Një nga personalitetet më të shquara shqiptare në Austri, intelektuali dhe shkrimtari, Hazir Mehmeti, autor i disa veprave, doli edhe me një libër të ri me emërtimin “Pranverë e helmuar”, kushtuar mijëra nxënësve të helmuar 30 vite më parë në Kosovë, pas një pune kërkimore disa vjeçare.- Në anën tjetër çuditërisht faktori shqiptar u tregua i shurdhër ndaj këtij akti kriminal serb.
Nga Rexhep Rifati
Promovimi i këtij libri u bë në hotel „Europahaus“, para një numri pjesëmarrësish relativisht të kufizuar shkaku i situatës së krijuar nga koronavirusi. Nga vet autori mësojmë se hapjen dhe prezantimit të librit e ka bërë Kaltrina Durmishi, ndërsa të pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, si dhe sekretarja e parë në Ambasadën e Kosovës, Shkurta Krasniqi.
Me këtë rast po japim pjesë nga fjala hyrëse e librit nga vet autori, Hazir MEHMETI, si dhe si dhe një pjesë të fjalës së recensuesit Prof. dr. Eqrem M. Zenelaj.
Autori Hazir Mehmeti, duke u kthyer tri dekada mbrapa rreth kësaj teme që shqetësoi për disa muaj rresht popullatën shqiptare te¨Kosovës, shkruan se si: Rrethanat e jetës e kushtëzojnë individin, jetën e tij, në një shoqëri të çfarëdo sistemi që është. Edhe ne. Jeta në robëri na kushtëzoi shumë rrethin jetësor duke filluar nga sigurimi i kafshatës së gojës, deri tek të jetuarit me shpresë për më shumë liri e progres. Kjo nuk do vinte lehtë. Shkollimi, pra dija, ishte kushti i parë pas bukës për mbijetesën e individit si pjesë e fatit kolektiv të tij, fatit kombëtar.
Qysh në bankat e klasës së parë filloi hapja e dritares së nevojshme, e munguar në shekuj në fshatin tim, në vendin tonë. Mësuam gradualisht, se të qenit shqiptar nuk ishte e lehtë, kërkonte mençuri e trimëri, kërkonte sakrificë. Sistemi e kishte ndaluar çdo gjë që fliste mbi të vërtetën shqiptare, tragjiken e tyre e cila prekej në çdo prag dere. Çdo shtëpi kishte zinë e Tivarit, tani edhe të aksionit për mbledhjen e armëve, aksionin e dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve në Turqi, burgosjet, keqtrajtimet, vrasjet që ishin të përditshme. Mësuam se Goli Otoku ishte kampi i shtetit ku shqiptarët duhen mbyllur dhe bashkë me ta përpjekjet e secilit për të drejtën e tyre. Edhe, sot me trishtim shohim muret, trungjet e shtyllat ku lidheshin shqiptarët netëve të dimrit deri në “shpikjen” dhe dorëzimin e armës, shumë prej të cilëve mbetën invalid që ne i shihnim me këmbë të këputura, duar të thyera, vesh të prerë, hundë të prera, por nuk i shihnim të tredhur edhe pse ne e dinim se ishin tredhur me tel e darë kuajsh. Krejt kjo kishte qëllim mbjelljen e tmerrit dhe detyrimisht largimin e shqiptarëve nga tokat e tyre shekullore, të dhunuar e turpëruar drejtë Turqisë
Masakra të papara që nuk mund të harrohen
Këto masakra populli nuk i harroi. Rapsodi ia thoshte këngës me krenari edhe pse burgu i rrinte mbi kokë si shpata e Demokleut. Nga këto mësime formohej brezi i ri i cili me abetare në dorë do të ngjitet drejt detyrës në shërbim të kombit.
“Shkau nuk ka besë”, porosiste plaku mjekërbardhë, dhe kjo ishte e vërteta e sprovuar nëpër vite. E provuam edhe vetë, atë që të parët e kishin pjesë të jetës, por ne do kemi fatin e kohës së përmbysjeve të mëdha të sistemeve dhe hapjen e portave për luftën çlirimtare e cila solli lirinë e kërkuar në shekuj.
Helmimi i fëmijëve shqiptarë, ishte akti më kriminal serb
Pa dyshim, helmimi i fëmijëve shqiptarë, ishte akti më kriminal serb në epokën e pasluftës së Dytë Botërore. Fantazma ogurzezë serbe e lindur nga Kisha Ortodokse Serbe, e hartuar nga pseudo akademia serbe, u ringjall me gjithë egërsinë e saj në Bosnjë, Kroaci e mbi të gjitha në Kosovë. Në Evropë egërsira serbe e shoqëruar me barbarizmin karakteristik mbështetur vazhdimisht nga Rusia dhe Kisha Ortodokse e saj, do tregojë atavizmin e sëmurë ndaj fëmijëve shqiptarë, qysh nga fëmija trevjeçar Igor Gashiqi (malazez) nga Gjakova dhe deri tek më i vjetri Alush Beqiri 66 vjeçar nga Mitrovica.[1]
Si pjesë e shoqërisë dhe si mësimdhënës në gjimnazet ku kam dhënë mësim punohej me intensitet për ngritjen arsimore e edukative. Falë ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 kur kasta politike e pa forcën e shqiptarëve, u bë hap i madh në masivizimin e mësimit shqip në të gjitha nivelet. Kosova fitoi autonomi të gjerë, por jo atë që duhej, statutin e republikës sikurse kombet e tjera. Kjo ngritje ishte vendimtare në bazamentin për liri e cila dihej se do të kushtonte shumë. Shqiptarët kudo në Jugosllavi që shtojnë aktivitetet e tyre në punë e biznese, i gjeje kudo me sukseset e tyre: në Beograd, Zagreb, Lubjanë dhe gjithë bregdetin e Adriatikut.
Çuditërisht faktori shqiptar ndaj këtij krimi u bë i shurdhër!
Duke parë këtë përparim të shpejtë, forcat shoviniste serbe të prira nga Akademia e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, nxorën nga sirtarët e tyre memorandumet e vjetra e të reja në përgatitjen e sulmit të radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ua hapën dyert propagandës shoviniste serbe dhe atyre jugosllave në luftën e radhës kundër shqiptarëve, kinse ishte lufta kundër irredentizmit e separatizmit. Dihej qartë se shqiptarët kërkonin barazi me kombet e tjera, kërkonin me të drejtë republikën e tyre të pavarur nga Serbia. Kjo nuk do të pranohej nga politika shoviniste serbe e jugosllave. Sulmet kundër shqiptarëve ndodhnin gjithandej shtetit jugosllav. Shqiptarët u larguan nga puna dhe u burgosën. Ushtarët shqiptarë që përbënin një të tretën në gjithë armatën jugosllave keqtrajtoheshin, burgoseshin dhe vriteshin çdo ditë. Pas kësaj periudhe do të vijojë ajo e shembjes së autonomisë në vitin 1989 dhe fillimi i qëndresës gjithë popullore e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore, Ulqin, Malësi e Madhe për të drejtat e tyre. Qysh nga ky vit fillon provokimi më i rëndë serbosllav kundër shqiptarëve, ai i helmimit të fëmijëve në vitin 1990 duke vazhduar në vitet e ardhshme. Ishte ky provokimi kriminal më i egër i cili nuk është dënuar as sot e kësaj dite pas tridhjetë vjetëve. Qëndrimi serb mbeti kriminal, i njëjti siç është edhe sot e kësaj dite. Çuditërisht faktori shqiptar ndaj këtij krimi u bë i shurdhër gjatë bisedimeve, në Gjykatën e Hagës, në gjykatat komunale, në shënimet dhe ndihmën e atyre që u helmuan si dhe familjeve të tyre
Prof. dr. Eqrem M. Zenelaj: “PRANVERË E HELMUAR”, një vepër dokument kohe
Recensenti i librit, që në fillim thekson se: Në përmbajtjen e librit “Pranverë e helmuar” shihet mirë një periudhë e rëndë që përjetoj kombi shqiptar në Kosovë. Fëmija është e ardhmja e një kombi, armiku e dëshironte helmimin e së ardhmes së kombit shqiptar. Që në hyrje të librit me argumente përkujtohen krimet serbe ndaj shqytarëve në trojet e tyre etnike të organizuara dhe dirigjuara nga pushteti shfarosës serb i programuar nga akademikët dhe kisha ortodokse serbe. Faktet e mbledhura në arkivat dhe bibliotekat e vendeve të ndryshme, librit i dhanë dimensione shkencore të pa kontestueshme. Kronologjia e renditjes së fakteve përshkohen me saktësi që nga “Golgota Shqiptare” (Albanische Golgota) e Leo Freundlich deri tek ditari personal i autorit. Libri bazohet në katër shtylla të fuqishme të një tërësie kohore të përmbajtjes: Rrethanat e represionit të pushtuesve serb para dhe gjatë helmimit; dokumente e shkrime nga shtypi botëror; faktet nga hulumtimet shkencore për praninë substancave helmuese kimike në mostrat e fëmijëve të helmuar; ditari personal i autorit në kohën e helmimeve duke qenë vetë dëshmitar i ngjarjeve të rënda.
Me intuitë të një hulumtuesi me përvojë, Mr.sci.Hazir Mehmeti, në hyje të librit ofron shkrime e dokumente relevante nga shumë autorë kombesh të ndryshme duke përfshirë këtu edhe serbë lidhur me planet serbe të zhdukjes së shqiptarëve. Këto dokumente flasin mbi aktivitetin e gjenocidit serb të vazhdueshëm që nga Pllana, Nishi, Vranja, Sanxhaku, Kosova. Këto lidhen në kontekst kohe me ngjarjet në vijim që nga dokumenti “Akuzat kundër vrasjes së popullit shqiptar 1913”, duke vazhduar deri në helmimin e fëmijëve shqiptarë si hapi i radhës për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Shtypi i kohës dhe dokumente nga aktivitet i japin librit aktualitet të qëndrueshëm si njëra nga të parat e tillë gjithëpërfshirëse dhe e veçantë rreth helmimit të fëmijëve shqiptarë në Kosovë. Ndryshimet kushtetuese me dhunë nga Serbia në vitin 1989, pastaj segregacioni ishin hapat që i paraprinë helmimit.
Ngjarje që paraqitën me korrektësi me syrin e një hulumtuesi e publicisti
Këto ngjarje paraqitën në libër me syrin e hulumtuesit e publicistit, i cili që herët nga koha e punës së tij në Qendrën Shkollore ndau fatin me nxënësit, prindërit dhe kolegët e tij. Rrethanat e rënda paraqiten shkurtas por me argumente qoftë nga personalitet e njohur të kohës apo dokumentet dhe shkrimet e shtypit periodik e ditor, libra të shkruar deri tani rreth helmimit. Sulmi që i bëhet shkollës shqiptare, ndryshimi me dhunë i plan programeve të mësimit në gjuhën shqipe janë vetëm fillimi i aktivitetit shovinist serb.
Vendimi i ndërprerjes së financimit të arsimtarëve të shkollave të mesme ishte presioni i shoqëruar me dhunën e vazhdueshme serbe për të pranuar plan programet serbe dhe vetvetiu nga kjo rrjedh pranimi i ndryshmeve në kushtetutën serbe e cila hoqi autonominë Kosovës.
Në fakt, libri sjell gjithashtu sekuenca nga qëndresa e mësimdhënësve shqiptarë në kolektivet e tyre, duke u organizuar si të pavarur nga sistemi serb i cili mbrohej nga struktura e vjetër. Kështu ishte edhe në shkollën ku Hazir Mehmeti punonte dhe ishte pjesë e organizimeve të fuqishme brenda kolektivit ndër më të mëdhenjtë në gjithë vendin. Këto rrethana të detajuar autori i saktëson edhe nga shkrimet e kohës, raportet e mbajtura nga mbledhjet dhe ditarin e tij personal. Përballja me helmimin nuk ishte e lehtë, kërkonte organizim, mençuri e trimëri. Pasojat në këto rrethana i bartën përveç të helmuarve, edhe rrethi shkollor, rrethet e shërbimeve shëndetësore. Shkollat, shtëpitë e shëndetit, spitalet u morën nën kontrollin e policore serbe. Çdo ditë kishte protesta, arrestime, burgosje, kurse marrja në “biseda informative” ishte e përditshme, këtë e përjetoi edhe autori i librit.
Plaçkitje e barërave, arrestimet e të helmuarve, atyre që dhanë ndihmë ishin të përditshme, këtë e përjetuan spitalet, shërbimi shëndetësor, Kisha Katolike Shqiptare në Ferizaj, Binçë e gjetkë duke penguar shërimin e fëmijëve të helmuar.
Mr.sci.Hazir Mehmeti në librin e tij ofron fakte lidhur me rezultatet shkencore nga analizat laboratorike në të cilat u vërtetua prania e substancave neurotoksike. Të gjitha analizat laboratorike të bëra në Zagreb, Paris e gjetiu tregojnë, se është fjala për helmime. Këtë e pohojnë mjekët specialist shqiptarë në bazë të simptomave, por edhe toksikolog ndërkombëtarë me analizat e tyre laboratorike: Dr. Aubin Heyndrickx, Dr. Franjo Plavsiç, Dr. Bernard Benedetti, Grajgut, Graves, Dolenc. Gjetja e substancës në gjashtë mostra të shtatë fëmijëve të helmuar në Kosovë në analizat e specializuara u zbulua substanca DIMETIL-PHOSPH-DITIONAT (DM-PP), Dr. Franjo Plavšić, në simpoziumin lidhur me helmimet në Zagreb me 9 qershor 1990 etj.
Pa dyshim kjo vepër do jetë edhe një dokument dëshmi kohëve mbi krimin e rëndë serb të helmimit të tetë mijë fëmijëve shqiptarë, krim i cili nuk u dënua, krim i cili nuk do harrohet asnjëherë në jetën e kombit shqiptar. Ditari i tij personal i përshkrimit dhe përjetimit të helmimit të nxënësve flet në detaje dhe mbetet dëshmi me vlerë ku flitet jo vetëm për helmimin, por edhe për represionin, arrestimet, marrja në “pyetje” nga organet e sigurimit serb të cilat i përjetuan aktivistët mes tyre edhe autori. Ditari personal tridhjetë vjet i ruajtur me kujdes do duhej të ishte pjesë e arkivave tona që nesër gjeneratat të mësojnë e edukohen në frymë e respektit dhe dashurisë ndaj kombit, historisë së tij të vështirë, por të lavdishme.
Vazhdim i suksesshëm i hulumtimeve shumëvjeçare të autorit
Vepra “Pranverë e Helmuar” e autorit Mr.sci.Hazir Mehmeti, është vazhdim i suksesshëm i hulumtimeve të tij shumëvjeçare. Ai u dallua si pedagog punëtorë në Kosovë, Austri, si publicist dhe shkrimtar ku punimet e tij të botuara në shumë gazeta kanë nxjerrë emrin e tij si figurë e respektuar.
Mr.sci.Hazir Mehmti është emër i njohur për veprimtarinë kombëtare për publicistikën dhe arsimin shqip në Austri. Ai është bashkëpunëtor i dhjetëra gazetave dhe revistave të shumta në diasporë deri në SHBA si dhe në trojet shqiptare.
Hazir Mehmeti është autor i abetares së parë për nxënësit shqiptarë në Austri dhe i teksteve të tjera; bashkautor i disa teksteve mësimore për diasporë; pjesëmarrës në studimet rreth përvojës në didaktikën bashkëkohore; pjesëmarrës në hulumtime metodologjik për arsimin e edukim me tekstet te reja mësimore; drejtues i faqes së internetit për materiale mësimore në gjuhën shqipe pranë Ministrisë së Arsimit në Austri; pjesëmarrës i shumë projekteve kulturore, pedagogjike; pjesëmarrës i shumë seminareve profesionale si ligjërues dhe shumë projekte. Mr.sci. Hazir Mehmeti ka qenë për shumë vite njëri nga drejtuesit e Shoqatës së Mësuesve Shqiptar në Austri, por dhe kryetar i saj. Ai është anëtar i Asociacionit të gazetarëve profesionist botëror me seli në Florida; anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Diasporë; është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri. Autor i disa veprave letrare e artistike të përkthyera në gjermanisht dhe rumanisht; autor i monografive dhe veprave hulumtuese me vlera për historinë dhe kulturën kombëtare.
Për punën shembullore në arsim dhe krijimtari, Akademia e Shkencave Pedagogjike e Shqipërisë e pranon anëtar të saj, ndër të parët nga diaspora. Prof. Dr. Musa Kraja dhe Emirjona Kraja shkruajnë librin Monografi Social Pedagogjike “Mësues e Krijues në Diasporë, Hazir Mehmeti”- Tiranë, 2016.
Ndër veprat e tij e cila ka dimension shkencore në relacionin e marrëdhënieve Shqiptaro-Austriake, “Studiues Austriakë e Shqiptarë në Austri”, në të cilin pasqyrohen raporte shekullore mes dy kombeve në rrafshin e gjuhës, artit dhe kulturës. Kjo vepër u prit jashtëzakonisht mirë nga të gjitha nivelet intelektuale e akademike edhe në Austri, një kontribut në vlera të përgjithshme të ngritjes së frymës së bashkëpunimit ndërkulturor në Austri dhe miqësisë Austro-Shqiptare.
Marko Tula Ciceronit: “Nxitja më madhe e krimit është të mos e ndëshkosh”.
Përsëri kthehemi te vepra me e re e Mr.sci.Hazir Mehmetit: “PRANVERË E HELMUAR”, ku ka edhe shumë për të thënë, por po e përmbyllim me një thënie të Marko Tula Ciceronit: “Nxitja më madhe e krimit është të mos e ndëshkosh”. Krimi serb i helmimit i pasqyruar në “Pranverë e helmuar” kërkon dënimin e tij, kurse harrimi i tij është pajtimi i turpshëm gjunjëzues i yni. Ne nuk do lejojmë këtë! E kemi detyrim kombëtar!
Vepra e Mr.sci.Hazir Mehmetit është një thesar i kulturës dhe i memories së vuajtjeve kombëtare historike shqiptare dhe si e tillë kjo vepër zë një vend të rëndësishëm në literaturën e Historisë Kombëtare Shqiptare.
Së fundmi, Zotit Mr.sci. Hazir Mehmeti, i urojmë suksese, në prurjet e reja kulturo-historike, ndërsa librit të tij me titull: “PRANVERË E HELMUAR”, i dëshirojmë dhe urojmë shtrirje të gjerë në trojet shqiptare dhe jo vetëm!,. përfundon fjalën e tij recensenti Prof. dr. Eqrem M. Zenelaj.
(Krahas fotove nga promovimi po jap edhe disa foto plotësuese me rastin e botimit të librit)