Në Bernë promovohet vepra jetësore e gazetarit Rexhep Rifati

Me 15.10.2022 (e shtunë) në kryeqytetin zvicerian Bern u bë promovimi i një vepre madhështore “ARBËRESHËT, Fotosintezë e shpirtit tim” (“Fotosintesi della mia anima”) nga gazetari shqiptar Rexhep Rifati, apo siç e quajn ‘Baci Rexhë’, nga Ferizaji, i cili jeton dhe vepron në Zvicërr.

Panel diskutimi (recesentë) ishin bashkëpunëtorët e tij nga Kalabria, pa mos e anashkaluar redaktoren dhe studjuesen e trungut arbëresh zj.Ornela Radovica, e cila me një emocion të thellë bëri një përshkrim të veçantë mbi veprën në fjalë (traditën, gjuhën dhe kulturën arbëreshe), ndërsa moderimin e bëri z. Nazmi Jakurti.

Këtë event e nderuan grupi arbëresh nga Kalabria, Ambasadorët (Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë) të cilët dhe e nderuan punën e Bacit Rexhë dhe e dekoruan me mirënjohje nderi, poashtu konsuli i R.Kosovës në Zürich zj.Shukrije Ramadani (bashkëshortja e heroit Agim Ramadani-t, KATANA), si dhe shumë shkrimtarë e intelektual të tjerë nga Shqipëria, Kosova Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Europa. Gjithashtu nderimet ishin edhe nga Antonio Bellusci, i cili përshkak të problemeve teknike nuk arriti të qasej. Këtë vepër e nderuan shume figura të njohura eminente, ndër ta ishte edhe z.Musa Jupolli, (nga Parisi) kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptar në Mërgim, poashtu edhe sekretari i kësaj shoqate z.Mentor Thaqi, të ardhur enkas për këtë promovim. Këtu nuk mundemi pa e potencuat edhe drejtorin e portalit të njohur shqiptar në Zvicërr #PROINTEGRA e cila ndihmoi edhe botimin e librit, z.Osman Osmani i cili theksoi se veprat e tilla duhet të kenë gjithmonë mbështetjen intelektuale e shoqërore, sepse paraqesin një histori dhe një kulturë të pavdekshme të një etniteti, si dhe zj. Liber Emini (poashtu shkrimtare) e ftuar enkas nga Kumanova, e cila nderoi promovimin me fjalë rasti, duke potencuar se ky nuk është vetëm një libër, por njê kryeveper, sepse një krijim i tillë historiko-kulturor i llojit të tillë i kishte munguar tregut të letërsis tonë shqiptare, dhe se ne mundë të shkruajm e flasim në shumë gjuhë por kur lexojmë e dëgjojmë shqip, vetëm atëherë na vije era atëdhe.

Ndërsa shijën edhe më të embël kësaj mbramje ia bëri edhe grupi arbëresh artistik kulturor “ Gjaku i Arbërit”, i udhëhequr nga Mikele Greko, ku me prezantimin e vet briliant publikut shqiptar i solli shumë emocionin dhe dashuri të madhe për shqiptarët në çdo skaj të botës. Kjo vepër nuk paraqet vetëm një mendim mbi një fenomen historik, por pa mëdyshje e quajm KRYEVEPËR sepse këtu flitet për një popull (arbëreshët) dhe historinë e tyre, ku gjuha arbëreshe është dëshmia kryesore e mbijetimit 600 vjeçar e largimit të tyre nga trungu i Arbërit, e cila flitet dhe shkruhet edhe nëpër shkolla e radio televizione, pra një vepër që tregon ruajtjen dhe përdorimin e lashtë të gjuhës dhe traditës tonë shqiptare.

Në këtë vepër autori ka bërë rrugëtim dhe hulumtim me vite duke vizituar mbi 50 fshatra arbëresh, për ta paraqitur një materie të gjallë etnike, e cila nënkupton që gjaku i arbërit nuk shtrihet vetëm në Ballkan e Europë, por përtej kësaj, sepse rrënjë tona shtrihen përtej dheut që na mbanë… Nuk është vetëm fotosintezë, por ‘fotogjenezë’, e cila përcjell ndjesin e të qenurin ARBËRESH edhe ‘pa mos qenë’!

Një vepër që vrullshëm flet për një popull që se njeh dot nënshtrimin e asimilimin në një etnitet tjetër, e që nuk njeh dot ‘tjetësim’, që e ruan origjinën e rrënjëve të veta edhe duke qenë jashtë kufijve, që dashurinë për të folur shqipen e pastër (arbëreshen) nuk ua mposht dot malli, e që identiteti për të quajtur ARBËR nuk e shuajn as 1000 kufi dhe jo 1.

Ky eventi mbylljen e mbrëmjes e bëri me këngë arbëreshe shqipe si dhe mbajtje të një kokteli të pērbashkët.

E veçanta e kësaj ka qenë se ky libër doli nga shtypi në ditën e përurimit të 80 vjetorit të lindjes së vet autorit (Rexhep Rifati-t).

Baci Rexhë jetën dhe veprat e tij që si gazetar i periudhës së lavdishme të sakrificës shqiptare të viteve 60-90 e deri më tash si shkrimtar ia kushtoji popullit të vet shqiptar, edhe sot duke e manifestuat shitjen e librave për finansimin e studentave shqiptarë të R.Kosovës (dhurim të bursave studentore). …pos kësaj, ky ‘djalosh ferizajli’ me emrin Rexhë na tregoi edhe njëherë se të thinjurat nuk janë pengesë, por simbolizojnë ngjyra e shpirtit, dhe se  vitet janë thjeshtë numra, e numrat s’na mplakin dot… dhe se dëshira, energjia dhe motivi nuk pengohen asnjëherë nga mosha kur aty ka jetë!