“NITA” E RELËS  ËSHTË SHFAQUR PËR HERË TË PARË NË ZARË MË 1976

Nga Hajro HAJRA

Shkrimi i mikut e kolegut tim Rexhep Rifati “Premiera e “Nitës” së Relës, shfaqet për herë të parë nga vetë arbneshët në Zarë, më ktheu në vitin e largët 1976. Asokohe gjendesha në shërbimin ushtarak në Zarë të Kroacisë. Në muajin maj të atij viti, në Arbënesh të Zarës u organizuan një mori manifestimesh në kujtim të 250-vjetorit të shpërnguljes së arbëneshëve. Për të marrë pjesë në këto manifestime kishin ardhur shumë arbëneshë nga shtete të ndryshme të Europës, nga SHBA-të, nga Argjentina, nga Brazili etj. Në kuadër të këtyre manifestimeve është shfaqur edhe premiera e dramës “Nita” e autorit arbënesh Josip Rela si dhe një koncert nga Kori i Arbneshëve, drejtuar nga dirigjenti arbënesh Shime Deshpali.

Për këto ngjarje kam publikuar një shkrim të shkurtër në gazetën “Rilindja” më datën 24 maj 1976, faqe 11. Shkrimin po e japim këtu të plotë, jo për ta demantuar mikun tim R. Rifati, por për ta informuar lexuesin.

***

ME RASTIN E 250 VJETORIT TË ARDHJES SË ARBËNESHËVE NË ZARË

PREMIERA E PARE E “NITËS”

U dha edhe një koncert i arbëneshëve nën drejtimin e Shime Deshpalit

Në kuadër të kremtimit të 250-vjetorit të ardhjes së arbëneshëve në Zarë, këto ditë në Teatrin Popullor të Zarës, SHKA “Ivan Goran Kovaçiq” e Arbëneshit shfaqi dramën e Josip V. Relës “Nita”. Veprën e vuri në skenë regjisori Mladen Petriçiqi, ndërsa rolet kryesore i interpretuan Gjorgje Bjellush – Gagiq (Prenk Vula), i cili bëri edhe përthimin e veprës në serbokroatishte, pastaj Gizella Lubanoviq (Nita), Zhelka Urtika (Zefi) e të tjerë. Shfaqjen e shikuan jo vetëm arbëneshët dhe të ftuarit e tjerë nga Zara, por edhe një numër arbëneshësh që kishin ardhur me këtë rast në vendlindje nga vende të ndryshme të botës. Shfaqja u përcoll me interesim të madh dhe të pranishmit mbetën të kënaqur me interpretimin e aktorëve të rinj arbëneshë. Efekte të posaçme bënë skenografia e Bruno Pedishiqit e sidomos kostumografia e e Nuredin Logjës me kostume autentike të punuara në TPK të Prishtinës.

Solemnitetet me rastin e këtij përvjetori vazhduan edhe dy-tri ditë të tjera. Kështu, Kori i Arbëneshëve, nën drejtimin e dirigjentit Shime Deshpali, shfaqi një koncert në Arbënesh, ku, përveç të tjerash, u interpretuan edhe dy kompozime të Sh. Deshpalit. Interpretë qenë solistët Uça Peroviq, Shime Rela, Ana Peroviq, Dragica Zupçiq dhe recitueset Maria Bajlla dhe Silvana Kallmeta.