Më 4 prill 2025, në ora 19:30, në sallën R070 të Uni Mail në Gjenevë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Gjenevë në bashkëpunim me KSHGJ-në do të organizojnë promovimin e librit „Shekulli i Parë“, të autorit Sejmen Gjokoli. Ky aktivitet synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare në diasporë.
Libri „Shekulli i Parë“ sjell një pasqyrë të ngjarjeve më të rëndësishme që shënuan 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke ofruar një rrëfim të pasur dhe të detajuar mbi momentet kyçe të historisë sonë kombëtare.
Në kuadër të këtij promovimi do të shfaqet edhe një film dokumentar me të njëjtin titull, i cili thellon më tej temat e trajtuara në libër dhe sjell një dimension vizual dhe emocional për audiencën.
Mbrëmja do të pasurohet gjithashtu me interpretime muzikore nga artistë shqiptarë nga Gjeneva, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore.
Autori i librit, Sejmen Gjokoli – „Mjeshtër i Madh“, është një personalitet i shquar i Labërisë, studiues, shkrimtar dhe publicist i njohur për angazhimin e tij të palodhur në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ftojmë të gjithë të interesuarit – studentë, intelektualë, dashamirës të librit dhe kulturës – të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë kulturore. Hyrja është e lirë. Mirë se vini!




















