Për pengesat e përafrimit

Ndarjet, përçarjet, largimi, moskuptimi, keqkuptimi, kleçkat, ndërskamcat, grackat, grindjet, kundërthëniet, kundërvëniet, ndërsymjet mes njerëzve, e sidomos mes pjesëtarëve të një kombi, siç janë shqiptarët, janë ato pikat e ndjeshme për të cilat do të përpiqemi të themi diçka edhe këtë herë. Ndonëse pa qejf e dëshirë, se disi po jemi në mes të kufirit mëdyshës, se mos po rrëshqasim, kah e padëshirueshmja, duke bërë “shumë zhurmë për asgjë”.

Ndonëse gjendja në terren për t’i ndërsyer shqiptarët mes vete, duket e pashpresë për cytësit e mjerë, prapëseprapë po duhet kujdes i shtuar, për mos lënë shtigje për persona e qarqe të llojllojshme për të mos i lënë për të futur ferra në këmbë të shëndosha, të cilat sigurisht do pengojnë ecjen tonë të natyrshme. Rilindasit tanë të mëparshmit e të tanishmit, kanë trajtuar me seriozitet këto çështje, duke mos i lënë të shndrrohen në sëmundje që do të na shkërmoqnin, për t’u bërë pastaj pre e lehtë e lodra për hijena e çakallë të mundshëm, që kanë synime grabitçare e shoveniste.

Dëmet që janë bërë e po bëhen duke u përpjekur të goditen shqiptarët nga vetë shqiptarët!, edhe në këtë kohë, të pakësohen e të largohen, si farëra të këqija, si pemët të kalbura e të krimbura, si zjarre që djegin ara të mbjellura e pyje, bjeshkë e male, si ndotës e mbeturina që mbulojnë tokën, lundrojnë lumenjve a detrave, për të lënë pas pasoja e veta, të pakënfshme e jo të lehta. Për të mos u bërë helaqë, edhe për këto deformime duhet të gjejmë ilaçin shërimsjellës.

Është shumë e habitshme e alarmante, kur alamet njeriu, me alamet shkolle e profesioni, përvoje, a çfardoqoftë ky farë alamet adaleti, kur për interesa të ngushta e meskine, për ndonjëfarë egoizmi jo të shëndoshë, qoftë nga rruga, kafeneja, nga rrjetet sociale a mediet, lëshon fjalët sikur lopa bajgat, a dhitë kakërdhitë, (ndonëse me to plehërohet toka),  qoftë në Tiranë, Shkup, Prishtinë, e në cilëndo pjesë të hapësirës shqiptare se “ne për ta jemi si nata me ditë, ne jemi larg tyre me kilometra, jemi shumë më përpara”,  si të fliste për zbulim Amerike a kushediseçfarë zbulimi epokal, për të lënë pas atë shiijen e hidhur për të cilën Sami Frashëri, thotë se fjalët e keqdashësit janë si qymyri, ato edhe po s’të dogjën të nxijnë. E vetëm me rastis me i ndëgju ose has diku seç do na nxisin të vjellura. Ndonjëherë këta tipa që s’durohen e nxihen ngushtë nga ndokush që ua përplas fjalët që thonë përfytyre, ata çarten e dalin jashtë kontrolli, me një fjalë “bërrliven”, siç do të thoshin medvegjasit a preshevarët.

Edhe tinëzisht, edhe marrëzisht, edhe dhelpërisht, përpiqen të ndjellin çorientim, për në rrugën e pakuptimtë, të një rrahagjokësie sa të bezdisshme, po aq qesharake të cilës i ka dalë boja.

Na bie në mend një copë bisede, kur shumë mure, rrethoja, perde kanë rënë. Shumë tjera ende me zor mbahen në këmbë. Po ato nuk do t’i lejojmë të lëshojnë rrënjë. Kur peta i është hequr lakrorit e televizorit. E kjo sikur sqaron se përgjithësimet nuk na kanë hije, e as mbiçmimi e nënçmimi i vetvetes, as parcializmi, inferioriteti, defetizmi,  me gjithë të metat e problemet, me gjithë pikat e forta e ato të ndritura, e me gjithë këtë përparim e përafrim që është arritur me kaq mundim, sakrificë, djersë e gjak.

-Shqiptarët  nuk janë kërkah,-tha dikush, sa për të thënë diç.
– Po ti çka je?, – e pyet tjetri që e ka pranë.
– Shqiptar!, – i thotë.
-A je i sigurt!?
-Po, patjetër!
-Ti, kërkund s’qenke, tash për tash o vëlla!

Të qeshura e një heshtjeje medituese, pas këtij bashkëbisedimi, me tone filozofie e ironie.

Më tej, vazhdon biseda për ndarjen e shapit nga sheqeri, për mos futjen në thes të një grupi, lagjeje, rajoni, krahine, e të gjithë atdheut, se këtë ndarje duhet ta marrë vesh edhe më mendjelehti, dhe të cilit i kanë mbetur dy fije mend.

Flitet për përafruesit e përlarguesit e kombit tonë, që në këtë kohë me dukshmëri të kënaqshme, e po t’i shohim me thjerëz a mikroskop do të duken mikrobe të zëna ngushtë.

T’i largojmë, përlargojmë, ndalojmë e parandalojmë të zezat, mikrobet, ferrat, që na mbulojnë shtëpitë, e na zënë dritën e diellit.

Të afrohemi e përafrohemi për të mira, të mbara, vlera, ta afrojmë dinjitetin e mirëqenien te dyert e portat tona.

Rruga e drejtë duket e dihet se cila është. Ruajtje e vendit, e vlerave, siguri, zjvillim, përparim. Ndonëse kjo rrugë nuk është e shtruar me lule, por ende me plot lakesa e pengesa. E natyrshme që të ketë pajtime e mospajtime për të, për mënyrën e strategjitë, por jo të shkojë puna deri aty ku të bëhemi pengesë e pakapërcyeshme për njëri-tjetrin, në rrugëtimin e përbashkët me sa e sa përpjekjet, betejat, kryengritjet, luftërat, rëniet, ngritjet, humbjet, fitoret, sukseset, streset, traumat, një rrugëtim parasegjithash i dhembshëm e krenar.

Përafrimi mes nesh s’ka alternativë, sa më të bashkuar të jemi, aq më shumë do të mbledhim energji për të vazhduar kah zhvillimi, përparimi e mirëqenia, kah kjo rrugë kaq e dëshiruar e që çdo herë lë për të dëshiruar, në përjetësinë e të rrahurave të zemrës së mëmëdheut…