Rritje e vazhdueshme e studentëve shqiptarë në Universitetin e Bernës

Sipas kryetarës së Shoqatës, Emsale Selmani tash ka rreth 150 studentë shqiptarë në këtë unversitet dhe sipas përqindjes gjysma janë femra e që kjo u pa edhe në një organizim studentor, që kaloi në një atmosferë shumë të përzemërtë të studentëve me prejardhje nga të gjitha trojet etnike.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Bernë, 24 shkurt: Dy- tri ditë më parë përmes fb, nga studetja Emsale Selmani, kryetare e Shoqates së Studentëve Shqiptarë në Bernë, mora ftesën për pjesëmarrje në një organizim studentor të kësaj shoqate për datën 24 shkurt. Asaj i vinte keq që nuk më kishte ftuar më herët. Dorën në zemër asnjë ftesë nuk më gëzon aq shumë sa ato që vijnë nga studentët tanë këtu në shtetin helvetik.

Si zakonisht edhe kësaj here nga Cyrihu për në Bernë udhëtova me tren e prej andej me autobus, tek vendi ku mbahej takimi. Nga Emsalja, kisha ofertën që të dalë një student në stacionin hekurodhor, por unë nuk desha të mos qes telshe. Ndaj edhe mora udhëzimin që të merrja autobusin numër 20 deri tek stacioni Wyleregg. Me të zbritur nga autobusi, dëgjova një të folme shqip. Kuptova se ishin studentë. Të parin që pyeta ma ktheu se ishta nga komuna e Ferizajt, madje nga fshati Komogllavë prej nga vi edhe unë! Quhej Besnik Metushi dhe studjonte informatikën, si edhe motra e tij, Besa që një vit më parë kishte diplomuar po në Universitetin e Bernës, e që kisha takuar edhe atë në një tubim studentor.

Sapo arrita në lokalin gjegjës, takova kryetaren e shoqatës Emsale Selmani, me prejardhje të familjes nga Bujanoci, bashkë me 3-4 studentë të tjerë që merreshin me përgatitjen e mbrëmjes. Kur arrita në lokal, kuptova se disa muaj më parë kisha qenë në te, në një promovim librash të një autori shqiptar dhe se po në te ekziston edhe një bibliotekë e pajisur edhe me libra shqip.

Numri i studentëve sa vinte e shtohej, pos studentëve nga Universitetit të Bernës arriti edhe një grup studentësh nga Friburgu. Dy shoqatat kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ndërsa që shoqata e Friburgut ka një jetëgjatësi më të madhe dhe është ndër shoqatat e para studentore shqiptare në Zvicër, ndonëse në një interval ka pas një ndërprerje aktiviteti. Po aty takova edhe një student nga lagja ime Tafali mahallë. Ishte ky studenti Shkumbin Sadriu, me të cilin më lidhte edhe një afërsi gjaku. Studionte ekonomi.

Nga Peja takova dy student: Leotrim Shalën dhe Ideal Rexhaj. Kishte studentë nga të gjitha trevat shqiptare. Kështu nga Prishtina vinte Diamant Dragusha , që ishte në semestrin e gjashtë ekonomi-biznes, ndërsa Ditjola Naço , që ishte në drejtimin ekonomikut me prejardhje nga Shqipëria bashkë me dy stundete të tjera. Por kishte edhe studentë që ishin rrit në Gjermani, si rasti i studentes Saranda Çoçaj me prindërit nga fshati Gjonaj i Prizrenit, që tash kishte ardhur për studime në Zvicër. Se në mesin e studentëve shqiptarë kësaj mbrëmjeje në Bernë, kishte shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, kjo dëshmohej me praninë e studentëve të tjerë. Kështu studentja Leonora Saliu, që ishte në vitin e dytë master në arkeologji e që studionte në Universitetin e Gjenevës, ishte me origjinë nga Kërçova e Maqedonisë. Ajo kishte marrë pjesë në disa ekspedita arkeologjike në Ballkan e sidmos në Shqiperi bashkë me arkeologun zviceran Christian Zindel.

Karakteristike është se shoqata e Stundetëve Shqiptarë të Bernës ka ekzistua edhe më parë, por nuk ka qenë kështu e konsoluduar dhe e organizuar, siç është tash. Ndërsa siç u tha në këtë tekim tash ka rreth 150 studentë shqiptarë në këtë unversitet dhe se numri i tyre është vazhdimisht në rritje. Thuaja se gjysma e numrit të përgjithshëm të studentëve llogaritet të jenë femra. Ndërsa në kryesi nga 8 anëtarë, vetëm dy janë meshkuj.

Kryesia ndonëse punon si ekip i pa ndarë, megjithatë janë ndarë detyrat sipas sektoreve: Emsale Selmani, pos që është kryetare e Shoqatës të Studentëve Shqiptarë në Bernë, ajo bashkë me Valmire Avdiu përgjigjen edhe për me jashtë; Diamant Dragusha-financa; Gzime Shaqiri e Kaltrina lumi- Events; Ditjola Naço e Klevis Mustafaj- komunikim dhe Besnik Metushi- IT.

Sa i përketë takimit të mbrëmshëm ai kaloi në një atmosferë shumë të këndshme shoqërore, pos që u fol për aktivitetet dhe obligimet e shoqatës, pati edhe këngë e vallëzime. Shoqata ishte kujdes që të më dhuronte një shishe verë të llojit „Valiano“, ndërkaq unë si edhe të gjitha shoqatave të tjera studentore edhe kësaj i dhurova librin tim: „Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje“ si dhe shfaqa vido-kolozhin me fotofrafi nga udhëtimet e mija nëpër trojet shqiptare.

Programi argëtues studentor, në një atmosferë sa rinore aq edhe vëllazërore vazhdoi deri në mbrëmjen e vonë, ndërsa që unë nga Berna për në Cyrih u ktheva me një përshtypje të jashtëzakonshme. Aq më parë kur në shtetin hlevetik po vjen një brez i ri shkollarësh i paisur me dije e kulturë të lartë, por që edhe më tej ruan identitetin kombëtar, madje edhe në këtë formë duke u tubuar së bashku dhe duke e krijuar një gjeografi të vogël shqiptare edhe brenda shtetit helvetik, ku nesër këta akademik të ardhshëm do të jenë pjesë janë më e ndritshme. Një pjesë integrale zhvillimore si për vendin ku jetojnë ashtu edhe një imazh pozitiv për vet vendin e prejardhjes.

(Pamje nga mbrëmja e mbajtur në Bernë më 24 shhkurt 2016)