Ndërroi jetë piktori i salloneve të Parisit, Omer Kaleshi

Sot në moshën 90- vjeçare ndërroi jetë një nga piktorët më të mëdhenjë shqiptar të ditëve tona Omer Kaleshi. Omerin, që lindi në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës e përcolli një fat dhe rrugëtim i veçantë jetësor: migrimi me familje në Turqi qysh në   vitin 1956, ku edhe në vitin 1959 regjistroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, në degën e pikturës.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Së shpejti emri i tij do të bëhet i njohur në sallon e ekspozita në anë të ndryshme të Evropës. Më parë në galerinë “Robert College” në Stamboll, e më pastaj edhe në Ankara, Beograd, Shkup. Nga Turqia, Omeri migroi sërish, por kësaj radhe në metropolin kulturës evropiane në Paris. Migrimi i dytë i hapi këtij artisti me prejardhje nga Kërçova që në vitet 1966-1967 të ekspozojë punimet e tij edhe në Hagë – “Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris – “Salloni i realiteteve të reja”, “Qendra kulturore 17”, në Lecce të Italisë – “Salloni i majit” e të tjera. Do theksuar gjithashtu se Omeri hapi ekspozitë edhe në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Emri dhe fama në saje të stilit që ndoqi në art, bëri që Omer Kaleshi të radhitet në mesin e emrave të mëdhenj të pikturës evropiane, por atij përherë i ngeli në kujtesë dashuria dhe mbamendja te vendlindja, ndaj edhe nuk e harroi asnjëherë Kërçovën ku edhe kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së tij.

Por piktorin e madh, birin e vendlindjes së tyre nuk e harruan as vet kërçovarët, sidomos ata të migruar. Ndaj edhe nga Shoqata Kulturore Kërçova- Zvicër, u ftua si mysafir special nderi më 10 Nëntor 2013, ku edhe u nderua me mirënjohje të Veçantë nga bashkëvendasit e tij. Ishte ky rast i mirë që ti shkrepja disa foto nga kjo vizitë e rrallë në mesin e kërçovarëve të tij, pasi jeta e kishte shkëput me dekada nga gjiri i tyre. Disa nga këto foto po i botoj përherë të parë pas 9 vitesh nga shkrepja e tyre.