SHKA “Rapsha” nga Drume, Hot, themeluar në vitin 1978, do të mbetet në historinë e kulturës shqiptare , si ansambli i parë artistik nga Malësia e Madhe që u ftua dhe u prezantua me një program të denjë për respekt në manifestimin “Vëllazëria 2019” në Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia) nga 19-21 Korrik 2019.
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Jeta po tregon se askush nuk mund të lidh popujt e komunitetet më shumë se kultura e sportet, veçmas kur ka të bëjë me një kulturë të përbashkët gjuhësore, si në rastin e pjesëmarrjes së SHKA” Rapsha” nga Drume e Malësisë së Madhe në manifestimin e madh arbëresh në në Kazallveqi ( Casalvecchio di Puglia) të rrethit të Foxhës në Itali. Në këtë manifestim tradicional, që po organizohet tash e tri vjet me radhë, me emërtimin “VËLLAZËRIA”, e ku morën pjesë rreth 10 grupe artistike, kryesisht arbëreshe, si dhe artistë nga trojet tjera shqiptare, përfshi edhe Shqipërinë e Kosovën.
“Rapsha” në qendër të vëmendjes së vëllezërve arbëresh
Por gjithsesi si nga grupet vendase edhe ato mysafire, vëmendjen e qindra artdashësve e tërhoqi gjithsesi “Rapsha” si me këngë e valle e sidomos me xhubletën shekullore që e bartnin krenarisht artistet nga Malësia e Madhe që ishin jo vetë në shënjestër të shumë objektivave e kamerave, por edhe që admiroheshin me të madhe nga motrat dhe vëllezërit arbëresh, që donin të vallëzonin së bashku me artistët nga Malësia e Mbishkodrës, siç e quajnë pjesën e disa vendbanimeve të Hotit, përgjatë liqenit të Shkodrës.
Si defileu përgjatë rrugëve të Kazallveqit ( Casalvecchio di Puglia), bashkë me grupet pjesëmarrëse arbëreshe, ashtu edhe dalja në skenë për vendasit ishte një sihariq i vërtetë sepse përherë të parë në qytezën e tyre shihnin një grup shumë atraktiv e unik, si në këngë, valle e kostume tradicionale të një treve shumë të veçantë shqiptare, që përherë të parë shkelte në Arbërinë arbëreshe.
Në zemër e në shpirt të malësorëve- ritet e zakonet e të parëve
SHKA “Rapsha” edhe në rrethin e Foxhies ku jetojnë disa katunde arbëreshe, tregoi se malësoret si në zemër ashtu edhe në shpirt kanë ruajtur dhe bartur në breza, gjuhë, traditën, veshjen bashkë me këngën e vallen shqiptare. Ndonëse të ndarë nga shteti amë, malësorët e Malësisë së Madhe, me përpjekje mbinjerëzore ruajtën gjuhën dhe traditat e të parëve , madje edhe ritet e zakonet, vlerë kjo jo vetëm për këtë regjion por edhe për kulturën e e gjithmbarshme shqiptare.
Organizatore e pesë festivaleve dhe fituese e shumë mirënjohjeve
Vetë, Shoqëria “Rapsha”, shquhet për një organizim të shkëlqyer dh një kryesi shembullore, që drejtohet nga drejtori Luca Juancaj, një veprimtar i palodhshëm, por që rreth vetes ka një trup artistike, që ku do që është paraqit në festivale, qoftë në rrafshin rajonal, republikan apo edhe ndërkombëtar, ka shndritë dhe fituar jo vetëm shumë mirënjohje por edhe admirim e respekt, falë artit që kultivon tash e dyzet vite. Madje edhe vet “Rapsha” për të 5 herë, në lokalitetin e quajtur Vitojë, është organizatore e një festivali madhështor, me pjesëmarrje e një publiku të gjerë prej disa mijëra vetave dhe dhjetëra grupeve artistike nga mbarë trojet etnike.
Mërgimtarët tej Atlantikut, dora djathtë e shoqërisë “Rapsha”
Madhështia e manifestimeve në Vitojë është rezultat i dashurisë së madhe që kanë malësorët për artin, kulturën e traditën e tyre përfshi edhe ata mijëra mërgimtarë nga kjo anë që punojnë dhe jetojnë edhe në Amerikë e vendet tjera tej Atlantikut, por që verës nuk i lëshojnë festivalet pa marrë pjesë në to, sepse edhe ata janë pjesë e kësaj trupe artistike, që e kanë mbështet si moralisht ashtu edhe materialisht. Por zemërgjerësia ka kulmuar në vitin 2002 , me rastin e rregullimit të hapësirës së burimit të Vitojës , ku edhe mbahet festivali, për çka edhe familja e Gjon L. Gjonaj, që shoqatës i dha truallin në përdorim, në afat të pacaktuar.
Në festivalin e fundit, më 2017, pati përherë të parë edhe dy grupe arbëreshe pjesëmarrëse në këtë festival tradicional, falë veprimtarit të palodhshëm, Pirro Qendra, me prejardhje nga Berati, por qe është hallka kryesore për ndërlidhjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes arbëreshëve dhe grupeve të tjera artistike, qoftë në trojet etnike apo në mërgatë.
Pirro Qendra bashkoi artistët e Malësisë me artistët arbëresh
Ky angazhim dhe kjo përpjekje e Pirro Qendrës për ti afruar arbëreshët me malësorët e Drumes, rezultoi me një ftesë nga vet kryetari i Bashkisë Casalvecchio di Puglia, zotëri·Noè Andreano, një intelektuali ky shumë energjik dhe dashamirës i madh i kulturës, çka u dëshmua edhe në organizimin e fundit në qytetin që drejton, ku për dy net me radhë qyteza gumëzhiu nga kënga, vallja e mbi të gjitha nga atmosfera dhe hareja e mbi të gjitha nga dashuria ndërvëllazërore.
Me këtë vizitë dhe këtë pjesëmarrje sikur u rrumbullakosua cikli i afrimit dhe bashkëpunimit të “Rapshës” me grupet simotra, më parë me ato nga Kosova, Shqipëria e mërgata e tash edhe me ato të vëllezërve arbëresh nga Kalabria.
Krahas këngës edhe ekspozitat e muralet zbukuruese
Që në hyrje të qytezës Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia), mbretëronte atmosfera solemne e këtij manifestimi e shënuar me një flamur të madh kombëtar në qendër, përballë katradles së vjetër arbëreshe. Përndryshe manifestimi u përshkua edhe me një defile të grupeve pjesëmarrëse gjatë dija netëve, si dhe paraqitje në skenë të grupeve artistike, por edhe me stolisjen e mureve me murale nga artistë të ri vëndas, ku portretizoheshin shqiptarët nga trojet etnike dhe Kalabria e provincat tjera, ku jetojnë aktualisht arbëreshët, por edhe me një ekspozitë të veçantë pikturash në një galeri arti.
Arbëreshët e vegjël, në krahët e artisteve, veshur me xhubleta !
Një dimension ne veti manifestimit i dha edhe pjesëmarrja e fëmijëve dhe të moshuarve, çka bëri që manifestimi “VËLLAZËRIA 2019” të mbahet mend, gjatë për një organizim shembullor, por edhe për pjesëmarrjen e parë të një ansambli artistik nga Malësia e Madhe në mesin e motrave dhe vëllezërve arbëresh. Sidomos pati interesime nga vetë arbëreshët që fëmijët e tyre të fotografoheshin në krahët e artisteve të bukura të “Rapshes”, të veshur me xhubleta !
Falënderim Kryesisë së “Rapshës” për ftesë e prezantim të denjë!
Krejt në fund nuk mund e të mos e falënderoj edhe drejtorin e e “Rapshës”, z. Luca Juncajnë që më bëri ftesë që të jem pjesë e shoqatës së tij në këtë manifestim si dhe shoqëruesit e mi Shefqet Cakollin, kryetarin e SHKA” Dardania” nga Winterthuri dhe veprimtarinë e çështjes kombëtare, Gjergj Prenkoçajnë, që më shoqëruan në këtë manifestim vëllazëror në Vëllazëria 2019” në Casalvecchio di Puglia, ku morën pjesë edhe stërnipi i Gjergj Kastriotit, Loris Castriota Skanderbegh dhe Elida Jorgoni, kryetare e shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” me seli në Durrës.
Të shpresojmë, se kjo është vetëm nisma!
(Foto të SHKA “Rapsha” në manifestimin “Vëllazëria 2019” në Casalvecchio di Puglia)







































