Shoqata «Bashkimi» vatër e kulturës kombëtare!

Nga Vaxhid Sejdiu

Fakt është se në Zvicër veprojnë një numër i konsiderueshëm i shoqatave kulturore të cilat merren me ruajtjen e valles shqipe në veçanti si dhe të ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës kombëtare në përgjithësi. Në mesin e shumë shoqatave padyshim dallohet Shoqata «Bashkimi» në Uster të Kantonit të Zyrihut në Zvicër. Shoqatë të cilën e mbajnë mbi supe anëtarët e saj, të cilët me aktivitetin e tyre vullnetarë gjatë gjithë vitit janë shembulli më i mirë se si veprohet në shërbim të kulturës kombëtare, edhe pse jetojnë dhe punojnë larg atdheut. Dhjetëra e dhjetëra anëtarë të përkushtuar, të cilët me suksese realizojnë  jo vetëm aktivitetet kulturore, ku prezantojnë vallen e bukur shqipe por edhe aktivitetet tjera, të cilat hynë në kuadër të organizimit të përgjithshëm me qëllim që Shoqata të realizoj qëllimet  e parashtruara në planin e aktiviteteve vjetore.

Anëtarët e Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Kantonit të Zyrihut në Zvicër, të cilët dallohen për për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës kombëtare

Shoqata përfshinë në gjirin e saj të rinjtë dhe të rejat të cilët jetojnë dhe veprojnë në këtë rrethinë të Kantonit të Zyrihut dhe jo vetëm, me të vetmin qëllim që t`u përgjigjet kërkesave të shumta të fëmijëve dhe të rinjve me qëllim që sa më bukur dhe sa më gjatë të ruajnë kulturën kombëtare. Mbi 200 valltarë, të ndara në grupe sipas moshave, të cilët me përkushtim dhe devotshmëri i nënshtrohen ushtrimeve të rregullta me qëllim që të jenë sa më të përgatitur.

Përveç organizimit mirë të strukturuar të shoqatës, aktiviteti i së cilës bie mbi supet  e kryesisë së saj,  të drejtuar nga kryetari i saj,  Guximtar Alushi  dhe nënkryetari Bekim Bajraktari, dallohen grupet e valleve, të ndara në mënyrë profesionale ku vajza dhe djem kujdesen që nga të rriturit e deri te fëmijët parashkollorë me qëllim që vallja shqipe të prezantohet sa më denjësisht.

Grupet e valleve janë bukuria e shoqatës, ata me performancën e tyre në vazhdimësi kanë dëshmuar përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e valles shqipe

Anëtarët e Shoqatës “Bashkimi” në Panairin e Librit “Diaspora 22”, arritën me sukses të realizojnë panairin e librit ( të dytin me radhë) si një nga aktivitetet kryesore të shoqatës me qëllim që lexuesi shqiptar edhe pse në mërgim të ketë mundësinë e kontaktit me librin shqip, me shkrimtarët, studiuesit, krijuesit si dhe botuesit e ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora. Vlen të përmendet se një nga sukseset e shoqatës  e saj është kontributi i kryesisë dhënë shkollës shqipe si dhe botimi i i revistës po me të njëjtin emër “Bashkimi”, të cilat angazhime dëshmojnë përkushtimin ndaj gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Anëtarët e Shoqatës “Bashkimi” në Panairin e Librit “Diaspora 22”, te cilët arritën me sukses të realizojnë organizimin e panairit të librit (nga e majta në të djathtë, në rreshtin e parë), kryetari Guximtar Alushi dhe nënkryetari Bekim Bajraktari, së bashku me anëtarët e shoqatës

Pjesëmarrja në manifestime të ndryshme kulturore me rastin e festave kombëtare si 28 nëntori, 17 shkurti, në manifestimet kulturore të kombësive të ndryshme si dhe në prezantimet e tjera gjatë gjithë vitit, Shoqata “Bashkimi” mund të themi se është në ditët më të mira të saj.