Blerim Rrecaj: Të mbjellim e të kultivojmë mirësi

Të mbjellim e të kultivojmë mirësi

Dikush e hapi derën. Kah ora tetë e mëngjesit. Pasi kapërceu pragun u përshëndet me dikë që ngjitej shkallëve. E vetë zbriste. Kur hapi derën e njërës portë të ndërtesës, doli në hapësirën e betontë të shumëkatësheve mbushur me vetura. Hodhi një vështrim rrethepërqark. Matanë murit, në shtëpinë e fqinjit, pa fqinjin e moshuar me dikë, me një shkallë të gjatë druri, mbështetur për murit të pjesës anësore të shtëpisë së tij, njëri hipur në të e tjetri poshtë saj, mbanin shikimin nën trarin e çatisë. U afrua. Pas ca përpjekjeve dy bamirësit arritën ta nxirrnin këmbën e pëllumbit që kishte mbetur aty dhe pas kësaj ndihme, pëllumbi u çlirua, fluturoi lirshëm e vrullshëm nëpër qiell derisa humbi sysh, u përzie me pëllumbat e tjerë dhe më nuk njihej se cili ishte.

Fqinji tjetër rrëfeu se nga ballkoni i epërm i banesës së tij, kishte parë pëllumbin që rrahte krahët pareshtur duke qëndruar në një vend dhe tash ishte i kënaqur se veprimi i tij kishte rezultuar me sukses. I ushqyer nga ky akt mirësie u përshëndet me fqinjët duke i përgëzuar për gjestin human e fisnik dhe vazhdoi për ku ishte nisur. Doli në stacion, hipi në një taksi dhe vazhdoi për në kryeqytet. Shpëtimi i pëllumbit i vërtitej nëpër mend, dhe këtë ndodhi që pati përfundim të mirë e të lumtur e parafytyronte derisa shihte fluturimet e shpendëve që shihte edhe pasi zbriti nga vetura. Zbriti para urës në hyrje të kryeqytetit, mori udhë në drejtim të Stacionit Ndërurban të Autobusëve në Prishtinë dhe hyri brenda tij. Aty si zakonisht, udhëtarë që prisnin e mbërrinin, autobusë që vinin e largoheshin, qentë që ecnin a shtriheshin në ndonjë pjesë të gjelbëruar, a në mjedis asfalti, që dremisnin, flinin e koteshin, trumcakë, pëllumba që endeshin peronëve e hapësirave përreth. U ul në njërën nga ulëset përpara kësaj fontane të shuar që nuk hidhte ujët përpjetë, mbase për shkak të temperaturave të ulëta ende nuk e kishin lëshuar. Në një mur para ca dyqaneve pa një tablo, një pikturë, një mural, ku dikush me çadër në dorë, i cili e kishte vënë mbi kokën e dikujt që kishte më shumë nevojë për të. Pastaj, u ngrit, eci pak, dhe pas pak pa autobusin që vinte, u ndal e zbriti miku i tij. Pasi u përshëndetën, i tregoi për ndodhinë me pëllumbin. Të dy pastaj kujtuan një varg ngjarjesh e ndodhishë që në qendër kishin humanizmin, njerëzoren, qoftë këto ndodhi të përjetuara, a të dëgjuara prej të tjerëve. Miku i tregoi për një gjest fisnik të shoferit të autobusit, që kishte ndalë autobusin para një të riu i cili kalonte rrugën me dëgjuese në vesh, pra shoferi kishte zbritur e kishte folur me të riun, duke e bindur atë se mbajtja e dëgjueseve derisa kalonte rrugën ishte e rrezikshme dhe mund të sillte pasoja të mëdha, për t’u kthyer tek timoni dhe udhëtarët që prisnin, që e pritën dhe e mirëkuptuan për veprimin e tij.  Dhe sikur fjala që nxirrte fjalën dhe ngjarja nxirrte e nxiste ngjarjen. U tregua edhe një e tillë e përjetuar. Një polic i Kosovës një ditë me shi, kishte ndalur një prind me një fëmijë që qante, kishte folur pak me të, duke ia dhënë kapelën e tij, ia kishte kthyer buzëqeshjen, duke e porositur se herën tjetër është mirë të mos shkonte pa i bërë detyrat në shkollë. Folën e folën sa doli një mozaik i bukur me ngjarje të tilla, ushqyese e frymëzuese, për sa e sa zgjatje duarsh në ndihmë të të tjerëve, sa e sa guximin e mësyerjen drejt situatave kritike e dramatike, sa e sa gjetjen e kthyerjen e gjërave të humbura, sa e sa ndërhyrjet për të shuar konflikte e keqkuptime, sa e sa fjalët paralajmëruese për të moslënien e mosrënien dtejt humnerave. U çuditën se si kaq shumë hapësirë nëpër medie po i kushtohet kronikave jo të bardha, e duke i vendosur ato kohë e pakohl, vend e pa vend, rend e pa rend, shpeshherë pa përfillur rregulla elementare e shkelur etikën pa pikë mëshire, duke sjellur mjaft kokëçarje e turbullimë, në këto kohëra jo të lehta e me plot të papritura. Pra erdhën në një konstatim se ndjellja e të mirës në këtë vend të mirë e me njerëz kaq të mirë kishte e ka rëndësi  të madhe dhe përshfaqja e tyre do të ndikonte pozitivisht në këto kohëra të turbullta që kanë kapluar njerëzit e njerëzimin në përgjithësi.