Policia e Kosovës jep shifrat e arrestimit të të rinjve dhe të miturve në vitin 2018

Gjatë vitit që kemi lënë pas, 2018, Policia e Kosovës ka arrestuar 784 fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjecare për përfshirjen në vepra penale, ku 750 prej tyre ishin meshkuj dhe 34 femra.

Kjo është bërë e ditur në një takim që kanë pasur zyrtarë të Policisë së Kosovës, si fushatë vetëdijesuese kundër narkotikëve te të rinjtë dhe për siguri në shkolla. Më tutje në raport është thënë se për dyshim në posedim apo shitje të paautorizuar të narkotikëve janë arrestuar  984 persona , prej tyre 194 nxënës.

Por, krahas narkotikëve, një tjetër shkak që të rinjve në Kosovë i vihen prangat janë edhe përfshirja në përleshje fizike me lëndime trupore, vjedhje dhe vrasje.

Gjatë vitit të kaluar, nën dyshimet për përfshirje në raste të vrasjeve janë arrestuar 20 të mitur, për shkaktim të lëndimeve të lehta trupore janë arrestuar 221 persona të mitur, ndërsa për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, janë arrestuar 37 të tjerë.

Për përfshirje në veprat penale kundër pasurisë, ku bëjnë pjesë vjedhjet, më 2018 janë arrestuar 187 të mitur. Për dhunim seksual është arrestuar një (1) i mitur, për sulm seksual katër (4) të tjerë dhe për vepra penale tjera që lidhen me këtë kategori janë arrestuar 30 të mitur.

Rajonet me më së shumti të mitur të arrestuar, sipas Policisë janë: Prishtina me 167 syresh, Peja me 149 dhe Mitrovica e Jugut me 132. Ndërsa rajonet tjera nuk arrijnë numër tre-shifrorë të të arrestuarve të kësaj kategorie (Gjilani 90; Gjakova 51; Ferizaj 44; Prizreni 37; Mitrovica e Veriut 6).

Personat e moshës 17 vjeç përbëjnë grupmoshën me numrin më të madh të të arrestuarve, me 442 të prangosur gjatë vitit 2018. Ndërkohë, 208 nga totali i të miturve të arrestuar, kanë qenë të moshës 16- vjeçare, kurse 98 persona të moshës 15- vjeçare, ndërkaq 53 të moshës 14-vjeçare dhe tre të tjerë më të rinj.