NJERIU QË PA VDEKJEN ME SY?!…

Gjokë Gjioka pas 21 vitesh, tash me familje në St. Galen të Zvicrës
Gjokë Gjioka pas 21 vitesh, tash me familje në St. Galen të Zvicrës

 (21 Vjet më parë: MË 5 MARS 1993 NË SHKUP NDODHI FATKEQËSIA AJRORE KU HUMBËN JETËN MBI 80 VETA Kjo intervistë me Gjokë M. Gjoka nga Klina e Kosovës, (njëri nga të mbijetuarit e tragjedisë), është bërë në korrik të atij viti dhe është publikuar me rastin shtatë vjetorit. Sot, të gjithë atyre që kanë shpëtuar ju uroj ditëlindjen e re, ndërsa familjarëve dhe të afërmeve ngushëllime)

Teksti: Shefqet Dibrani
Foto   : Rexhep Rifati

Gjokë Musë Gjoka ka lindur në vitin 1956 në fshatin Arat e Gjata (Dugujevë) të Klinës. Shkollën e Lartë Pedagogjike për Histori-Gjeografi e ka kryer në vitin 1979 në Gjakovë. Një kohë të gjatë ka punuar arsimtar nëpër fshatrat e Klinës. Që nga viti 1985 jeton e punon në qytetin Sankt Gallen të Zvicrës. Është anëtarë i kryesisë së nëndegës së LDK-së në këtë kanton dhe është aktivist i dalluar. Kjo bisedë nuk ka për qëllim për të pasqyruar aktivitetin e tij, por ka synim të përkujtojë përvjetorin e një tragjedie, dhe protagonisti i kësaj bisede Gjokë M. Gjoka ishte “Njeriu që pa vdekjen me sy?!” në atë fatkeqësi ajrore që ka ndodhur në Shkup më 5 mars 1993, dhe fal Zotit ai shpëtoi gjallë për të rrëfyer sot dhe për të rikujtuar ata që humbën jetën, dhe ata që mbeten gjallë, kurse biseda e ktheu protagonistin e kësaj drame në një gjendje latente dhe depresioni.

Pyetje: Z.Gjoka, bisedën tonë po e fillojmë me një pyetje nga lëmi e parapsikologjisë: A mund të na përshkruani atë çfarë keni parandier para rastit tragjik të 5 marsit 1993 që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit. Në shtëpi dhe në aeroport?

Përgjigje: Me anëtarët e familjes kur jam ndarë, disi kam parandier një ndarje të mundimshme, disi tragjike. Asnjëherë nuk jam mërzitur kur jam ndarë nga familja, asaj radhe më ndryshe e kam përjetuar ndarjen. Kurse në aeroport nuk më kujtohet, me sa di çdo gjë ka qen si rëndom.

Pyetje: Kur e keni diktuar çrregullimin e aeroplanit. A keni reaguar me kohë dhe çfarë ka ndërmarrë ekuipazhi i aeroplanit?

Përgjigje: Posa ka filluar të ecë i ka pasur disa dridhje jo të rëndomta, kanë reaguar udhëtarët, por na është thënë se kur të ngritët do të jetë çdo gjë në rregull. Ka qenë në pyetje një interval shumë i shkurtër kohorë dhe ekuipazhi, (pjesa dërmuese), duke e përfshirë edhe pilotin kanë përfunduar në atë tragjedi.

Pyetje: Sipas kësaj, asgjë nuk keni ndërmarrë kur janë manifestuar çrregullimet serioze të aeroplanit. Sa ka zgjatur ajo odisejada tragjike?

Përgjigje: Odisejada ka zgjatur përafërsisht 15-20 minuta e kam fjalën që nga mbyllja e dyerve të aeroplanit dhe asgjë s’kemi ndërmarrë, thashë më parë s’ka pasur kohë, ne vetëm kemi bërtitur, sidomos gratë dhe fëmijët. Ka qenë një llahtari trishtuese. Për ndonjë veprim konkret nuk ka pasur kohë.

Pyetje: A e dini sa është ngritur aeroplani nga toka?

Përgjigje: Nuk e di sa ka qenë lartësia, vetëm se jam i sigurt që është shkëputur nga toka.

Pyetje: Pastaj, çfarë ka ndodhur?

Përgjigje: Çfarë…(sikur i ngulfatet frymëmarrja), ajo që ka ndodhur. Unë kam udhëtuar shumë herë me aeroplan, por asaj radhe fluturimi ka qenë krejt tjetër, me përmasat e asaj që ka ndodhur.

Pyetje: Sa ka qenë intervali kohorë në mes rënies dhe eksplodimit, pasi që thuhej se ka tentuar të aterroj përsëri në pistë?

Përgjigje: Besoj kanë qenë në pyetje sekondat.

Pyetje: A mos ka eksploduar në ajër?

Përgjigje: Nuk di çfarë të të them, nuk e di… as nuk më kujtohet.

Pyetje: Po cilat pjesë të aeroplanit kanë shpëtuar?

Përgjigje: Pak më të ruajtura kanë qenë kabina e pilotit, por njerëzit të gjithë kanë vdekur. Mesi është shkatërruar tërësisht dhe aty për aty kanë gjetur vdekjen mbi 80 veta.

Pyetje: Ku ishit ju të ulur dhe sa jeni lënduar?

Përgjigje: Kam qenë ulur në rreshtin e fundit së bashku me Avni Avniun nga Gostivari. Lëndime kam pasur në kokë, fytyrë dhe afër syrit, ndërsa Avniu është lënduar më shumë se unë.

Pyetje: A mund të ju pyes: Pse jeni ulur në karrigen e fundit.

Përgjigje: Dikush do të ulej po që se unë nuk do të isha ulur dhe fati e deshi të gjithë që kemi qenë në fund të aeroplanit kemi shpëtuar. Në atë kohë na kanë intervistuar disa herë dhe më kujtohet se një pyetje e tillë mu ka shtruar edhe atëherë thuaja se ne e kemi ditur çfarë do të ndodhë.

Pyetje: A keni pasur nevojë për ndihmë?

Përgjigje: Fillimisht jo. Unë, Avni Avniu, Vaxhid Mehmeti, Abelard Januzi, Nazim Çenaj, , Ryti Krasniqi dhe Islam Dika kemi qenë të vetëdijshëm kurse Islamit pak më vonë iu ka dhënë ndihma mjekësore, ndërsa Avni Krasniqi edhe për një kohë më të gjatë është dashur të kurohet. Është dashur gjysmë ore kohë deri sa kanë arritur trupat e KSBE-së të cilat ishin në aeroport. Gjatë kësaj kohe jemi përpjekur t’u japim ndihmë atyre të tjerëve që mbeten gjallë të cilët nuk lëviznin ose nuk shihnin. Pastaj na kanë dërguar në spital dhe për 7 ditë sa kam qëndruar aty, personeli mjekësor është sjell me korrektësi.

Pyetje: A e keni parë çfarë ka ndodhur aty, si ka eksploduar aeroplani?

Përgjigje: Jo. Për një çast më ka humbur të pamurit, sigurisht nga shpërthimi i zjarrit, pastaj tronditja psikike etj. Këtë tragjedi nuk mund ta përshkruaj, nuk ka thertore që kullon gjak më shumë. Jo, jo nuk mund ta paramendoj as tashti dhe nuk mundem ta përshkruaj atë që ka ndodhur. Jam trishtuar i tëri dhe sa herë e kujtoj trupi më rrëqethet. Paramendoni vdekjen e mase 80 vetave para syve brenda pak sekondave.

Pyetje: Ju nuk keni udhëtuar menjëherë për Zvicër. Përse?

Përgjigje: Pas kësaj tragjedie që përjetuam, edhe pse nuk ishim shumë të lënduar, kemi përjetuar tronditje të gjatë psikike. Halucinacione psikike kam përjetuari kur jam kthyer në shtëpi, sidomos në gjumë dhe kur kam mbetur vetëm. Kjo gjendje për mua ka zgjatur shumë dhe vonë jam liruar nga ky ankth psikik. Pastaj si do të besonin familjet tona se ne kemi udhëtuar shëndosh e mirë për Zvicër.

Pyetje: A keni fluturuar përsëri me aeroplan?

Përgjigje: Po!… Me ju thënë të drejtën jam frikuar aq sa s’kam besuar se do të zbres gjallë në tokë dhe ky udhëtim është bërë pasi nuk kishim rrugë tjetër.

Pyetje: Për përfundim: Çfarë do të thoshit në këtë 7 vjetor?!…

Përgjigje: 5 Marsi, për mua është një ditë dhembjeje dhe përkujtimi për bashkudhëtarët e mi që nuk janë gjallë. Atyre ju dëshiroj prehje të qetë, dhe me siguri ata më të qetë janë se sa ne të gjallët që po rikujtojmë atë që përjetuam. Familjeve të tyre ngushëllime, atyre që na kanë vizituar dhe e rikujtojnë këtë dhembje falënderime.

Korrik, 1993.
St. Gallen, 1 mars 2000. Intervistoi: Shefqet Dibrani