Mahmud Toro, i lindur në Stamboll, që misionin e mësuesit do ta vazhdojë në Strugë (24)

Në përfundim të fejtonit kushtuar mësuesve nga Shqipëria që shërbyen në shkollat e para shqipe në trojet etnike, kësaj radhe me disa rreshta kushtuar, Mahmud Toro, që në vitin 1942 emërohet mësues i shkollës fillore shqipe (unike) të Strugës, ku qëndroi dy vjet, duke iu përgjigj Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për të shërbyer në “Tokat e Lirueme” gjatë Luftës së Dytë Botërore

Shkruan: Bardhyl Adem Selimi  

Sipas nipit të tij, ing. Elton Toros, Mahmud Toro ka lindur në Stamboll në janar 1912. Shkollën e mesme e ka kryer në Kavajë, në Ish Tekniken Bujqësore Amerikane. Zotërimi i anglishtes i mundësoi atij të jepte mësim në shkolla të ndryshme të Shqipërisë. Në vitin 1942 emërohet mësues i shkollës fillore shqipe (unike) të Strugës, ku qëndroi dy vjet së bashku me bashkëshorten, Zehranë.

-Gjyshi, tregon Eltoni u kthye në Shqipëri me kujtimet më të mira për nxënësit struganë dhe kolegët me të cilët organizonin rregullisht ekskursione dhe shëtitje me varkë në liqen. Ish nxënësit e tij e ftuan Mahmudin në vitin 1993 për vizitë në Strugë, ku e pritën me nderime të mëdha, së bashku me Zehranë.

Periudhën para daljes në pension Mahmud Toro e kaloi si pedagog i anglishtes në Ish Institutin Bujqësor në Kamzë të Tiranës. Në vitin 1997 i vdiq e shoqja, Zehraja, ndërsa në vitin 1999 ndërroi jetë edhe vetë.

Kujtime kam edhe unë, Bardhyli, ish fqi i Mahmudit e familjes së tij që nga viti 1973.

Atëhere Mahmudi jetonte me të birin, Ing. Farukun, pedagog në Fakultetin e Ingjinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Tiranës, bashkëshorten, Nevinën, ing. ndërtimi gjithashtu , nipin Elton dhe mbesën Elona.

Faruku mori një hyrje dy dhoma e një kuzhinë në katin e parë ngjitur me hyrjen tonë. Zehraja, nga Fushëbardha malore e Gjirokastrës, ishte një zonjë shumë e dashur me fqinjët, sidomos me ne, vinte për ditë dhe bisedonte me time shoqe ose nënën që kujdesej për djalin tim të parë, të porsa lindur. Mahmudi ishte një burrë i urtë, rrallë bënte vizita te fqinjët. Unë shkoja te ai, pasi më tërhiqte kultura e thellë që kishte. E porosisja të ma blinte gazetën çdo ditë edhe për mua duke e paguar paradhënie për gjithë muajin. Në fund ai më tregonte llogarinë fill e për pe, me aq ndershmëri! Ndiqnim bashkë ndonjë ndeshje sporti në TV, ose koncerte me muzikë popullore. Mahmudi dhe Zehraja ishin banorët më të moçëm të pallatit tonë me 20 hyrje, që rrinin gjithë ditën në shtëpi, ndërsa gjithë ne të tjerët ishim relativisht të rinj dhe shkonim në punë.

Por kurrë ndonjëherë ai nuk më kish treguar se kishte dhënë mësim në Maqedoni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sepse kjo temë ishte bërë disi “tabu”, mund të hidhte dyshime për të sidomos për të birin që jepte mësim në universitet. Krahinat shqiptare jashtë atdheut as që guxohej të përmendeshin, edhe nëpër këngë! Ky ishte një nga absurdet e regjimit enverist atë kohë të gjatë!

Në foto: 1)Mahmud Toro, djathtas me një koleg 2) Në foton kolektive janë mësues në Strug, së bashku me bashkëshortët, përfshirë dhe Mahmudin me Zehranë 

 (Portali “prointega” falënderon profesor Bardhyl Adem Selimin për këtë shkrim)