Shkrimtari Bedri Tahiri që deri me tash njihej kryesisht si autor i shumë monografive me peshë kulturo-arsimore e historike nga kjo javë njihet edhe si romancier, me veprën e tij “Kohë Ethesh”, të mbështetur nga MKRS-ja dhe të botuar në Shtypshkronjën LENA në Prishtinë. Me këtë rast për portalin tonë po e japim fjalën e redaktorit të këtij libri, shkrimtarit e kolegut Ibrahim Kadriu, me një foto të përbashkët të autorit me redaktorin
Ibrahim Kadriu: PASQYRIIMI ARTISTIK I HISTORISË
Përmes fakteve historike dhe legjendave, në saje të njohurive që shkrimtari Bedri Tahiri i kishte në dispozicion, mbase nga përvoja e gjatë e angazhimit në fushën e historiografisë, na ofrohet dorëshkrimi i romanit “Kohë ethesh” si pasqyrë e shekujve, por edhe e mileniumeve kur kihen parasysh të dhënat nga lashtësia që hasen në fillim kur “pallati do të hidhte shtat pikërisht mbi muret gjysmë të rrënuara të fortesës së lashtë ilire…”
Autori, që në fillim, kur (si në përrallë efektive) merret me sulmet e të huajve, siç thotë “Lubia shumëkrerëshe…” ardhësit e të uriturit aziatikë për toka të reja, kur Perandoria osmane lëshon kthetrat mbi Kosovën në atë kohë të largët (1389). Ngjarja në roman kapërcehet me demistifikim të faqeve të rreme të historisë të shkruar sidomos nga serbët, duke përvetësuar figurën që ishte kryengjarje e Luftës së Kosovës, Millosh Kopiliqin.
Lufta e Kosovës, pra, është shtytësi kryesor që e ka nxit autorin të realizojë këtë vepër. Është ngjarja e cila vijëzohet bindshëm si legjendë e bartur me shekuj, kurrë e definuar realisht, por si mbështetje për trillimet serbe.
Përgjithësisht ky roman paraqet një shëtitje në histori përmes karaktereve të vendorëve të cilëve iu bie hise të përjetojnë tortura fizike dhe psikike nën “përkujdesjen” e pushtuesve.
Në dorëshkrimin e këtij romani, përmes përshkrimeve që ofrojnë pamje të rrethanave jetësore në ambiente shqiptare, ku cilësohen edhe vlera pasurore nëntokësore për të cilat pushtuesit ia mësynin kohë e pa kohë, duke lënë pas vete rrënime dhe kufoma, autori është përqendruar në kalitjen e personazheve; në tipizimin e karaktereve përmes tragjedive dhe vuajtjeve që u ndodhin, duke na e dhënë tablo të gjalla të një pasqyrim artistik të historisë.
Kësisoj, romani paraqitet si dëshmi e mirë e përkushtimit të autorit, i cili i ka dhënë rëndësi metodologjisë së shkrimit të avancuar dhe ka arritur që ky dorëshkrim të jetë i pranueshëm nga gjithë moshat, e posaçërisht nga shkollarët të cilët, pas leximit, do të pasurohen me të dhëna, para së gjithash historike.
Romani “Kohë ethesh” ka rrjedhën e vet pa sforcime me çfarë spikatet individualiteti letrar i këtij autori që, me këtë dorëshkrim të parë letrar në fushën e romanit, me strukturën kompozicionale të veprës, e arsyeton besimin e të arritshmes së dëshiruar. Për këtë bindin stili, mbarështimi i lëndës dhe motivimet e personazheve, veçori këto që inkorporohen rrjedhshëm, pa sforcime, me gjuhë të përshtatshme, që intrigojnë kureshtjen e lexuesit.
Prishtinë, janar 2022