PAVARËSIA NËPËR PËRVJETORË

PAVARËSIA NËPËR PËRVJETORË

(Ose plotësim i një shënimi të mëparshëm)

Pavarësia u shpall. Shumë gjëra i paraprinë.

Dhe sigurisht e jo vetëm në këto ditë na takon neve, t’i nderojmë e kujtojmë të parët, mësuesit, martirët, dëshmorët e luftëtarët, dhe të kujdesemi që Pavarësia të rritet si lulebukura më e mirë. 

Po kaloj paksa në rrëfime personale. Vetpyes e vetpërgjigjem se ku isha unë atë ditë. Pas një ndërhryjeje brisku nga mjekët në njërën nga këmbët e mia nuk pata mundur të dilja t’i bashkohesha atmosferës që mbretëronte, pra për shkaqe shëndetësore. Këmba e djathtë kishte kohë që më dhimbte në atë vend nën gju, që nga shkolla e mesme. Ky shpjegim më duket i mjaftueshëm, dhe pastaj gjithçka shkoi mirë. Ndërkohë ardhja  e vëllaut nga Gjermania të shtunën, një ditë para shpalljes, ishte e paparalajmëruar. Shtoi gjallërinë e emocionet. Ndërsa vëllezërit e mi dolën në shesh për të pritur e për të festuar pas shpalljes, me vëllezërit e të gjitha trojeve tona,  kujtoj  të kem parë shumë nga televizori pamjet që na i shfaqte ekrani. Por edhe të kem dalë në ballkonin e banesës duke valëvitur flamurin kuqezi, “ma zi”, në fakt “ma bardh” se një fëmijë. Duke parë edhe vargje makinash në drejtim të kryeqytetit ku bëhej kryefesta. Në mendje pos tjerash, më kanë mbetur edhe ngasja me shpejtësi dhe flamuj kombëtar të një vargu të asaj kolone që e ngisnin njerëz nga komuniteti ashkalinj. Festonin të gjithë dashamirët e lirisë. Më pas përvjetorin e parë e patëm pritur të kurorëzuar edhe me atmosferën e një fejese familjare. Në shënimin e ngjarjeve të rëndësishme na hyri në mes dhe një datë e re. Me një shëti në mbrëmje dhe dërgimin me e-mail e një shkrimi me përshkrime atmosfere të asaj gazete bashkatdhetarësh, diku në Perëndim, më saktësisht në Zvicër.

Përvjetorin e dytë e patëm kaluar duke parë ndeshjen e futbollit të një kombi tash me dy shtete: Kosovë-Shqipëri, me njërin nga shokët e mi. Edhe për këtë përvjetor të radhës patëm lënë gjurmë shkrimesh me dromca kujtimesh. Dhe kalojnë vite e kalojnë, nga përvjetori në përvjetor. Me një lloj tundimi për t’u shprehur, se si ka shkuar koha, si na ka gjetur, sa jemi të (pa)kënaqur, ku kemi shkuar përpara e ku kemi ngecur. Dhe, ja ku na sollën valët e jetës.

Është 16 shkurt 2011. A do të vërejmë ndonjë mënyrë ose ndonjë gjë të mirë nga manifetismet që organizohen (fjala organizim fjalë që sjell mjaft kokëçarje e mundim) për këtë ditë. Sepse ato për nder e sa për nder më thënë siç duket do t’i kemi me tepri e me “copy paste” si më parë. Duke ardhë rrugës nga xhamat e asaj veture pashë mjaft pëllumba jo asi që i kishte lëshuar dikush ose asi që i quajmë të butë por pëllumba që krysisht vetë kujdesen për veten, e rrijnë fshatrave, arave, fushave, rrugëve e qyteteve. Ata qëndronin shkurt pas aterimit mbi pllaka reklamash por edhe mbi billborde në “Dardani” dhe “Lakrishte”. Ndoshta ka prej tyre që edhe mund të qëndrojnë edhe mbi billbordin ku shkruhet “URIME TREVJETORI I…”. 

Derisa flamujt valojnë, pëllumbat vazhdojnë të enden në stilin e një parade ushtarake duke parakaluar para statujës e fotos së kryetarit amerikan të cilit i është servuar një kafe. Për të vazhduar te butiku “Hillary”. Ndoshta për të shkuar e për të çakatur mbi ato reklama çipsash e pashtetash, që rrijnë për mure ndërtesash.  Dhe për të vazhduar lëvizjet nëpër Kosovë,  e për t’u përgatitur për ditën e nesërme… 

Dhe e nesërmja vjen e bëhet e sotme, e ca vite më vonë vije ky president bashkë me sekretaren e shtetit të tyre dhe mbajnë një fjalim para shtatores së tij, ku gjetëm të mbjellura ca fidane drunjësh në atë copë toke aty përreth, ku do jemi pak më vonë, pasi na thanë të dilnim t’i prisnim e dolëm së bashku si kolektiv nga objekti i ndërrmarrjes publike, aty fare pranë. Ndonëse shenjat e një fushate zgjedhjesh na kanë ngacmuar plagë ndarjeje e përçarjeje, si më parë. Por sidoqoftë të përpiqemi e të punojmë që me mençuri t’i tejkalojmë. Pas fjalimit e kësaj kësaj ceremonie ndalem me një shok, në një kafe aty pranë, i cili shoqëronte një gazetare japoneze që kishte ardhur për të mësuar edhe për Kosovën e këtyre ditëve, për rrugëtimin si e pavarur në mesin e të pavarurave. 

Dhe kalojnë ditë e kalojnë vite, ta shohim se ku mbërritëm. 

Derisa e shoh edhe njëherë këtë përshkrim të thjeshtë, paskan kaluar vjet e vjet, saqë “sa hap e mbyll sytë”, arritëm edhe te përvjetori i gjashtëmbëdhjetë. Ky pragpërvjetori më gjeti te vëllau në Gjermaninë e bashkuar e të përparuar ku kam ardhur për vizitë. Pashë e po shoh shumë gjëra, shumë vlera, punë, paqe, pastërti, kulturë, monumente njerëzish, kafshësh e shpezësh, hapësira, fabrika, parqe, biblioteka, fusha sportive, toka të punuara çdoku, vreshta, male, rrugë, shtigje të gjata këmbësorësh e biçiklistësh, por edhe protesta bujqësish duke kaluar rrugëve me traktorë të mëdhenj, probleme, lumenj e liqene që shkëlqejnë fytyrëpastra e ta shohësh veten në ta si në pasqyrë ke dëshirë, ku askush s’pengon njëri tjetrin, e askush askujt s’ia zë diellin, (kjo ma kujton librin me poezi “Zvicra-Shqipëria ime” të Vehbi Skënderit), nga të cilat do të mund të mësonte Atmëmëdheu ky yni shpirt. 

Para fundit të këtij shënimi një pamje nga festimi i këtij përvjetori, këtu ku më gjeti po kërkoj e ndoshta e gjej e ia vlen. Në fillim të këtij shkrimi Pavarësina u krahasua me një lule që çel në pragpranverë, te e cila tash po afrohem për ta parë në vendin ku po vazhdoj të rri, tash dy javë, dhe menjëherë pas datës 17 shkurt, më pret njëri nga aeroplanët për t’u rikthyer.