Nuk po mirëmbahet kulla e Haxhi Zekës në Pejë

75

Kulla e Haxhi Zekës në Leshan të Komunës të Pejës, nuk po mirëmbahet. Ndërkaq, përgjegjësit thonë se nuk është për fajin e tyre, por për mungesë të mjeteve të nevojshme për mirëmbajtje.

Kulla e Haxhi Zekës në Leshan të Pejës, nuk po mirëmbahet. Si shqetësim, kjo u paraqit edhe në emisionin Zyra e Ankesave, ku qytetarët dërguan fotografi të cilat e dëshmojnë gjendjen jo të mirë.

“Gjendja e Kullës nuk është e mirë. Nuk e di a është faktori njeri apo mirëmbajtja nuk është në nivelin e duhur”, shprehet për RTV Dukagjinin, Tahir Sylejmani, përcjell Telegrafi.

Por sipas mirëmbajtësit të kullës, Agim Avdullahu mungojnë mjetet për një mirëmbajtje më të mirë.

“Nuk kam pajisje adekuate për të mirëmbajtur Kullën. As detergjent adekuat nuk kam. Ato që i kam ble për vetë po i përdor sadopak për ta pastruar Kullën. Kur është ndërtuar kanalizimi i shkollës, banjës së Kullës i është ndërpre kanalizimi”, tregon Agim Avdullahu.

Ai po ashtu ka edhe një shpjegim për këto mure që janë në këtë gjendje.

“Kur është bërë renovimi një pjesë është lënë pa suvatuar për të treguar si ka qenë në të kaluarën. Flitet që për herë të parë në Kosovë mallteri është përdoruar në këtë kullë. Ky mallter mund të vërtetohet se është bërë edhe me lesh të dhisë”, tregon më tej Agim Avdullahu.

Avdullahu thotë se ka bërë 13 kërkesa, që janë të nevojshme për mirëmbajtjen e kullës. /Telegrafi/