“Nëntori poetik 2019”, dëshmi vlerash arti e kulture në mërgatë

Qyteti Bad Neuenahr në Gjermani, ishte një pikëtakim krijuesish shqiptarë nga shtetet të ndryshme të Evropës, ku jo vetëm që u bë përzgjedhje e kryesisë së re me Musa Jupollin, kryetar, por edhe u ndanë mirënjohje dhe çmimet e jurisë për poezi, ma që rast, Pendën e artë “Martin Camaj” e fitoi poeti nga Gjermania, Fran Tanushi.- Vëmendje tërhoqi përkthyesi Abidin Krasniqi, një ri që ka lind në Francë e që ka përkthyer “Lahutën e Malësisë” në gjuhen frënge,

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Mbrëmë në qytetin Bad Neuenahr të Gjermanisë u tubuan me dhjetëra krijues nga fusha e letrave tona për të marrë pjesë në kuvendin e rregullt zgjedhor të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe fill pastaj edhe në Festivalin e IV tradicional “Nëntori poetik 2019”, ku zakonisht pas një ore letrare pjesëmarrjes së poezive në konkurs shpallen rezultatet e jurisë përkatëse.

Edhe kësaj radhe nuk munguan krijuesit të cilët marrin rrugëtime të gjata nga shtetet e ndryshme me mjete të ndryshme trafiku, për të shfletuar krijimet e tyre qoftë në poezi apo prozë e shumë më tepër për tu takuar mes veti për të këmbye përvojat dhe për tu çmallë me përditshmërinë që sjellë kurbeti.

Punën e kuvendit zgjedhor me një përshëndetje për mysafirët e hapi kryetari i kësaj lidhje, Hasan Qyqalla, i cili krahas paraqitjes së një fjale të rastit, ku foli për arritjet dhe sfidat me të cilat u ballafaqua ky organizim krijuesish në mërgatë, përshëndeti edhe praninë mysafirëve që kishin ardhur nga Ministria e diasporës që kishte mbështet këtë aktivitet e përfaqësuar nga Sebahate Murturi e Besnik Desku, si dhe Fatmire Musliun shefe e konsullatës së Kosovës Frankfurt. Kuvendi u përqendrua rreth disa problemeve që ishin krijuar në mes të dy kuvendeve, pas situatës së krijuar pas dorëheqjeve të disa nga anëtarët e këtij kuvendi, si dhe shqyrtoi dhe miratoi raportin e punës dhe atë financiar e gjithashtu bëri prezantimin e projekt-platformës për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Pas votimit të tre kandidatëve që u propozuan për kryetar të ri të LKSHM-së për kryetar me shumicë votash u zgjodh Musa Jupolli, poet me prejardhje nga komuna e Podujevës i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Paris, si dhe u zgjodh kryesia e re me përfaqësim nga gjitha shoqatat e krijuesve që veprojnë në shtetet e ndryshme perëndimore. Me këtë rast mirënjohje iu shpreh kryetarit të deritashëm Hasan Qyqalla, për punën e tij 6 vjeçare në krye të këtij asociacioni krijuesish në mërgatë, në rrethana jo edhe të favorshme, sidomos në mungesë të mjeteve sado të pakta financiare.

Pjesa e dytë e takimit iu kushtua Festivalit të IV tradicional “Nëntori poetik 2019”, ku poetët e pranishëm përmes një ore letrare lexuan punimet e tyre të paraqitura në konkurrim, ndërsa që një juri profesionale e përbërë nga Mentor Thaqi, Rudina Ismaili Muharrem Blakaj bëri shpalljen e rezultateve. Kësaj radhe me çmimin më të lartë që ndahet në këtë manifestim letrar, Penën e artë “Martin Camaj” e fitoi poeti Fran Tanushi, ndërsa Çmimi i Pavarësisë së Kosovës iu nda Poet Nushit, çmimi i LKSH- Anton Markut, Çmimi Nëntori Poetik- Bajrush Zekës dhe Çmimi Kongresi i Manastirit- Lumni Nimanit.

Në këtë ngjarje shkrimtares, vëmendje të posaçme tërhoqi përkthyesi Abidin Krasniqi, një shqiptar i ri që ka lind në Francë i cili ka përkthyer Lahutën e Malësisë së Gjergj Fishtës në gjuhen frënge, duke qenë kështu përkthyes i parë i kësaj vepre madhore të “Homerit Shqiptar”. Gjithashtu u bë edhe promovimi i librit : “DOMGJONI“ të autorit nga Mirëdita, Llesh Ndoja. Pjesë shumë simpatike e këtij evenimenti, ishte edhe hapja e ekspozitës së pikturave me emërtimin “Urat” të piktorit të ri Kushtrim Istrefi, i lindur në Mitrovicë, i diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, i cili deri më tash ka hap disa ekspozita e së fundi edhe në disa mjedise gjermane.