Ornela Radovicka: mbi veprën e Prof. Dr. Isak Shema “Identitete letrare I”

                     (Nga fusha: Studime të Letërsisë Shqipe )

Kur fillova ta lexoj këtë libër nuk po e kuptoja pse fantazia ime po e perceptonte si një tryezë letrare-shkencore kushtuar shkencë së letërsisë, ku  merrnin pjesë  shumë autorë dhe studiues të letërsisë. Në ballë të kësaj tryeze është Faik Konica, elegant, me një pamje serioze, elegant. Fëmijëria e tij  kalon në labirinte linguistike. Fillon me gjuhën arabishte në qytezën e tij, kalon në  shkollë të Jezuitëve të Shkodrës ku mëson greqisht, dhe që andej në  Licenë imperiale të Galata Serajit në Stamboll ku u njoh me gjuhën frënge.

Nxënës i Lyces de Carcassoune dhe në College de Lisieux dhe më vonë student në Universitetin  Dijon. Fitoi gradën „Bachelor i Letrave e i Filozofisë“ dhe më vonë një mot, pa mundim, diplomën e rëndë „Master of Arts“ të Universitetit Harvard.

Në shpirt  i vibrojnë  ende partiturat e pentagramet e organo-s në kishën katolike të Francës. Udhëtimet  Bruksel, Londër  i qëndrojnë si bemol në identitetin e tij.  

Në dorë  demonstron  veprën  gjigande të Revistës “Albania”. Entuziast, për kopertinën e revistës, realizuar nga miku i tij belg Nocquet. Figura  qendrore, vendosur në plan të parë  ishte një çift  shqiptar, burri i pikturuar me fustanellë dhe gruaja  me kostumin  kombëtar së krahinës së Jugut. Portreti i Skënderbeut është vendosur në kornizë të rrumbullakët, të cilën e rrethon një shirit me mbishkrimin: Gjergj Kastrioti i thanun Skënderbeg.

Franca ishte vendi i revolucionit dhe ai në formimin e tij zgjodhi  rebelimin, kryengritjen.  Por edhe Franca në veshjen e tij po  ndjente se i rrinte ngushtë. Miku i tij belg Paul Nocquet, i sugjeron Brukselin. Belgjika  ishte në atë kohë vendi më i lirë për botimin e revistës,  bile edhe më i lirë se Parisi…

 Më në fund, edhe  „Një shqiptar në Bruksel“, në  rrugën Saint-Bernard,87.   Ishte  viti 1896  kur nis „Albanien“, por gjithmonë “ duke mejtuar për Shqipërinë”. “Albania”  e tij  kishte vënë në thumb „Armiqtë e Shqipërisë“ dhe veçanërisht kishte hapur front të gjerë, për ta demaskuar politikën e Turqisë. „Anadollaku në mësallë“, që kishte zënë rrënjë  në Shqipëri,  si edhe ato synimet grabitqare të shteteve të tjera borgjeze. „Un condamne a mort qui s’en fiche“ (Një i dënuar me vdekje të cilit s‘ i bëhet vonë“, do të shkruante  „La Chronique“ e Brukselit e datës 1 gusht 1901.

Shpesh herë  larg, atyre rrëmujave  „Anës liqenit“ , ishte  në shoqërinë e ndonjë bukurosheje franceze, dhe herë- herë nën vetminë  e tij  bluhej „Malli i Atdheut“ dhe „Flamuri“

Konica mendon fatet e kombit. Preokupohet për gjuhën, bazën e identitetit,   jep idenë për standardizimin e  gjuhës shqipe, historia e alfabetit të shqipes, themelimin e gjuhës letrare,  hedh bazat e kritikës letrare. Në ndërgjegjen e tij është i bindur se një gjuhë e përbashkët do të forcojë Kombin. “Shqipëria ka një flamur authentik”, do të  thërriste Konica,  duke zbuluar flamurin shqiptar  në ditën e acartë 15 shkurt 1909. Konica,  ulet krahë Barletit  dhe mëson për historinë, hulumton për portretin autentik  të Skënderbeut dhe armët e tij. “Në  Udhëtimin e tij nis  “Odise-në”. Dymbëdhjetë vëllimet e “Albanisë’, në dy kolona herkuliane, përfshijnë 4654 faqe. Nën “ Hijen e hurmave”,   “Një mijë e një netë” , ulet me Senekën, dhe kupton më së miri  indiferencën ndaj të varfërve dhe  padrejtësisë sociale që ekziston nga kjo botë. Përforcon më tepër pozicionin  social  me Hugon,  rrëmbehet nga teatri i Plautit,  plotëson botëkuptimin e tij  me Shekspeare,  dhe gjen venën atdhetare me Barletin, Bajronin, Valter Skotin, etj.

Në momentet e errëta, mbështillet me  ngrohtësi te Shopenhauri ,që edhe kur je  pesimist duhet të ndjesh lumturinë. Nis e penetron në veprat e disa shkrimtarëve të letërsisë botërore,: Kalidasa, Pjer de Ronsar, La Bryer, Hajne, Sheli, Shiler etj. e në fragmente të veprës së Hesiodit. Shqipëroi tekste të Senekës, të Tit Livit, të Plautit, të Terencit, të Marin Barletit, të Bajronit, të Shekspirit, të Valter Skotit, të Ben Gjonsonit, të La Fontenit, të Villarit, të Bomarshesë, të Montenjit, të Lavardinit, të Gëtes .

Konica zbavitet me  La  Fontenin, dhe në vazhdim të udhëtimit  nuk zgjedh asnjë  kafshë,  por shkon te Servantesi,  shumë shpejt  kupton që bota është plot me Don Kishota e  Sanço Panço. Miqtë francezë e adhurojnë. Apolineri  thotë hapur “Është shqiptari më erudit i Evropës”, dhe “enciklopedi lëvizëse”.

Edhe pse shpesh i zhgënjyer, se si shkonin punët ndaj Atdheut ,Konica nuk u mbyll kurrë në vetvete, ai krijoi dhe mbajti kontakte me shumë personalitete si;  Fan S. Noli, At. Shtjefën Gjeçovi, Theodor Ippeni, Visarion Dodani, Baron Goluchowski,Ibrahim Temo, Z. Theohari, Asdreni, Gaspër Jakova ,Lef Nosi, Hristo D. Qiriazi, Z. Floqi, Aubrey Herberi, Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Sotir Noka, Constantin A. Demos, Dizdari, Loni Kristo, Kristo Kirka, Ibrahim Shyt, Dervish Dumës, Anton Logoreci, East Horsley, Mbreti Zog etj. Në epistolarin Konicës përfshihen edhe letrat dërguar: Aleksandër Xhuvanit, Andon Frashërit, Andon Zako Çajupit, Anselmo Lorekios, Anton Xanonit, Filip Shirokës, Gjergj Fishtës, Gjon Bazhdarit, Hil Mosit, Ismail Qemalit, Jeronim de Radës, Kolë Kamsit, Kristo P. Luarasit, Luigj Gurakuqit, Loni Logorit, Mati Logorecit, Midhat Frashërit, Mihail Gramenos, Milo Duçit, Murat Toptanit, Naim Frashërit, Ndoc Nikajt, Nelo Dizdarit, Nikolla Ivanajt, Nikolla Lakos, Nikolla Naços, Pandeli Evangjelit, Pashko Bardhit, Sami Frashërit, Sokol Bacit, Shahin Kolonjës, Tefë Curanit, Thoma Avramit, Viskë Babatasit, Zef Skiroit etj.

Konica nuk është një don Zhuan në miniaturë, por “  latin lover” europian.  Njihet me Sophie Annette Hygon,  dashurohet ,e me të dhe më 1897 kishte një djalë me emrin Henrik. Marie Forbes – Rodhna ishte një tjetër bukuroshe  e cila  vinte nga një  familje e pasur, dhe ndërsa e ëma e saj akuzonte, se Konica e shfrytëzonte, ajo vetë  kishte shprehur dëshirën të jetonte me të dashurin e saj, Konicën. 

Në këtë “ identitet letrar”  Konica del një personalitetet më i shquar i  artit

letrar dhe i kulturës evropiane të shekullit XX. Një epope punimesh i dha letërsisë.  Një epope  kontributi i dha me karakterin dhe veprimtarinë e tij.  Vëllimi i tretë i veprave të Faik Konicës, në 400 faqe përshin më shumë se 100 artikuj publicistikë. Konica shquhet si hulumtues dhe autor i zellshëm i shkrimeve për historinë e Shqipërisë.

 Konica është afirmuar si prozator me veprat „Katër përralla nga Zullulandi“, „Shqipëria si mu duk“, „Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mumurrasit“ dhe „Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës“, vepra këto të botuara pjesërisht në gazetën „Dielli“, apo të lëna në dorëshkrim, e të botuara në vitet e fundit.  Në dosjen e tij gjenden  ”Abetari shqip”, “Për gjuhen“, „Dialektet e Shqipërisë dhe nevoja e shkrirjes së tyre”, “Përparimi i shqipes”, “Për themelimin e një gjuhe letrare”, “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale” (botuar në Bruksel, më 1904 në gjuhën frënge (147 faqe). Dijetari, i cili me të drejtë është quajtur “princi i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare”

“Bibliografia e botimeve të Faik Konicës 1895-1942”, është hartuar më 1991 nga bibliografi i shquar shqiptar, Jup Kastrati, përmbledh 1583 njësi bibliografike.

 Në tavolinën e rrumbullakët në krah është edhe Aleks Stavre Drenova. Edhe ai me një pamje europiane, i butë në atë rrumbullakësinë e tij.  Një djaloshar i varfër, por fisnik në shpirt,  Aleks Savre Drenova.. Të gjithë  e thërrasin ASDREN.  Studimet  nuk  arriti t’i  mbarojë për shkak të kushteve ekonomike, si  patriot i flaktë. Vjen nga ai grup  shqiptarësh të Bukureshtit,  ku mendojnë se   “Politika dhe letërsia”  janë  binom themeltar në të mirën e kombit .   Në krijimtarinë e tij kur  bien „Kambana e Krujës“,  “Psallme  Murgu” këndohen, rrëfehen dhe shpresohen   me  “ Lot e ëndrra”, që  “ Një rreze Dielli” të bjerë me ne shqiptarët e të brohorasim   “ Ardhi  Dita”,  nën himnin e  “Betim mi Flamurin”, dhe ky flamur, Vllezër, është gati, ta ngremë, këtu në Bukuresht.

Është Korçar dhe  asnjë korçari nuk i del Korça nga shpirti dhe si i tillë, fshati , mali,  Drenova e tij ,do të jenë si një tatuazh i madh në shpirtin e Asdrenit.

Autori Shema e  ka pasurar këtë identitet letrar duke e shoqëruar, jo vetëm me vargje, por duke i ndarë ato sipas tematikave dhe duke i shoqëruar me faktet historike të kohës. 

Në faqet e këtij libri  profesor  Shema  përcjellë disa  përkthime të tij  letrare në gjuhën shqipe, vepra të autorëve botërorë si: Edmond de Amiçis, Teofil Gotje, Martin Vilandi etj. Ky shkrimtar, meqë ka merita të posaçme për zhvillimin e letërsisë shqipe, ka zënë vendin e merituar në historinë e letërsisë shqiptare. Prof. Shema  jo vetëm e ka shtjelluar jetën dhe veprën e tij, por edhe  e ka shoqëruar me dokumente arkivore veprën e tij të detajuar edhe me bibliografi.

Radha  e kumtesës i takon një djaloshi. Është krijuesi më i ri. Bie në sy, fizik u i tij i njomë, me një pamje euorapiane të kohës. Quhet Millosh Gjergj Nikolla‐ por Migjeni i pëlqen t’i thërrasin. Në dorë mban një  statujë;  “Merrnie dhe çonie

në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore

kushtonia ndokujt. Kushtonia atij që ka më shumë merita për

këtë vend! Po, ndoj ministrit o deputetit, e ndokujt tjetër… E në

rasë se nuk gjeni ndonjë njeri, që ka merita të mjaftueshme, atëherë

kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike”!

Nuk është kompozitor, por Kënga e tij , sa antike edhe moderne  e cila ju bashkua  këngët të tjera që vetë i pagëzoi me fjalën “Këngë”: Vargjet e lira“: „Parathënia e parathanieve“, „Kangët e ringjalljes“, „Kangët e mjerimit“,“Kangët e perëndimit“, „Kangët në vete“, „Kangët e rinis“, „Kangët e fundit“, „Copëza poezish“.

 Vepra e tij është pa filtra, në mënyrën më “ Crude”,  por mban  edhe ngjyra mistike. Ai vendos syrin e “ Shiva” në problemet sociale, është deri diku   poeti i psikologjisë së dhimbjes, së mjerimit.

Horizontin Migjeni e kishte kthyer nga Europa, ndjek rrymën e  simbolikës, ndoshta kishte lexuar Edmond de Amiçis, sjellë nga  Asdreni, apo kishte studiuar poetin              Rembaud.

Vargjet e tij,  në poezi e prozë, ishin shprehje e një roli të rëndësishëm në transformimin e gjuhës së poezisë moderne, duke prezantuar një eksplorim radikal dhe një rigorozitet të pa kompromis.

Këtë djalosh e admiroi Rexhep Qosja, Jorgo Bulo, Ismail Kadare, Anton Papleka.. por letërsia e tij tërhoqi një sërë hulumtues   autorë të kritikës letrare bashkëkohore. siç janë: Ali Aliu, Fatos Arapi, Vehbi Bala, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Anton Berisha, Nonda Bulka, Dionis Bubani, Jorgo Bulo, Jusuf Buxhovi, Kiço Blushi, Gani Bobi, Agim Cerga, Vojisllav Dançetoviq, Qemal Draçini, Bedri Dedja, Teki Dervishi, Gertruda Entrej, Sefedin Fetiu, Mark Gurakuqi, Xhevat Gega, Guiseppe Gradilone, Fahredin Gunga, Teufik Gjyli, Enver Gjerqeku,Thanas Gjika, Rexhep Hoxha, Hysni Hoxha, Rinush Idrizi, Petro Janura, Ali Demë Jasiqi, Nasho Jorgaqi, Ismail Kadare, Jup Kastrati, Alush Kamberi, Emin Kabashi, Adriatik Kallulli, Musa Kraja, Luan Kokona, Ramiz Kelmendi, Gjikë Kuqali, Mitrush Kuteli, Klara Kodra, Skënder Luarasi, Neki Lezha, Henrik Lacaj, Ali Llunji, Shevqet Musaraj, Filip Ndocaj, Shefik Osmani, Jeton Ostreni, Arshi Pipa, Loni Papa, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Mensur Raifi, Ibrahim Rugova, Guiseppe Schiro, Andrea Stefi, Zihni Sako, Drago Siliqi,Sterjo Spasse, Llazar Siliqi, Azem Shkreli, Dhimitër S. Shuteriqi,Dalan Shapllo, Andrea Varfi, Agim Vinca, Dhurata Xoxa, Dhimitër Xhuvani, Rexhep Zllatku, Moikom Zeqo etj

Migjeni- shton Prof Shema- në tërë krijimtarinë  origjinale  të tij, ka sjellë risi letrare në përmbajtje, në motivet dhe në temat e trajtuara, në mënyrën e trajtimit të tyre,në shprehjen figurative letrare, në vargëzimin shqip, në formësimin stilistik dhe gjuhësor dhe në tërësi në transponimin artistik. 

 Pas Migjenit radhën e fjalës e ka  Gjergj Fishta, merr  “Lahutën e Malcisë”, e nis e këndon ato këngë shkruar me ato shkronjat  që mblodhi në  Kongresin e Manastirit,  të cilat i pagëzoi “Hyjnore”, me atë gjuhë, spërkati me shpirtin e tij historinë e popullit, mbërtheu  mentalitetin e njerëzve, psikologjinë dhe shpirtin liridashës të tyre. Ngjeu doket, zakoneve,  me kolorin  gjuhësor të dialekteve dhe të folmeve karakteristike  dhe  fjalës  i dha dhunti morale, shpirtërore dhe artistike.

“Lahuta e Malcisë”, është një koncert recital, një Iliadë e kohëve moderne dhe ai nis e thur vargjet  Marash Ucit, kundër  pushtuesve të Malit të Zi,  pritë „Tek Ura e Rrazhincës“.  Ali Pashë Gucia, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Shan Deda, Abdullah Dreni Agamemnoni, Diomedi  i fton,  dhe  zëri më i bukur i tyre është  “Lidhaja  e Prizërenit” . „Eja t‘ kndojm më Lahutë t‘ Malcís, / Si ata Krenët e Shqyptarís / Në Prizrend na janë bashkue…  burrat mâ në shêj nga Gegnija e Tosknija dhe për t’u bashkue në Prizrend.  „… shk’a Gegní e shk’a Toskní“  jemi vetëm nji- përgjigjet Abdyli Frashëri. E,  âsht toka e t‘ Parve t‘ onë, / Asht Atdheu, po, i Skandërbegut, / Prandej s‘ ka as Krajl as Mbret, / Qi ket tokë e falë a e shet – klith nga shpirti  Fishta. ..

Vizioni poetik i korifeut të letërsisë shqiptare për Lidhjen e Prizrenit – shton profesor Shema- është koherent dhe përkon me rrjedhën historike të ngjarjeve të epokës së Lidhjes Shqiptare dhe me synimin shekullor të popullit shqiptar për liri kombëtare. Ideja themelore e poezisë së Fishtës, ajo e pathyeshmërisë së popullit, është sendërtuar me mjeshtri të rrallë poetike. Mbarështrimi i përmbajtjes së gjerë dhe të kondensuar, paraqitja e heroikës dhe e tragjikes njerëzore, spikatja e ideve qendrore të Rilindjes Kombëtare, veçoritë stilistike, gjuhësore dhe kompozicionale etj., kanë përcaktuar vlerën e lartë ideoartistike të veprës dhe kanë zgjuar interesim të jashtëzakonshëm, për Eposin, për rapsodinë dhe Fishta si njohës i mirë i saj. Lamberci, austriak,  kokoren e lartë të Homerit shqiptar  Fishtës prej moti ia jep..

Është ora e pushimit,  Lasgushi, Të rrëmben me pamjen e tij të butë, ku nuk kuptohet se lodhja apo vetmia mbretëron, por me një aparencë sa klasike aq edhe moderne. Shpirti i Lasgushit drejtohet  shpesh nga qielli dhe nis e  “Vallëzon me yjet” dhe ato i ngelen si xixëllonja pranvere në  zemrën e tij .  I afrohet mikut të tij  Eqrem  Çabejt,  për ta takuar. – “Të kam shok nga koh’ e vjetër Shok prej zemre -edhe prej gjaku…Shok të ri me besë plaku. Nuk kam, nuku ke tjetër. Miqësia jonë është e përjetshme.

 Lasgush- ju jeni  vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjerë tani, shkaku është se më të shumtët nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashurinë, do të vërtetohet thellësia e tij e pa shoqe, në mos sot, nga breza që do të vijnë”-  iu përgjigj  prof Çabej.

Aftësia e tij për të kapur bukurinë e jetës së natyrës,  gëzimin e momentit përmes një përdorimi të gjallë të ngjyrës  falë  dritës së shpirtit të tij  për vizionin e tij në melakoni ëmbël, por edhe  optimist,  në përkatjen e butë dhe harmonike të vargut, aftësinë për të futur një ndjesi lëvizjeje dhe ngrohtësie.

“ Mbi liqerin” e vezullueshëm dhe rrëzë malit ku gurgullon  “Kroi i Pogradecit”  Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir, përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije… e gurgullon Kroi mes malesh… atë pasdite,   është në shoqërimin edhe të  një djalosh nga Kosova, Isak Shema.

 Studiuesi i ardhshëm , Shema kishte shfaqur  dëshirën për ta takuar poetin dhe, për fatin tij të mirë, kjo kërkesë u realizua disa ditë më vonë, kur Lasgushi kishte ardhur në Tiranë. Në mendjen e të riut Shema, mbeti, figura e poetit  Poradeci, elegant e lirik në pendën e tij, patriot në përshkrimet e tij,  që çuditi Skocezët duke sjellë  Bernsin e tyre, përkthyer mjeshtërisht në Shqipërinë komuniste.

Poradeci nuk iu nënshtrua kurrë planeve të diktaturës. Shtypi i kohës e la të harruar. Vetëm në vitin 1989 u bë e mundur botimi i veprave të plota të Poradecit. Ai kishte Udhëtuar  sa në Bukuresht e  Graz. Shkroi poemat „Ekskursioni Teologjik i Sokratit“, „Rreth tyre“, „Kamadeva“ dhe baladat kushtuar heronjve të lirisë, Muharremit dhe Reshit Çollakut. Përktheu kryevepra të letërsisë botërore, si „Eugen Onegin“ i Pushkinit, poema nga Mihail Lermontov, poema nga Vladimir Mayakovsky, poema nga Johann Wolfgang von Goethe dhe Seamus Heaney, si dhe poema nga Robert Burns, Bertolt Brecht dhe Victor Hugo. Dhe u la shumë në harresë nga regjimi.

Lasgushi është romantiku i fundit i letërsisë shqiptare. Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, vlerësuan veprën e tij.. Si një figurë e shquar letrare që meriton një vend të rëndësishëm në identitete letrare.

Është, heshtje. Por menjëherë vjen një zë.

“Edhe unë jam patriot!”- Ngrihet, dhe thotë- Mitrush  Kuteli.

– A,e njeh Zenelin?

– Jo, nuk e njoh!

– U bë për të vrarë. E do ta vras!

– Si e qysh?

– Dje më shkeli hijen?

– Hijen tënde?

-Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime

ish aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh

rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen.

“ Nuk kam dashur të dal sheshit e të bëj fora,” të mbledhim  “Kreshnikia shqiptare“

“Ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin”. Rrugës  kur të shohësh  “Gomarët e Vezuvit”, gjyshja ime do thoshte: Fshati digjet, e kurva krihet.  Është  mbushur plot   “Ar! Ar! Ar!”  koka e tyre,   ne  “Bukën tonë të përngaditshme” të kërkoj.

Nga ky udhëtim që të mos kthehem me duar bosh shkrojta një vepërzë: “Poemin Kosovar…”

Mbyll fjalimin re tij me “Unë kam dashuruar shumë, kam urryer shumë, kam

punuar shumë dhe fatkeqësisht, kam gabuar shumë…

Diskutimi i poetit, tregimtarit, novelistit, romancierit, dhe kritikut letrar. edhe pamfleteve ,  botuar më 1944 në përmbledhjen “Havadan më havadan.”, si  edhe  Pamfletet e Kutelit më 1990,  Fjalimi i tij ishte i fuqishëm,  hapi biseda, u dëgjuan pëshpëritje dhe  Askush nuk foli. Në atë fjalim kishte shumë të vërteta.

 Pasi ri-sistemohen në tavolinën e rrumbullakët Ngrihet Stejo Spasse dhe thotë: Që ta duash atdheun, duhet ta njohësh më parë atë“. Ishte motoja me të cilët dolën nga Normalja e Elbasanit.  U shpërndan miqve  në prani revistat e Korçës „Arsi“, „Flaga“, „Rilindja“, „Bota e re“, „Normalisti“ i Elbasanit, „Illyria“ e Tiranës etj. Ndërsa Kahreman Ylli, Siri Shapllo, Qibrie Ciu, Lirak Dodbiba, Sotir Paparisto, i  ofrojnë ““Shkolla e re“ e para revistë pedagogjike, ku ai ishte Redaktor. 

Një grup fëmijësh  mbajnë pankarta  me mbishkrimet; Analfebetizmi (2 korrik 1931), Të rinjtë dhe qytetërimi (1931),Duhet një bashkim (1931), Rëndësia e mësuesit (1932), Antologjia për klasën II, III, të shkollës unike me shënimet e duhura (1946).  Në sytë e Spasses,  shfaqet  vetëm gëzim dhe emocion. Ishte mësuesi që mendoi për arsimimin e nxënësve dhe ishte mësuesi që shkroi për shumë mësues.

Mes duartrokitjeve  dhe emocioneve – Spasse. Hyn si një fllad i freskët një grup të rinjësh,  që  veshur T-shirt të bardhë ku  secili mbart një mbishkrim

Literatura e huaj për shkollën e mesme (1947),

Elementet e para të teorisë së letërsisë (1951)

Letërsia e huaj (vëllimi I,1951), bashkautor Mahir Domi,

Letërsia e huaj, (vëllimi II.1953), bashkautor Mahir Domi,

Gramatika e gjuhës shqipe (1951) për shkollat shtatëvjeçare

me bashkautor Lirak Dodbibën,

Antologjia e letërsisë shqipe në frëngjisht…, me bashkautor  Nonda Bulkën,

Folklori shqiptar – dispensë për shkollat e mesme (1949),

Reflekse pedagogjike (përmbledhje studimesh pedagogjike)

1987). Një introdukt, si parathënie të kësaj vepre, me titullin

„Aspekti pedagogjik në krijimtarinë e Sterjo Spasses“, e ka shkruar

Shefik Osmani.

Puna në shkollë (1.016 faqe) me bashkautorë arsimtarë dhe

redaktor kryesor Sterjo Spasse (1987).

Mbi ekran  rridhnin sekuencat;  “Nusja pa duvak”,  si një “ sokoleshë” mbante në krye një” Kunorë rinie”. Dhëndri ndihej mirë në “krahët e një femre”, “Buzë liqenit”. “Kryengritësit” të  shoqëruar nga  “ Zjarr”, si  një “Pishtarë” dalluan  “Afërditën përsëri në fshat”.  “Ata nuk ishin vetëm. “ Ja vdekje ja Liri ! “ O , sot o kurrë – iu përgjigj Afërdita.    

Krijimi i pesë romaneve të ciklit “Rilindësit” gjatë fazës së fundit të krijimtarisë letrare, ka një historik shumë interesant- thotë profesor Shema. Në

fillim, fjala “Zjarr” nga amaneti i Themistokli Gërmenjit, e shqiptuar para togës së pushkatimit, i botuar në revistën “Ylli i mëngjesit”:

“Të vishem me rroba shqiptare.

-Të mos m’i lidhin sytë e duart.

-Të jap vetë urdhërin: Zjarr!”,

ishte ngulitur në mendje me forcë të veçantë emocionale. “Qëndresa!

Të jap vetë urdhrin Zjarr!, për t’i treguar botës se si vdes shqiptari për

liri dhe pavarësi! …”

Ndërsa  “Pishtarët” nuk u prit me shumë entuziazëm. Shumë kritika negative u shfaqën nga kritikët e kohës mes tyre edhe Dritëro Agolli.

“Acar” dhe “Ja vdekje, ja liri”. Për veprën shumë voluminoze, të dorëzuar për botim, redaksia e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, ”… filloi redaktimin jo me laps, por me “shpatë”, duke hequr linja të tëra të romanit, duke hequr fjalë e fjali shumë

të bukura …”Rrëfimi i një kurbetliu”, për të cilën lënda është marrë nga rrëfimet e të vëllait, që kishte mërguar në Australi.

Pas redaktimit të serishëm të të gjitha veprave të botuara më parë, shkrimtari përgatiti materialet për botimin e veprave të plota në nëntë vëllime. Bashkë me redaktorin, Ali Dhrimon, bënë disa ndryshime dhe plotësime: “… e hoqën kapitullin e fundit të romanit “Afërdita”, për të ulur “dozat e utopisë së këtij romani; e rishikuan

paragrafin e parë të romanit “Pishtarë”, duke hequr takimin e Misto Gërmenjit me Goce Delçevin, kryetarin e komitëve maqedonas, … ndërsa romani “Pse?!” , “… ishte i mallkuar, ai nuk u përfshi në seri …”, ka shkruar autori i monografisë.

 Në ditën kur ai u largua nga kjo jetë, personazhet, të cilëve ai u dha jetë, kanë ardhur t’i japin atij lamtumirën e fundit, por edhe të shprehin mirënjohjen e thellë dhe, së bashku me ta, emri i tij të kapërcejë vitet. E tillë është jeta e krijuesit të vërtetë, që me veprën e tij sfidon ligjet e natyrës, si ishte dhe jeta e shkrimtarit Sterjo Spasse- në fjalimin e tij  shkrimtari  Nasi Lera në ditën e ceremonisë së varrimit të Sterio Spasse.

Në këto studime filologjike një vend të rëndësishëm autori Shema i jep njërës ndër figurat e ndritura të arsimit dhe të letërsisë shqiptare. Sterjo Spasse ,shquhet kontributi i tij dhënë arsimit dhe edukimit, shtrihet në një periudhë të gjatë kohore dhe zë vend të rëndësishëm në historinë e arsimit shqiptar. Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari veteran në aspektin e përmbajtjes është shumë e pasur dhe përfshin vepra të cilat shquhen me vlerë artistike. Me krijimtarinë aq të llojllojshme në prozën tregimtare dhe në fushën e romanit, ai ka zënë vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare.

Esad Mekuli  Figura poliedrike e njeriut dhe e poetit besnik të popullit, kompletuar nga të gjitha aspektet gjatë periudhës shumëvjeçare të krijimtarisë së vazhdueshme, në saje të zellit të jashtëzakonshëm, punës së palodhshme, të përkushtimit e të sakrificave të mëdha, me dashurinë e pakufishme dhe humanizmin e pashembullt ndaj njeriut në përgjithësi dhe ndaj atdheut. Esad Mekuli në veprën e tij shënon  „Kujtimet” , krijon „Shqiptari të këndon, Metohi“,   „Kangët e rojtarit të hekurudhës“, „Letra birit të vdekur“ (kushtuar Xhemail Kadës). Asgjë nuk anashkalon  autor Shema në veprat e Mekulit, ai mbledh toponimet e Kosovës, antroponimet, heronjtë lirikë, përshkrimet,  dhe  arrin në konkluzionin se si pjesë e verbit poetik, korrespondojnë paraqitja e ndjenjave dhe të mendimeve të poetit. Ai e identifikon veten me skamnorët, me lypsit.  “Jam bir i mjerimit…Jam dhimbje` e t` vorfnit”.

 Në këtë  “identitet letrar”  figura e Esad Mekulit kapet  pothuajse në të gjitha aspektet, si letrare artistike, kushtet historike ku jetoi (Për poezitë në gjuhën serbokroate, ai ndalet dhe te peripecitë për botimin e tyre)..  idetë e tij , analiza  e veprës së tij , janë  shoqëruar me vargje dhe komente. Një bibliografi interesante e shton profesor Shema, për të ndriçuar edhe më mirë figurën dhe veprimtarinë e Esad Mekulit.

Pjesë e kësaj vepre është edhe punimi.  “Versionet  e poezisë së Ismail Kadaresë”. Objekt studimi të këtij vështrimi- shprehet Shema- janë versionet e poezisë së Isamil Kadaresë, përsosja artistike e tyre, nga një variant në tjetrin, analiza, vlerësimi, krahasimi i motërzimeve, ashtu siç kanë ndodhur në procesin e gjatë krijues-artistik deri në versionin tanishëm. Poezia (vëllimi 7) vlerësohet  për origjinalitetin krijues, por dhe në shumë dimensione të tjera artistike, ku sjell risi ndër më të ndryshme,  e realizuar me mjeshtëri letrare, me veçoritë artistike dhe gjuhësore, me vizionin dhe obvencionin krijues, me imagjinatën dhe me pasionin krijues, me imazhin poetik, me novatorizmin karakteristik për kohën.

Në temën e kuadrit “Identiteti, imazhi dhe kohezioni social në epokën e integrimeve dhe globalizimit”, punim i  Konferencës shkencore , studimi “Vlora dhe identiteti kombëtar në poezinë e Fatos Arapit dhe të Alli Podrimjes”përmban një  spektër çështjesh që lidhen me identitetin kombëtar të letërsisë. Autori na njeh me konceptin identitet në të gjitha format e saj, në teza dhe hipoteza,  dhe përqendrohet në konceptin e identiteti Kombëtarë si një koncept jo statik por në zhvillim, në proces, pa një definicion të plotë.  Fatos Arapi dhe Ali Podrimja si individualitete krijuese në këtë aspekt janë të afërt dhe të ngjashëm. Poeti vlonjat, Fatos Arapi, në poezi shpreh ndjenjat subjektive, mendimet, dashurinë. Në artin poetik përjetëson njeriun, vendlindjen dhe atdheun. Tema qendrore e veprës së tij është lufta për liri.

Poezia e Fatos Arapit, me ndjenjat e idetë sublime, paraqet jetën e njeriut dhe botën shpirtërore të tij, në kohë të ndryshme dhe në hapësira, jo vetëm të atdheut. E ardhmja e ndritur e njerëzimit është ëndërr dhe vizion i tij. Në këtë punim autori është i thellë dhe i detajuar duke shtuar vizionin e ti në aspektin shkencor.      Autori ndalet disi edhe në jetën dhe veprën e autorëve si edhe shpreh emocionet dhe ndjenjat e tij mbi humbjen  e të birit , “Lum Lumi”,  të  shuarjes së djalit të Ali Podrimjes,  dhe e mbyll me vargjet sublime që Podrimja ia dedikon Mëmës Kosovë “Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kulluara;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta

e të shpërthej do si vullkan:-

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

Unë, biri yt.

 Autori ,për të plotësuar këtë kuadër sjellë mendimin e Hasan Mekuli  për Ali Podrimjen i cili shkruan: “Si poet i një natyre, fryme dhe cilësie të vetvetishme krijuese, Ali Podrimja pa dyshim është një individualitet i formuar dhe karakteristik. Ai e ka botën e vet specifike të motiveve, të kontradiktave personale, me mbështetje në përjetimet subjektive apo objektive, por gjithsesi jetësore; ka botëkuptimet dhe shijen vetanake, fakturën poetike të veçantë dhe mënyrën mjaft depërtuese për t’i mishëruar frytet dhe mendimet e veta poetike me atë kompleksin e përgjithshëm, apo në atë që e marrim si nivel i arritur dhe sistem specifik dhe i formuar i poezisë së sotme shqiptare”.

Identietet letrare  te ky libër plotësohen me POEZI PËR ISA BOLETININ, figurë për të cilën shkruan Asdreni, trajtohet monografia e Skënder Luarasit për Isa Boletini. Poetët e Rilindjes: Risto Siliqi, Hilë Mosi, Gjergj Fishta, Asdreni etj.,

Në veprimtarinë  artistike Isa Boletinin e çmojnë lart si „organizator dhe luftëtar të kryengritjes së Kosovës“. Hilë Mosi në tingëllimën „Isa Boletini“, Fan S. Noli në artikujt „Isa Boletini“dhe „Isa Boletini në Shqipëri“, si edhe na sjellë një numër poetsh si : Enver Gjerqeku, Agim Shehu, Azem Shkreli, Muhamed Kërveshi, Halil Qendro, Jakup Ceraja, Qerim Ujkani, Musa Ramadani, Koçi Petriti, Hydajet Hyseni, Sabri Hamiti etj.; e kanë lartësuar heroin e popullit, aq sa e ka merituar edhe vetë Isa Boletini.

Kosova,  ka qenë një nga tematikat kryesore në veprimtarinë e Ismail Kadaresë. Flitet për tri veprat në prozë të tij:  “Tri këngë zie për Kosovën”, “Krushqit janë të ngrirë”, dhe për novelën “Baladë për vdekjen e J.G.” Profesor Shema udhëton në atë itinerar  ku “këngët janë më të egra se armët”,    “Tri këngë zie për Kosovë”, ku Eric Faye aspektin kohor që lidh ngjarjet në këtë roman, konsideron një faktor  gjeometrik ku  alfa dhe omegën, pra dy pikat e skajshme të luftës së përgjakshme lidhen me tokën e Kosovës.

 Autori  Shema penetron  në këtë temë duke na sjellë mendime të kritikëve të ndryshme si: John Murray, Julian Evans, Jorgo Bulo,  Alain Bosquet dhe ndërton atë identit letrar në saje të mjeshtërisë artistike, në mënyrë parabolike  ku Kadareja paraqet të kaluarën dhe aktualitetin.  Ndalet tek kritiku  Stephen Brown. Kadareja- thotë Brawn,  tregon një zgjuarsi dinake, që herë pas herë  shoqërohet me metafora jonxitëse ogurzeza kërkojnë një truall në historinë e Ballkanit dhe në Evropën Mesjetare. Ato janë pjesërisht rishikim historik dhe, pjesërisht fabul- (Observer, shkurt 2000).

Ndërsa tek “Baladë për vdekjen e J. G “ .Kadare paraqet tragjedinë e dëshmorit Jusuf Gërvalla, emigrant politik shqiptar, të cilin veprimtarinë patriotike e zhvillon së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Më 17 janar të vitit 1982  Jusuf Gërvallën e vranë agjentët e UDB kriminale serbe në Gjermani. Prof. Shema shton në këto faqe edhe kujtimin që kishte  për studentin e vet , Jusuf Gërvalla,   kur ishte profesor i tij në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.   Një bibliografi shkencore e pasuron këtë temë, që rrit vlerat e këtij identiteti letrar.

Një tjetër aspekt që  trajton Profesor Shema në librin e tij “Identitete letrare” I,  është edhe Hapësira dhe koha në romanet “Konikë në gur”, dhe Çështje të marrëzisë” të Ismail Kadaresë.  Gjatë studimeve të tij  hapësira dhe koha është  alfa, bashkudhëtarja e  autorit.  Ai kalon në “Koha” (përmbledhje poetike),  rend  në “Shekulli im”,  dëshironte “Në kohën kur të desha”,  admironte “Koha e popujve”,  tkurrej  e nuk mjaftonte   “Koha në botë”,  se për  çdo  kodifikim  “Koha e pamjaftueshme”. Kishte  urgjent “Koha e shkrimeve” (tregime, novela

e përshkrime), dhe  trafonsrmoi  kohën në ”Kronikë në gur”.  Skaliti  kohën në “Kështjella”,  rendi  pas “Prillit i thyer”, u bllokua në “Dimri i madh” ,  nuk anashkaloi  “Viti i mbrapshtë’,  sulmoi  “Kohë barbare” etj., “letërsia jo vetëm vendoset në kohë, por edhe ndërtohet me kohën…” Kadare i njeh mirë termat dhe konceptet

për kohën.. Autori plotëson këtë kuadër duke na përcjellë në kritikën letrare të disa autorëve të huaj, siç janë:  Robert Escarpit, Alain Bosquet, Eric Faye, John Updike, Bruce Bawer, John Carey, Dominique Fernandez, Michael Klebeerg, Gilles Banderier,etj. Në kuadër të letërsisë së sotme shqipe, të krijuar në diasporë gjatë etapave të ndryshme të zhvillimit të letërsisë bashkëkohore, bën pjesë edhe krijimtaria letrare e Ramadan Rexhepit. Formimit të tij intelektual, angazhimin krijues në letërsi, veprimtarinë publicistike, shoqërore-politike dhe kontributin e tij të gjithanshëm për formimin dhe bashkimin e shoqatave të mërgimtarëve shqiptarë në diasporë.

Ky autor, mërguar në Suedi  që nga fillimet letrare në identitete letrare  shquhet me tregimet realiste, ndërsa më vonë edhe me prozën publicistike dhe sidomos me krijimin e romaneve. Drejtoi, redaktoi dhe bashkëpunoi me revistat “Dija”, “Stinët e Jetës” (botues Kosovë Rexhë Balaj) dhe “Qëndresa”. Përpos kësaj, ai ka qenë përgjegjës dhe kryeredaktor i emisioneve “Radio Zëri i Kosovës” (1985-1990) dhe “ABC” (1996 -2001). Ka bashkëpunuar edhe ne revista të ndryshme, përpos tjerash me faqen “Mondo Albanese”, të cilën e botonte Zef Skiro di Magio në Palermo.

Ramadan Rexhepi  vjen në këtë identitet letrar  më një veprimtari mjaft të pasur.   Autori Shema përmend veprat “Dilemat e Emrush Dokos“: një roman satirik dhe “Gjurmë e Gjemba”, një udhëpërshkrim“. Veprat e tij letrare janë: Kambanaret”, Tregime, 1963 dhe 1969, “Udhëkryqi”, roman (dorëshkrim),“Shënimet e një disidenti kosovar”, “Gjurmë e gjemba”, 2004, “, “Tokë e qiell së bashku” (dramë), botim i “Qëndresës”, Suedi “Stina e emrave të bukur”, roman, Prishtinë, 2010.  Nuk anashkalon librin me intervista “Ide të trazuara” , por edhe në shkrime të tjera.  “Dua të them se e kam përjetuar mërgimin,  dhe se krijuesi atje nuk ka lexues, pra për krijuesin mërgimi është i zorshëm.”- deklaron në një intervistë Ramadan Rexhepi.   Figura e  këtij shkrimtari, plotësohet  në këtë identitet letrar nëpërmjet tematikave që ai ka zgjedhur; si shpërngulja  e stërgjyshëve nga trojet e tyre,  çështja rezistencës, tematika e stilit politik… etj. Këtë vështrim autori e plotëson  me një intervistë të shkrimtarit Ramadan Rexhepi:“… shpërngulja  e shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore. ( Presheva e atëhershme mund të them se ishte Presheva e emigrimit masiv të shqiptarëve për Turqi). Këtë temë si dhe tema tjera kam ngritur në romanin “Udhëkryqi”. Është pak e çuditshme se si hyra në atë botë të thellë tragjike: përmes letrave… Shpërngulja e shqiptarëve ishte një temë në vete, kurse çështja e rezistencës së popullit tonë dhe ideali im për të burgosurit politik fillin e kishin aty. Unë nuk e shihja se ç`ardhmëri kishte i burgosuri politik shqiptar në atë sistem. Nuk e di se a duket kjo gjë në roman? Ai fillonte me burg, mbetej rrugëve dhe më në fund mbaronte në burg… Një dorëshkrim tjetër mban titullin “Anatomia e një divorci”. Ai mbase do të ishte me interes për lexuesit e ardhshëm, sepse në të trajtoja peripecitë e ekzilit nga këndi personal”.  Ky  identitet letrar është trajtuar nga autori në detaje, dhe  i shoqëruar nga një bibliografi e pasur.

Një tjetër aspekt që i preket si tematikë në identitetet letrare është edhe  Vetëdija kritike e shkrimtarit realist.  Hivzi Sulejmani si njeri, si revolucionar i shquar dhe si shkrimtar realist.  Profesor Shema e sjellë këtë figurë  me Pikëpamjet e Hivzi Sulejmanit lidhur me jetën dhe artin në përgjithësi, Pikëpamjet e Hivziut për artin dhe posaçërisht për letërsinë përmbajnë mendimin e kondensuar, por jo edhe të sistemuar, lidhur me çështje të shumta të letërsisë, të historisë së letërsisë, të teorisë së letërsisë, të kritikës letrare, të estetikës, të etikës, të kulturës, të teatrit etj. letërsia në funksionin e vet human. Realizmi në letërsi, sipas Hivziut, presupozon qasjen realiste në kuptimi të gjerë të fjalës dhe veçanërisht në tipizimin e personazheve dhe të ambienteve letrare, pra formësimin e një realiteti artistik me vërtetësi jetësore dhe historike.

Autori Shema plotëson këtë identite edhe me funksionet që autorit iu ngarkuan  në fushën politike dhe shoqërore në pushtetin popullor. Ishte sekretar i Këshillit Ekzekutiv Krahinor, kryetar i Gjyqit Krahinor, deputet federativ, prokuror i Krahinës. Gjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë letrare është përpjekur ta gjejë një yll, për ta njohur më mirë vetveten dhe njeriun në përgjithësi, për të realizuar idealet e rinisë dhe të kohës së pjekurisë, për të fisnikëruar njeriun dhe shoqërinë njerëzore. Prore ka ëndërruar një botë më të mirë, një botë të ardhmërisë, ka synuar ta bëjë njeriun të lirë, të lumtur, njeri të vërtetë. Shkrimtari, me vetëdije të lartë kritike, ka synuar të japë vizion të ndritur për botën dhe për jetën e njerëzve. Jeta dhe vepra e tij krijuese janë mishëruar kështu në një ideal të përgjithshëm njerëzor, që do të jetë frymëzimi përhershëm.

Jakov Xoxa,  Veprimtarinë letrare e filloi  gjatë viteve ’40-të të shekullit XX. Në kohën e rinisë shkroi disa poezi, ndërsa më vonë shkroi skica, reportazhe,tregime, novela, drama dhe romane.  Autori Shema thekson faktin se shkrimtari kishte bërë një makroplan për krijimtarinë romansore, pra romanet do të bënin një pentalogji – prej pesë romanesh të veçanta, por të gjitha së bashku do të bënin ciklin e romaneve, romanin shumëplanësh apo romanin epope. Ai synonte të krijojë „Iksin e njohur“ romanesk, ku do të bënin pjesë: „Juga e bardhë“, „Ari i zi“ „Dielli lind nga malet”, “Lumi i vdekur“ „Lulja e kripës“. Ky „ix romanesk“ është përmendur në disa intervista të shkrimtarit, por është i shënuar edhe në bllokun e shënimeve. Nga të gjitha këto vepra Xoxa realizoi vetëm romanet „Lumi i vdekur“ (1965), (me temën sociale nga e kaluara e popullit shqiptar gjatë viteve ’30të të shekullit të kaluar), „Juga e bardhë“ (më 1971), me temën e transformimeve të jetës së shoqërisë shqiptare të pasluftës), dhe „Lulja e kripës“ I (1980), II (1981), ku trajtohet e kaluara „…plot vuajtje e mjerime, por edhe përpjekje e luftë të popullit tonë për liri kombëtare e shoqërore“. Dy romanet e tjera: „Ari i zi“ (ku do të trajtohej tema e industrializimit të vendit gjatë viteve të pasluftës) dhe „Dielli lind nga malet“ (me temë nga Lufta Nacionalçlirimtare). Për shkak të vdekjes së hershme të shkrimtarit, mbetën të parealizuara.

Autori jep çdo të dhënë mbi jetën dhe veprën e Jakov Xoxës dhe evidencon njeriun që ai ishte, idetë e tij përparimtare, tematikat që ka trajtuar, vështirësitë që ka hasur, penën e tij artistike si edhe zhanret ku ai ka lëvruar dhe veçojmë këtë tekst: fragment: „Unë kërkoja historinë, ata kërkonin naftën dhe një ditë u takuam në pusin eruptiv C12”. Personazhet e tij  shumë: punëtorë, inxhinierë, mjekë, infermierë, zjarrfikës, kooperativistë, të rinjtë shkollarë. “                                                                             

 Gjatë procesit krijues shumë kompleks të tij, Jakov Xoxës i kishte lindur ideja të krijojë një trilogji kushtuar jetës së Myzeqesë me titullin punues „Baltë e brumë“, ose „Baltë e brumë e zemër“. Romani i parë, sipas kësaj ideje, ishte „Legjenda e Lumit të vdekur“. Kjo ide pastaj ishte kristalizuar më mirë sepse, siç ka pohuar Xoxa: „E tashmja dhe e ardhmja ndryshojnë planet e shkrimtarit“.

Në letërsinë shqiptare u afirmua si romansier, duke kultivuar romanin me prosede tradicional realist. Më 1949 botoi përmbledhjen „Novela“. Më1957, në „Nëntori“ botoi dramën në vargje „Buçet Osumi“. Më 1958 ka botuar veprën „Novela

II“ dhe dramën „Zemra“. Pra, romanit „Lumi i vdekur“ (1965) i ka paraprirë proza tregimtare dhe krijimtaria dramatike. Shumë të dhëna të tjera do të gjeni në faqet e këtij libri  identiteti letrar.

Mbërrijmë tek shkrimtari Josip V. Rela. Arbnesh i Zarës. Fillojmë me melodramën Martesa”, e  shkojmë drejt kopshtit letrar të Relës, veçojmë  dramën “Kungulli “(1953),  Gjejmë dramëm “Dila”  që na priste   jo larg nga  “Lundërza e Jozhës“. Ishte heshtje “Zani i fëmiut” dëgjonim në rrugë . Nisëm disa  nina nana, ti  këndonim e “ Vjersha “ t’i rrëfenim . Na thotë se quhet „Dila“ (1965). Jeta e saj ishte  mes „Dy drama“. (1965),“Fisi i mallkuam“, menduam, „, „Tallaset e dybėjes“ (ndërgjegjes) nuk bluante. „Sot tetë ditë”, Nita” nuk kishte dalë prej shtëpia. Po hiqnin fatin tragjik si popull  

Në identete letrare,  Profesor Shema ndalon pikërisht jo vetëm tek figura  e Rolës, si mësues, poet, prozator dhe dramaturg i shquar nga Arbëneshi i Zarës, Kroaci, por tek drama e tij “Nita”. Rëndësia e saj në formë e në përmbajtje. Në kushtet historike dhe analizë e personazheve.

Nita, tre shekuj më parë ishte  larguar prej  nga Kraja afër Shkodrës së tyre. Nuk kemi vështirësi t’i kuptojmë, por dhe nëse na paraqitet, profesor idriz Ajeti, na ndihmon me monografinë mbi gjuhën e tyre.   Në qendër të dramës Nita dhe Zefi,  jeta, vdekja, dashuria, marrëdhëniet shoqërore janë korniza e dramës. Kjo popullsi ,ku kufiri i tyre nuk është një trekëndësh bermude, por një trekëndësh “ Gjaku”, shpërngulje nga gjaku ( trungu) shpërngulje me forcë, me gjak, me dhunë nga Brisku,   Veriu i Shqipërisë,  i cili gjendej ndërmjet Turqisë, Malit të Zi, dhe Dalmacisë së Venedikut. madje pikërisht në anën e majtë të malit Rumia. Mali Rumia gjendet ndërmjet Deti Adriatik dhe Liqenit të Shkodrës. Edhe sot e kësaj dite atje gjenden, pranë Liqenit të Shkodrës, fshatrat Brisku, Shestani dhe Livari.

Profesor Shema plotëson  njohuritë për këtë dramë,  me shfaqjet e saj në Kosovë, ne Gjakovë nga grupi i Pejës ,ishte viti 1954. E vetmja dritare që Kosova kishte, ishin arbëreshët dhe arbëneshët. Secili shikues po e përjetonte fatin tragjik të një popull që, i shtrënguam prej terrorit e dhunimeve të pushtuesit turk, u detyrue me lanë plang e shtëpi dhe me marrë „dynjanë në sy“ ,për me gjetë strehim“ ,do të shprehej zoti  Vehap Shita në gazetën “Rilindja” dhe do të shtonte: „Nita“ e Relës asht dramë realiste, e teksti i pasun me nji varg figurash të bukura artistike e ban veçanërisht magjepse. Por, ajo që „Nitën“ e ngrit në radhët e krijimeve ma serjozë t’artit dramatik, asht akti i parë.

Fjala, gjesti, muzika e kanga piklluese dhe çdo imtësi tjetër, janë aq të natyrshme, bindëse dhe reljefe, e ngjarja aq trondotëse dhe intenzive, sa që ato që zhvillohen ma vonë mbeten nën hijen e tij… thurja letrare e „Nitës“, poezija në të shprehun dhe lirizmi me të cilin ajo asht e pasun e frymëzojnë njeriun dhe e nxisin me krijue nji çfaqje të madhe theatrale“.

 Nita, nuk është as Zonja Bovari, dhe as Anna Karenina. Nita, është  viktimë e disa rregullave kanunore të rrepta, të interpretuara herë herë keq nga kanuni, që dominon në shekuj. Nita është   e një shoqërie të vjetër e të kalbur  dhe atyre  normave morale që ndikonin negativisht në emancipimin progresiv të shoqërisë. Në një plan mjaft të gjerë të vjetrës i kundërvihet e reja. Në ato kushte të vështira historike, sociale dhe politike,e reja depërtonte me vështirësi të mëdha. Ballafaqimi i dy kohëve, i dy botërave dhe i dy kahjeve në jetën si edhe në gjyqin e pleqëve, ku duhej të vendosej fati i Nitës dhe i Zefit, por edhe i brezave të mëvonshëm, nxjerr në shesh me mprehtësi dhe dramacitet antagonizmat e ashpra shoqërore,

aspekte të tjera përfshin profesor Shema  në këtë dramë, Çështja e ruajtjes së traditës, e normave morale pozitive, dhe bashkë me të edhe kërkesa për zhdukjen e zakoneve të vjetra, që ishin bërë pengesë për jetën e re, bëjnë bazën e konfliktit të veprës dramatike. Me të drejtë autori ka insistuar që bashkëvendësit e tij të jenë gjithmonë krenarë për të kaluarën e tyre heroike dhe të lavdishme, të kultivojnë edhe më tutje dhe të përcjellin brez pas brezi virtytet pozitive: besën, trimërinë, dashurinë ndaj atdheut, urtësinë, normat morale që fisnikërojnë njerëzimin etj. Në të njëjtën kohë ai ngrit zërin që të zhduken nga jeta arbëneshe të gjitha ato dukuri

negative dhe nxjerr në shesh me mprehtësi dhe dramacitet antagonizmat e ashpra shoqërore. Kjo bën që konflikti letrar të hyjë në faza të reja të ashpërsimit më të madh dhe të ndikojë në mënyrë funksionale në tipizimin e personazheve, siç janë: Nita, Zefi, Prenk Vuka, Marku, Luk Kapetani, Prifti, Itha, Mimqi, Cana, Roza etj. Këtë mozaik autor  Shema e plotëson  me studime e vështrimet kritike siç ajnë ato të  autorëve: Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi, Vehap Shita, Ali D. Jasiqi, Nasho Jorgaqi, Aleksandar Stipçeviqi, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Sami Çabej, Esad Mekuli, Hasan Mekuli,etj.  Autori Shema na sjellë arkivin, dorëshkrimet, si edhe  imazhe,  si për shembull, kostumet arbneshe të Zarës,  aspekte nga  aktet e Dramës  dhe të plotësuar nga një bibliografi e pasur.

Në kapitullin e fundit Profesor Shema në mënyrë të thellë dhe të analizuar na jep një vështrim mbi Shekuj të letërsisë shqiptare dhe të Shkencës së Letërsisë, ku trajtohen temat; Letërsia dhe studimi i letërsisë, Funksioni i letërsisë, Teoria, kritika dhe historia e letërsisë, Letërsia e përgjithshme krahasimtare dhe nacionale, Letërsia dhe shoqëria, Letërsia dhe idetë, Letërsia dhe artet e tjera, Zhanret letrare, Historia e letërsisë, si edhe Bibliografia. Shema bënë një rrugëtim në hapësirë dhe në kohë si në rrafshin sinkronik,  diakronik  historisë së letërsisë  botërore, përqendruar deri diku  tek ajo frënge, dhe  shtjelluar më me imtësi në Historinë e letërsisë  shqipe  e cila  ka për objekt studimi letërsinë unike kombëtare, dhe përfshin krijimtarinë letrare të krijuar në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporë.  Ai na njeh katër faza kryesore ku përmblidhet historia e letërsie shqiptare, Tiranë 1983: Faza e parë (rreth shek. XIII – pjesa e parë e shek. XV); Faza e dytë (pjesa e dytë e shek. XV – pjesa e parë e shek. XVI); Faza e tretë ( shek. XVI – XVII);

Faza e katërt (shek. XVIII). “Një degëzim më vete në letërsinë shqiptare të shekujve XVIXVIII, përbën letërsia e vjetër e arbëreshëve të Italisë”.

Profesor Shema në këtë kapitull rëndësi u jep  koncepteve të Avangardës\ Risive në një vizion të largët, pa lënë mënjanë inerazionin organik të së shkuarës. Nocioni avant-garde mund të përdoret për të treguar lëvizjet, rrymat dhe shkollat, të cilat historikisht (d.m.th. në shekullin XX) e kanë kërkuar atë me ngulm si forcë lëvizëse të angazhimit të tyre estetik dhe politik, por ai mund të paraqitet edhe si model i cili mundëson të përshkruhet evolucioni i letërsisë, duke i nxjerrë në shesh momentet që bien ndesh, strategjitë dalluese, praktikat e grupeve dhe të manifesteve …” dhe zgjedh për publikun disa vargje të poezisë së poetit francez, Guillaume

Apollinaire (Gijom Apoliner) /1880-1918/ Flokëverdha e bukur /La jolie rousse/: Poezia e Apolinerit konsiderohet manifest poetik që paraqet konfliktin midis dy botëve, të rendit dhe të aventurës, midis traditës dhe së resë.

Një bosht tematikash  të avangardës sjellë autor Shema prej autorëve të letërsisë shqipe : “Fenomeni avangardës në letërsinë shqiptare të shekullit XX, pritja dhe

rezultatet“ ,paraqesin vazhdimësi të studimeve të letërsisë, duke përfshirë kështu edhe prirjet novatore në përgjithësi dhe ato të avangardës në letërsinë shqiptare dhe në shkencën e letërsisë.

 Vëmendje i kushton edhe  Lëvizjes letrare në letërsinë shqiptare të shekullit XX

Lëvizjet letrare, si term letrar, paraqesin procesin letrar ashtu siç është zhvilluar në të vërtetë, si është zhvilluar në letërsi dhe në jetën letrare dhe si është shfaqur në manifestet letrare, në programet letrare, në kritikën letrare dhe në interpretimet e vetë krijuesve letrarë. Kjo në të vërtetë është lënda për periodizimin e historisë së

letërsisë, bazuar në historinë e kritikës letrare të një drejtimi letrar, sepse drejtimi letrar është kategori abstrakte, e cila në të vërtetë përfshihet në sintezën historike shkencore. Edhe këtë aspekt  profesori e shoqëron me një rrjedh autorësh në  shekuj  të autorëve shqiptarë.

 Në studimet letrare Për letërsinë shqipe  autori shquan kritikun letrar, Hasan Mekuli. Ai është studiues i zellshëm i letërsisë shqiptare dhe i asaj botërore. Veprimtaria e tij për zhvillimin e arsimit, të kulturës dhe të shkencës shqiptare në të gjitha faza e krijimtarisë. Ai është njëri ndër prijatarët e kritikës letrare ndër ne, shkroi trajtesa, recensione, shkrime kritike, vështrime problemore letrare, studime historike letrare për autorë dhe për vepra gjinish të ndryshme letrare, për poezinë, për prozën, për dramën dhe teatrin dhe punime të veçanta për kulturën letrare. Ai deri në fund të jetës, me pasion të jashtëzakonshëm zhvilloi veprimtarinë shkencore në fushën e studimeve të letërsisë, duke dhënë kontribut të madh për zgjerimin dhe thellimin e diturisë letrare të shkencës së letërsisë. Bibliografia e tij shënon mbi 600 njësi punimesh të botuara. Autori na jep të shtjelluar si jetën, po ashtu edhe veprën e madhe të Hasan  Mekulit. Studimi i kësaj  vepre  voluminoze (të Hasan Mekulit) ka rëndësi të madhe për historinë e letërsisë. Punimet shkencore dhe ato kritike letrare të Hasan Mekulit për letërsinë shqipe, ato të botuara në revistat, në gazeta dhe në botime të veçanta, ndërsa shumë të tjera të sistemuara në materialet dorëshkrimore të tij, mund të shfrytëzohen si literaturë e zgjedhur për hartimin e punimeve të niveleve të ndryshme studimore të letërsisë, pra edhe për realizimin e projektit të madh të Historisë së letërsisë shqipe.

Studimet e Rexhep Qosjes për romanin e sotëm shqiptar. Profesor Shema pasi jep disa të dhëna mbi formimin, aspektin profesional, shkencor, të Qoses, thekson faktin,   vizionin e  e tij si një krijuesi shkencor, veçanërisht në zhvillimin e shkencës së letërsisë shqiptare.  Ndalet në shkrimet e para për

romanin : Romani ynë dhe gjuha e tij, Kompozicioni i romanit tonë, Fati i femrës shqiptare, Shkaqet dhe kuptimi i një tragjedie dhe evidencon punimin shkencor “Epopeja e luftës së Spanjës „nder shkrimet më interesante të kritikës letrare të Rexhep Qosjes. 

Autor Shema,  studiuesin e madh të letërsisë ,Qosjen , e shquan në identitete letrare me studimet dhe vështrimet kritike letrare, të cilat i kushtohen romanit social, romanit historik, psikologjik, humoristik- satirik etj., ravijëzohet tipologjia e romanit, pra përvijohen veçoritë e zhanrit dhe spikaten konceptet themelore të teorisë dhe të estetikës së romanit. Ai përfill edhe qasjen krahasimtare të studimit të letërsisë dhe në këtë mënyrë sjell përvojën e historisë së letërsisë evropiane. Krahason ecuritë e zhvillimit të romanit shqiptar dhe të romanit të letërsisë botërore dhe, duke u bazuar në studimin krahasimtar, sjell përfundime të rëndësishme për zhvillimin e mendimit shkencor letrar dhe me invencion të rrallë shquan aspekte të modernitetit në romanin bashkëkohor.

Studimet letrare të këtij autori kanë karakter integral, prandaj edhe metodologjia e studimit është universale. Ato lexohen me interesim nga lexuesit, nga autorët e romaneve, nga kritikët letrarë, por edhe nga studiuesit e profileve të ndryshme shkencore. Si kritik, profesor Shema   vë  në dukje prirjen realiste të shkrimtarit lidhur me paraqitjen e realitetit dhe të ngjarjeve historike, por në të njëjtën kohë  të gërshetuar edhe me  frymën romantike, sepse “arti i letërsisë nuk mund të jetojë pa fuqinë e zmadhimit me imagjinatën e krijuesit”-shprehet vetë Qosja. Prof. Shema hap  këtë kapitull me pohimin që vetë  Qosja i bën  veprës së Petro Markos,  kur thekson se : “Hasta la vista”  nuk është kronikë por roman i tujgur prej një ndjenje lirike, roman që ka motivin të cilin e përcjell prej faqeve të para deri në fund”. Si historian i letërsisë, krahas gjinive dhe llojeve të tjera të letërsisë, Qosja i përcjell me interesim të posaçëm rrjedhat e zhvillimit të romanit. Duke qenë edhe vetë krijues i romanit bashkëkohor, hulumton veçoritë e teorisë dhe të estetikës së romanit.

Profesor  Shema vë në dukje “Antologjinë historike të kritikës letrare” Recensionin për botimin e kësaj Antologjie e ka shkruar  vetë prof Shema, dorëzuar në ETMM të Kosovës për botim, por që ende nuk është publikuar.  Ai sjellë pjesë të atij recensioni, të detajuar dhe të shtjelluar në këto faqe. Edhe ky punim është i shoqëruar me një bibliografi të pasur. 

Një punim veçantë autori i kushton edhe veprimtarisë së Latif Berishës. Berisha   është poet, studiues i letërsisë, përkthyes letrar dhe hartues i teksteve shkollore. Të gjitha këto veprimtari i ka harmonizuar me invencion të rrallë në kuadër më të gjerë të krijimtarisë artistike dhe të angazhimit të vazhdueshëm intelektual dhe shkencor. Profesor Shema ndalet në një punim të Berishës, paraqitur në kuadër të ligjëratave të mbajtura në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare, të mbajtur në Tiranë më 1995. Në fund të këtij punimi janë dhënë shënimet për jetën dhe veprimtarinë e Latif Berishës dhe bibliografia. Ky botim ka 384 faqe dhe është përgatitur në bazë të kritereve të qëndrueshme profesionale

dhe shkencore. Publicistika, intervistat, shkrimet e tjera të Latif Berishës dhe poezitë, vështrimet e ndryshme kushtuar jetës dhe veprës së kësaj figure të njohur të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Shpresojmë se do të përgatiten me përkushtim të duhur dhe më vonë do të botohen në një libër të veçantë.

 Autori Shema mbyll këtë  “ Bibliotekë” me  Çështjen e vlerësimit të letërsisë.  Paraqet zhvillimin dinamik dhe të gjithanshëm të letërsisë bashkëkohore shqipe si dhe tendencat aktuale në plan të gjerë të evropianizimit të mëtejshëm të saj, afirmimi i saj më i madh në suaza kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto  në mënyrë imediate nxisin studimin integral, të vëmendshëm dhe të thelluar të letërsisë, vlerësimin, rivlerësimin dhe medoemos interpretimin modern të krijimtarisë letrare në tërësi. Në kuadër të rrjedhave aktuale të zhvillimit të artit letrar dhe të studimeve filologjike në tërësi, çështjet metodologjike të vlerësimit të letërsisë shtrohen për diskutim krijues dhe janë në funksion të avancimit të studimeve teorike, historike letrare dhe të kritikës letrare.

Profesor Shema shkruan për kulturën letrare dhe mendimi kritik K bërë vështrimi kritik për Fjalorin e ri të letërsive botërore “Dictionaire mondiale des littératures”, “Larousse”, Paris, 2002 dhe për  Terminologjia e letërsisë.  Në fund të librit jepet teksti Bibliografi të letërsisë dhe të kritikës letrare shqiptare.  Bibliografia  me konsistenën dhe plotësinë, me saktësinë që duhet ta karakterizojë, vlefshmëria e burimeve, me korrektësinë e citimeve, mbështet hulumtimet,  lehtëson verifikimin, shmang plagjaturën… Në fund të fundit vetëm bibliografia mund të japë një ide për llojin e tekstit që po paraqesim, për forcën dhe strukturën e tij. Është e qartë se sa e rëndësishme është ta shkruash atë në mënyrën më korrekte dhe të plotë. Libri ”Identitete letrare” I është një vepër  shkencore, po aq edhe artistike, ku jenë të pranishme   të gjitha gjinitë e letërsisë dhe shkenca e letërsisë. Një epope mendimi, idesh, ku historia, gjuha, arti i letërsisë, mendimi filozofik  si edhe ajo ndërdisiplinore humanistike, krijojnë një tërësi letrar dhe shkencore , që ushqejnë shpirtin, zhvillojnë  kulturën dhe  forcojnë ndërgjegjen , identitetin kombëtar.                          Falënderojmë Prof. Dr. Shema për këtë kontribut kaq të madh të studimit të letërsisë, të dhuruar të gjithë lexuesve dhe studiuesve në veçanti, duke i uruar jetë të gjatë.

Milano, 1 tetor 2025 

Ornela Radovicka

Qëndra Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Antonio Bellusci.