri-tjetrin dhe këdo që i kundërshtoi apo kritikoi. Ka plot akuza për krime, tradhti, vrasje, hajni, manipulime, korrupsion që ia bënë politikanët njëri-tjetrit, ndërsa prokuroria, policia dhe gjyqësori vazhdimisht heshtën. Kush dha deri më sot përgjegjësi për nxitjen e urrejtjes mes njerëzve dhe për gënjeshtrat e qëllimshme që i bëjnë?!

Duket se kjo luftë verbale ka në prapavijë betejën e një gjenerate politikanësh të korruptuar e pa ndjenja kombëtare me gjeneratën e politikanëve më dinjitoz, që kanë bosht të fort kurrizor njerëzor e kombëtar, siç janë Vjosa Osmani e Albin Kurti.

Sa aktuale tingëllon edhe gati pas një shekulli konstatimi i Faik Konicës, i cili ishte një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare se “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh që kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”.

KAPSIT E PUSHTETIT PO E MBAJNË PENG KOSOVËN, SKANDALET NUK KANË TË NDALUR

Pushtetarë aktual të Kosovës çdo ditë e më tepër dëshmuan paaftësinë e tyre për t‘u përballur me pasojat e korona virusit, e të mos flasim për shtetformimin, i cili me gjasë as nuk ishte në agjendën e tyre. Sa e sa herë u dëshmua se klasa politike që ishte në pushtet sidomos në dekadën e fundit në agjendë e kishte vetëm kapjen e shtetit në të gjitha segmentet. Dhe, derisa kapsit e pushtetit po e mbajnë peng Kosovën, skandalet e ndryshme nuk kanë të ndalur.

Viti që po e lëmë pas do të mbahet mend edhe për skandale të ndryshme, për afera korruptive, për afera denigruese dhe për hajni e zhvatje të buxhetit të shtetit. Më e rënda ishte ajo për dëmtimin, respektivisht vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga buxheti i Thesarit të Kosovës. Sa çel e mbyll sytë buxheti i shtetit zbrazet për mbi dy milionë euro dhe nuk ndodh asnjë tërmet politik as institucional. Në institucionet tona shtetërore flitet për rastin me një gjakftohtësi aq të madhe sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Qeveria Hoti vetëm sa e thelloi krizën politike e ekonomike dhe e rrezikoi shëndetin e qytetarëve dhe e degradoi edhe më shumë sistemin e arsimit. Nga vendimet e Qeverisë Hoti më i diskutueshmi dhe më absurdi del të jetë vendimi i pezullimit të Task Forcës Anti-Korrupsion, jo vetëm se në këtë Task Force kanë investuar shumë edhe BE-ja si dhe Amerika, por se korrupsioni po vazhdon të lulëzojë në vendin tonë.

Kosova ka nevojë për organe shtetërore funksionale dhe legjitime e jo për organe shtetërore të pazareve politike, të cilat mbahen në këmbë me shantazhe dhe me filozofinë e zaptimit të çdo gjëje në emër të shpëtimit të Kosovës. Është koha e fundit që kosovarët duhet të fillojnë të mos besojnë më se njohja nga Serbia, sikurse edhe anëtarësimi në BE, NATO e OKB janë afër, madje as liberalizimi i vizave. Ata që premtonin liberalizim të vizave për 15 muaj para rreth 10 vjetësh u siguruan viza diplomatike edhe familjarëve të tyre, por më në fund siguruan vizë edhe për në burgun e Hagës.

Fakti se Kosova po hyn në dekadën e re e lodhur, e sëmurë, e rrudhur me territor dhe me njerëz, e katandisur në planin demokratik është shumë i turpshëm për lidershipin e Kosovës. Ky është një argument që kosovarët duhet të nxjerrin mësim dhe t’i besojnë punës që bëjnë politikanët e jo fjalëve të tyre dhe të mos shkojnë pas tyre, siç thotë populli symbyllas, si Muça pas Daisë. Habit fakti se si kaq me fanatizëm njerëzit rreshtohen pas liderëve, të cilët u bënë milionerë pa punë, por në kurriz të popullit. Këta liderë asnjëherë nuk u preokupuan me interesin e popullit, por vetëm me interes të vetin apo klanit që i takojnë.\