Poeti Dan Kosumi, kryetari i ri i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër

Në Kuvendin e 6- zgjedhor, shoqata pos që pati një raporte për aktivitetin e deritashëm, zgjodhi edhe kryesinë si dhe përcaktoi detyrat e veprimtarisë së ardhshme 

 Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Para një numri relativisht të vogël krijuesish, dje në Qendrën e Kulturës në Cyrih i zhvilloi punimet Kuvendi i 6-të zgjedhor i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Paraprakisht me një minutë heshtje u nderua poeti ynë kombëtar, që sapo ndërroi jetë, Dritëro Agolli. Më pas përshëndeti drejtoresha e Qendrës së Kulturës së Kosovës, zonja Shukrije Ramadani, duke premtuar mbështetjen e qendrës. Kryetari i deritashëm poeti Shaip Beqiri mbajti një fjalë rasti ku foli për aktivitetin e shoqatës midis dy kuvendeve, duke vu në pah si sukseset ashtu edhe vështirësitë, ndër të cilat u ndalë edhe te pjesëmarrjen e vogël e krijuesve, si pasojë e një ndarje që ka ndodhur brenda shoqatës. Porse, siç potencoi ai, për këtë nuk ndien përgjegjësi ngase shoqata ka qenë e hapur dhe e pranueshme për të gjithë.

Ndërkaq poeti, Bujar Salihu foli për aktivitetet e zhvilluara në këtë periudhë, duke veçuar organizimet në kuadër të 70 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ymer Shkrelit dhe simpoziumin kushtuar 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. U përmend gjithashtu se ka munguar edhe mbështetja financiare nga disa asociacione e ministri përkatëse që e patën premtuar paraprakisht mbështetje financiare.

Gjithsej ishin 14 pjesëmarrës me të drejtë vote në këtë kuvend nga të cilët edhe doli kryesia e re prej pesë anëtarësh. Për kryetar u zgjodh poeti Dan Kosumi i cili pasi falënderoi për besimin paraqiti një program të hollësishëm për aktivitetin e ardhshëm. Ndërsa për nënkryetar u zgjodh  Gani Bytyçi, sekretar Muharrem Blakaj, ndërsa në sektorin financiar u zgjodhën Brahim Avdyli arkëtar dhe Tone Berisha e Murat Ajvazi, këshillues ekonomik dhe anëtar kryesie.