“Promenadë Mërgimtare 2021 ”, kurorëzohet me libra e vargje të dhjetëra autorëve

Dita e djeshme në Prishtinë e në fshatin Kukaj, ishte një ditë libri e poezie për mërgimtarët tanë jo vetëm nga Evropa por edhe tej Atlantikut që ia kishin mësyrë vendlindjes. -Edicioni i shtatë me radhë, në organizim të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), dëshmoi edhe njëherë për potencialin e madh krijues në diasporë, e që këtë potencial bashkë me mërgatën tonë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, e sheh si diellin e  këtij vendi që diti të ngrohë edhe atëherë  kur realiteti i këtushëm ishte tejet i zymtë dhe i pashpresë

Nga Rexhep Rifati

Ndonëse Lidhja Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) është themeluar 8 më parë, por që vitin e kaluar, shkaku i pandemisë dështoi edicioni i radhës, kështu që dje u mbajt Edicioni i tetë i cili solli mërgimtarët me dhjetra krijues nga vendet e evopiane dhe nga Shtetet e Bashkuara, të ngarkuar përplot çantat me libra drejt vendlindjes.

Dje në ora 12  edhe pse në kryeqytet të zinte fryma nga vapa përvëluese, ata nuk i pengoj në masë të madhe që të marrin pjesë, ndonëse pati edhe të atillë që edhe të pengohen nga këto kushte të rënda atmosferike. Sidoqoftë salla e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ishte përplot krijues jo vetëm nga mërgata, por edhe trojet tona etnike, me dëshirën që të njihen jo vetëm me krijimtarinë e njëri tjetrit por edhe me atë që krijohet në diasporë, si pjesë e tërësisë së letrave tona.

Që në fillim pas hapjes, të këtij takimi me emrin simbolik, “Promenadë Mërgimtare  2021 ”, sekretari i Lidhjes se Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), Mentor Thaqit, kërkoi nga të pranishmëve që me një minutë heshtje të nderohen krijuesit që ndërruan jetë viteve të fundit. Më pastaj me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua kryetari i i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Musa Jupolli i cili ndër të tjera tha:

“Po t’ ishte sot me ne Naim Frasheri, Noli e Konica, Serembe e Migjeni, Çajupi e Mjeda, Martin Camaj e Koliqi, Anton Pashku e Rugova, me siguri do të na flisnin  për Pjeter Bogdanin, Lekë Matrengën e de Raden, për Buzukun e Gjergj Kastriotin, me një filozofi, me një pajtim, me një  gjuhë te bukur arti dhe për mision do t ‘na thoshin:

Letrat shqipe, historia, kultura, gjeografia dhe matematika e Atdheut kërkohet të  jenë ne shkrimet e juaja!

Dikur e lexonim Fishtën fshehurazi, dorë më dorë, qe besa edhe e mbillnim ne kopshte dhe ashtu e paprekur qëndronte Lahuta e ndaluar, dhe vetëm me zë të  brendshëm e këndonim Oso Kuken, Dede Gjo Lulin e sa e sa te tjerë. Krijues te nderuar, RINISË sonë duhet t’i përkushtohet vëmendje shume më e  madhe, Atdheu pa rini është qiell pa diell, është qiell  pa yje e pa hënë!

Qe libri te ketë ardhmëri me te mirë, kërkohet qe kjo rini te ketë kushte me te mira për studime, për kërkime shkencore, për leximin e veprave tuaja!…”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, në fjalën përshëndetëse potencoi se: “Personalisht jam pjesë e asaj përvoje e të krijuar në mërgatë e cila me dekada i dha energji dha shpirt këtij vendi, duke përkujtuar se tenori Ramë Lahaj, në koncertin e mbajtur në Prishtinë ka përmendë mërgatën si drita e këtij vendi, ndërsa unë po themë se mërgata ishte dielli i këtij vendi që i dha ditë e ngrohtësi Kosovës kur realiteti i këtushëm ishte sa i zymtë e edhe i pa shpresë.., Por  ju jeni ata që asnjëherë nuk jeni dorëzuar dhe keni mbajt larg optimizmin e këtij vendi, ndaj edhe bashkë me Ministrinë e kulturës do të bëjmë çmos që kultura e vendit tonë të jetë ndër tiparet që na bënë edhe më që të na njeh bota.

Ky takim ishte rast i mirë për promovimin e dhjetëra librave të botuara gjatë dy viteve të fundit, kur edhe ky aktivitet deri në pandemi u mbështet nga Ministria e Diasporës duke i dhënë dimensione të reja hapësinore krijuesve mërgimtarë. Ndërsa që : “ Këtë vit Lidhja… do ta ripërtërinë aktivitetin e saj të ndërprerë nga rrethanat pandemie me prezantimin e veprave e reja të anëtarëve të saj të botuara gjatë këtyre dy viteve  të fundit”…, thuhej në kumtesën e organizatorit.

Dhe kjo u pa edhe në vepër, aq më parë që Musa Jupolli, Kryetar dhe kryesia e  LKSHM, ka bërë një punë të mirë në organizimin e Lidhjes… dhe afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare në mërgatë. Ndonëse pati edhe dështime, shkaku i pandemisë, sidomos me pamundësinë e mbajtjes së takimit në Parisë, ku kishin paralajmëruar pjesëmarrjen krijues të shumtë nga mërgata. Por derisa kishe pengesa për tubime krijuesit në vazhdimësi arritën të pasurojnë letrat tona me vepra të reja madje jo vetëm individuale, por edhe kolektive, si fryt i së cilës është sidomos libri kushtuar Naim Frashërit me 48 autorë, që përbën një antologjie të autorëve nga mërgata kushtuar Bilbilit të gjuhës shqipe.

Një atmosferë pak sa më të veçantë e solli ambient në Kukaj, ku zakonisht çdo vit e edhe sivjet do të mbahet EtnoFesti, që tashmë ka fituar një traditë por edhe një fizionomi të plotë. Kësaj radhe, këtu autorët me dhjetëra vetura ia mësynë nga Prishtina, e jo si viteve të mëparshme me autobusë së bashku të organizuar nga vet Ministria e diasporës.

Sidoqoftë jo vetëm ambienti por edhe atmosfera ishte më e ngrohtë dhe e afërme për këmbim përvojash por edhe leximin e vargjeve para një auditori e jurie përkatëse. Juria e përbërë nga Prend Buzhala, Angjelina Marku dhe Bedri Tahiri, shpalli tri shpërblimet e para edhe atë: Nora Lokajt vendi i parë, Gani Bytyçit vendi i dytë, ndërsa vendin e tretë e ndanë Ilaz Hysaj, Demir Reshiti dhe Hasije Lushaj.

Po ashtu u ndanë edhe mirënjohjet dhe shpërblimet që më parë i kishte shpallë Lidhja Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), por që shkaku i pandemisë tek mbrëmë u shpërndan. Ora e madhe letrare u begatua edhe me tinguj muzikor si dhe me një ekspozitë pikturash nga Gani Bytyçi, me qëndrim në Zvicër.