Piktori nga Dardana hapi një ekspozitë mbresëlënëse në Cyrih

Ekspozita me emërtimin “Vakum” e piktorit akademik Avdi Hajdari, i diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, me gjithsejtë 21 punime në masë plastike do të jetë e hapur deri më 29 Maj 
Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në Zvicër nga viti në vit po shtohet numri i artistëve tanë në fushën e artit figurativ. Ata shquhen veçmas me ekspozita personale e pjesëmarrje në evenimente të tilla kolektive.
Një ekspozitë në pjesën e vjetër të Cyrihut ( më 24 maj) e hapi edhe piktori akademik Avdi Hajdarit, i lindur në Kamenicë të Kosovës e që ka të mbaruar Fakultetin e Arteve, në drejtimin e pikturës në klasën e profesorit Tahir Emra.

Me rastin e hapjes së ekspozitës me titull: “Vakumi”, në “Galerie am Lindenhof”, merrte pjesë një numri të konsiderueshëm artdashësish shqiptarë e zviceranë. I pranishëm ishte edhe vet kurator i kësaj, Kushtrim Zeqiri nga Gjilan, që kishte ardhur posaçërisht për këtë ngjarje kulturore në Cyrih. Kushtrimi në bashkëpunim me autorin e ekspozitës kishin arritur që ti ofrojnë publikut një realizim të bukur artistik, të prezantuar me shumë shije e përmbajtje.
Mbi 20 piktura të punuara me një teknikë unike- masë plastike me vakum (që përdoret kryesisht për ambalazhim), përbëjnë sfondin e veprës artistike të piktorit Avdi Hajdari në këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm kulturore, por edhe sa i përket imazhit tonë në shtetin helvetik.
Përndryshe, ekspozita do të jetë e hapur deri më 29 maj, sipas këtij orari në këtë adresë: Galerie am Lindenhof , Pfalzgasse 3/ 8001 Zürich: E enjte/ e premte / 12.00 – 19.00, e shtunë /e diele 11.00 – 19.00 dhe e hënë 12.00 – 19.00 ( Për informata më të hollësishme: T: 044 210 12 1)