Poezi: Shëtitje nëpër pikturat e Nazmi Hetës

Shëtitje nëpër pikturat e Nazmi Hetës

Ngjitemi shkallëve
Të Bibliotekës Kombëtare,
Bashkë me artistin
Në ekspozitën e tij të hapur.

Në hyrje shohim
Ca portrete prijatare,
Skënderbeu, Ismail Qemali,
Adem Jashari e Fehmi Lladrovci.

Vazhdojmë hedhim sytë
Diku, pak më tutje,
Te peisazhi mbresëlënës
Aty “Te Molla e Kuqe”.

Pak më tej një lule
Para majave të larta që mbajnë borën,
Si plisa kreshnikësh
E stinë e pranverës po e vazhdon këngën.

Pastaj vazhdojmë shëtinë
Nëpër peisazhe mahnitëse,
Në netë me dritë hëne
Ku çdo gjë shndërit e frymon në paqe.

Kalojmë nëpër shtigje,
Nëpër një lumë, një vig, një hon
Papritur shohim edhe
Syrin e qiellit që loton.

Ecim nëpër dimër me borën kurorë
Mes malesh e mes ujërave,
Për të mos ndjerë acar
Afër njëra-tjetrës rrijnë kasolla me kasollë.

Diku një gjuetar
Me dy qentë pranë tij,
Me pushkën në dorë
S’dihet se kujt tash i ka zënë pritë.

Endemi nëpër stinë e peisazhe
Sa këtu, sa atje
Çdokund veten e ndjejmë mirë
Me penelin e vet piktori, na magjeps, na deh.