(Duke shfletuar librin e Rexhep Rifatit “Shqiptarët në Zvicër 1001 pamje” )
Nga Namik Selmani, shkrimtar
Në atë takim me të paktën 100 poetë të diasporës së Kosovës në shumë vende të botës si në SHBA, Gjermani, Zvicër, Kanada, Zelanda e Re, Austri, Itali, Greqi, Angli e në shumë vende të tjera u ndodha para shumë të papriturave. Emocioni i parë i këtyre takime është njohja me miq të rinj e të vjetër të Fjalës së Mençur që të jep natyrshëm një bashkëpunim të afërt e të largët. Së dyti, njeh më nga afër krijimtarinë njëvjeçare letrare dhe artistike të kolegëve të tu krijues, problematikën që ata kanë në fushën e botimit në vendet ku banojnë në rraporet me përfshirjen e kulturës sonë kombëtare në Evropë e në botë. Mes këtyre emocioneve në mënyrë të natyrshme vjen ai detaj, ai njeri që të mbetet shumë kohë në kujtesë, edhe pse çanta jote mund të jetë mbushur me sa e sa kartvizita. Kudo ku të jesh, ti përjeton sa e sa mbresa që të vijnë brenda vetes. Duke parë dhe dëgjuar me shumë vëmendje poetët në një veprimtari që organizon çdo vit Ministria e Diasporës së Kosovës është fare i natyrshëm përgëzimi për këtë vlerësim që i bëhet punës dhe aktiviteti krijues për këta “ambasadorë” të shqiptarizmit në botë.
Kam patur fatin dhe nderin që në dy vitet e fundit të jem dhe unë pjesë e këtyre veprimtarive sa masive, edukative aq dhe informuese dhe cilësore. Në çdo veprimtari që organizon ka një simbolikë të madhe për ata që marrin pjesë në të. Në këtë vit u gjetën te të tilla. Njëra ishte në Kalanë e Harilaqit në afërsi të aeroportit të Prishtinës një kala me shumë histori që nga lashtësia. Më tej u gjet varri i dëshmorit Afrim Zhitija dhe në Orllan te Kulla e ngritur në kujtim të Heroit të Kosovës Zahir Pajaziti. Në takimin e poetëve të diasporës në Kalanë e Harilaqit dhe më vonë në Prishtinë pata rastin që ta marr me ceremoninë për prezantimin e librit “ Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje “ të autorit Rexhep Rifati në profesion gazetar nga qyteti i Ferizajt të Kosovës me qëndrim prej gati 20 vitesh në Cyrih të Zvicrës.
Ndërkohë që gati 100 poetë shkonin në një foltore për të paraqitur poezitë e tyre garuese në një Konkurs poetik, ndjeje bukurisht se si zërat jehonin gjer në grykat e maleve, një fotograf i thinjur, po shumë energjik, fiksonte me shumë kujdes secilin detaj të kësaj mbrëmjeje poetike. Ishte një shqiptar i mire, i mençur, patriot, artist i vërtetë që do ta njihnim më mirë në ditët në vazhdim. Ishte Rexhep Rifati që do të na shpaloste të nesërmen një befasi me librin e tij tashmë të njohur në të gjithë Kosovën dhe Zvicrën që unë do ta quaja “ një urë që bashkon dy kombe”.
Në këtë garë të bukur poetësh me poezitë dhe librat e tyre të fundit poetikë pata rastin që të paraqisja një poezi kushtuar këngëtares së madhe legjendare të Kosovës dhe të mbarë kombit Nexhmije Pagarusha. Te nesërmen në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës ishte organizuar promovimi i librave të botuara në vitin e fundit. M’u desh që të isha kumbar i dy librave me poezi “Vesë mbi gur“ i autorit shumë të njohur pejan Neki Lulaj që jeton e punon prej 25 vitesh në Gjermani dhe ai autores Drita Nikoliqi Binaj me titull “Flatrat e dhimbjes” .
I palodhuri Hasan Qyqalla kujdesej që asnjë detaj t’i mungonte veprimtarisë. Edhe ai ka vite që është bërë një Urë mes poetëve dhe atdheut të tyre.
Dhe në foltore ngjitet ai, i palodhuri i udhëve të Evropës, sidomos i Zvicrës e kudo ku ka shqiptarë, por që në çdo moment të jetës mbetet vetë si një kryeshqiptar. Në duar Rexhep Rifati ka një kryevepër që do ta lakmonte miqësisht, pse jo dhe profesionalisht çdo krijues i çdo kombi qoftë. Në promovimin e librave u vu në radhë dhe libri i Rexhep Rifatit i titulluar “Shqiptarët në Zvicër -1001 pamje” Me këtë rast ai ndau në mënyrë ceremoniale dhe disa nga librat e tij. Është një ekip i tërë në drejtimin e autorit Rexhep Rifati që na ka dhuruar këtë botim të rrallë dhe ndër më të mirët e viteve të fundit në diasporën shqiptare në Evropë. Kështu shohim emrin e një personaliteti të shquar zviceran si Prof, Dr, Basil Shader, redaktorin Blerim Shala, redaktorin gjuhësor Xhevdet Kallaba, mjeshtrin e poligrafisë Skënder Hajdari dhe së fundi Fondacionin ”Unë e dua Kosovën“ që ka bërë të mundur botimin e tij me këtë cilësi të jashtëzakonshme dhe shumë bashkëkohore.
Edhe pse libri ka në ballinën e tij qytetin e Zyrihut ku është botuar ai është një “prodhim“ të paktën kombëtar për të mos thënë dhe ndërkombëtar. Redaktori i librit është Hajro Hajra që banon në SHBA Prof. Hajro Hajra, vlerëson se libri është një monografi e mirëfilltë kushtuar shqiptarëve të Zvicrës, kësaj dege të shkëputur nga trungu i mëmëdheut gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit, shkëputje që është bërë valë-valë dhe që ka marrë hov të paparë, sidomos para e gjatë luftës së fundit në truallin shqiptar të Kosovës. Duke qenë edhe vetë pjesë e ndarë e këtij trungu për afro 20 vjet, gazetari Rexhep Rifati, me një jetë të tërë përvoje në gazetari, më mirë se kushdo tjetër e di si frymon mërgata shqiptare në Zvicër, në këtë shtet mik.
Ai ka një kohë gati 50-vjeçare në fushën e gazetarisë e mund të themi me plot gojë se kjo është një majë e ndritshme e botimeve të tij. “Kush nuk e njeh Rexhep Rifatin, gazetarin dhe fotografin e dashur, i cili është pjesë e pandashme e festave, e kuvendeve, e takimeve dhe e aktiviteteve të shumta kulturore e sportive shqiptare në Zvicër?” Këtë vlerësim e bën në parathnein e librit recensenti i librit të Rexhep Rifatit “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje“ albanologu Basil Schader, i cili e vlerëson autorin si enciklopedi të gjallë të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rretheve të lidhura me të. Prej shumë vitesh ai është një mjeshtër i rrallë i fjalës shqipe me kronikat e me shkrimet e tij, ai del para lexuesve të dy kombeve atij shqiptar dhe zviceran me një botim shumë dinjitoz ku mbizotëron veç fjalës dhe imazhi fotografik si libri me një lidhje speciale “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje” të fut në momentin e parë më shifrën 1001 që të dërgon përnjëherë në sinorët e përrallës.
Vërtet kur sheh atë ngjitje të vrullshme nga faqja në faqe të emigracionit shqiptarë në këto 15 vite në Zvicër, shpesh bie në kurthin e përrallës. Është një “përrallë“ e vërtetë në miqësinë mes dy popujve atij zviceran e atij shqiptar. Që në ballinën e librit, mes atyre personaliteteve që kanë kontribuar në këtë shtet sheh Artisten e Popullit Vaçe Zelën, Tedi Papavramin, Artistin e Popullit Aleksandër Mosiun, aktorin me famë botërore Bekim Fehmiun, të madhin Ibrahim Kodra, Nexhmije Pagarushën, nxënës, bujq, sportistë shqiptarë të përmasave botërore shkencëtarë të përmasave evropiane, mësues që mbajë gjallë gjuhën shqipe. rapsodë, valltarë, ndërtues, blegtorë, misionarë të shëndetit e violinistë virtuozë. Është një libër shumë voluminoz që atij i ka kushtuar të paktën 15 vite kohë. Kronika e tij nis që nga viti 1997 kur Kosova ishte kthyer në një vatër lufte. Kështu “brezi i sakrificës, i plumbave, i tmerreve” në vitet që pasuan më tej, në këtë libër bëhen “brezi i pasioneve dhe i përkushtimit, i mbijetesës ” në fusha të ndryshme të jetës. Libri është një pasqyrë historike, por dhe artistike e emigracionit shqiptar në Zvicër për arsimin shqip, për sportin, kulturën, pikturën, skulpturën, muzikën, biznesin, tubimet politike në emër të lirisë së shprehjes dhe besimit. Për specifikën e tij ky emigracion në masën më të madhe është nga Kosova dhe janë kryesisht të rinj.
Nëse do ta shikonim në një kënd më të gjerë profesional, libri është edhe një kontribut në përmasa evropiane, pasi jep jetën e një emigracioni të caktuar në një vend të caktuar. Për problemet e emigracionit janë shpenzuar jo pak energji politike diplomatike, financiare në komunitetin evropian. Në këtë mënyre ngrihet një Urë e madhe, e bukur e dokumentuar e kësaj lëvizjeje demografike që merr përmasa të qarta sociale, politike, kombëtare.
Libri ka vetëm një vit që ka dalë në qarkullim dhe është promovuar në disa qytete të Zvicrës në Prishtinë, në Ferizaj që është vendlindja e autorit Rexhep Rifati, por edhe në qytetin e Beratit në Shqipetj. Është mbase e tepërt për të parë jehonën e jashtëzakonshme që ka patur në këto mjedise ku është promovuar. Ai është vlerësuar nga personalitetet më të larta të politikës, kulturës dhe shtetit zviceran, të Ministrisë së Diasporës në Kosovë dhe nga shumë personalitete të tjera, pa folur për qindra e mijëra mirënjohje që atij i kanë ardhur nga njerëz të thjeshtë. Do të ishte bukur dhe me dobi të madhe që të bëhej një promovim dhe në Tiranë e ku të ftohej trupi diplomatik. Libra të tillë japin informacion për evropianizimin e kulturës dhe të shkencës shqiptare në vitet e kaluara dhe i paraprijnë atyre që do të ndodhin në të ardhmen.
“Sukseset dhe arritjet e shqiptarëve në diasporë më shtyri që të bëj edhe një hulumtim se ku gjendemi si popull, sepse nuk jemi më vetëm si emigrantë e të huaj, por tash jemi si komunitet në shtetin e Zvicrës. Gjatë këtyre kërkimeve për të kompletuar këtë libër shpesh jam befasuar këndshëm me të arriturat e komunitetit shqiptar në këtë shtet”- ka thënë në një nga promovimet autori i librit Rexhep Rifati. Për të bërë jehonë e duhur këtij libri, mund të bëhej një promovim në mënyrë të domosdoshme, do të thoja pa droje, në çdo vend tjetër të Evropës ku ka një emigracion shqiptar në numër dhe shumë aktiv në jetën politike shoqërore ,artistike sportive. Sa mirë do të ishte që të kishim sa më shumë “Rexhepë” që do të ishin në një mënyrë shumë më të dobishme edhe “ambasadorë“ të kulturës dhe te emigracionit shqiptar në këto vende. Rexhep Rifati para 45 viteve themeloi shoqërinë kulturo-artistike «Kastriotët», e cila është aktive edhe sot e kësaj dite.
Për arsye të ndryshme Shqipëria, edhe pse ka një emigracion shumë më të madh në numër se Kosova, nuk ka një Ministri të Emigracionit. Do të ishte shumë mirë që libra të tillë të promovohen nga disa ambasada respektive në disa vende të Evropës apo edhe të nxiten artistët që jetojnë në këto vende dhe që munden ta bëjnë këtë gjë për të bërë libra të tillë. Këtu nuk është fjala për një lloj reklamimi të shoqëruar me buzëqeshje diplatime apo për disa kronika dhe relacione drejtuar shtetit amë, por jemi përballë një realiteti të pamohueshëm të jetës, punës dhe përkushtimit të emigracionit shqiptar që kërkon dhe mënyrë që të dokumentohet. Sa bukur që në çdo vend te Evropës në Gjermani, në Angli, në SHBA, Itali, në Greqi, etj, të kishim sa më shumë “ Rexhepë” që të dokumentonin po kaq bukur estetikisht dhe realisht pjesën më të bukur të shqiptarizmit në këto vende. Të shihnim atë rrugë të ngjitjes dhe të asaj klime të ngrohtë të këtyre vendeve për të rinjtë shqiptarë që janë atje si mjekë, shkrimtarë, inxhinierë, sportistë, mësues. Sa bukur do te ishte që çdo ambasadë shqiptare në Botë të kishte një libër të tillë e ta promovonte në rrethet kulturore shqiptare duke mos harruar që të ketë në to jo vetëm autorin si mirënjohje dhe përcjelljeje të përvojës, por dhe një model të munguar në punën e ambasadave tona.
Nëse duam të aspirojmë për një bashkim shpirtëror të kombit tonë, vepra të tilla duhet të jenë Porta të qytetërimit tonë evropian. Të gjithë jemi befasuar dikur madje kemi cituar pa fund (dhe akoma citojmë) para kronikave osmane, para piktorëve anglezë, francezë, gjermanë, para Bajronit dhe poezive të tij, para relacioneve të ambasadorëve të huaj që kanë shkruar për vendin tonë. Gjithsesi edhe subjektivë në atë që ata kanë përcjellë në to. Jemi befasuar paksa para pikturave dhe fotove të të huajve që herë na kanë idealizuar, herë na kanë shtrembëruar karakterin e kombit tonë. Duke e shfletuar faqe më faqe librin me 501 faqe, portretet shumë të realizuara artistikisht, Prishtina m’u duk ato ditë më e ndezur nga dritat e artit dhe modestia e fytyrëskuqurit Rexhep Rifati. Më shtohej dhe më shumë emocioni që nuk shuhet kurrë në jetë.
Para librave të tillë që kanë sa e sa energji pozitive, kanë art bashkëkohor, kanë kaq shumë dashuri, Mirënjohja është më e pakta që mund të japim për këtë autor, për këtë shqiptar të mirë, të mençur, dhe shumë patriot që na e ka rritur dhe më shumë krenarinë dhe obligimin për të nesërmen e kombit tonë .
Gusht, 2014
( Autori i këtij shkrimi (botuar në gazetën Tirana Observer), Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës; është gazetar dhe shkrimtar shqiptar, që me botimet e tij është përfaqësuar në disa vende, si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.)